FDH: Gjykimi në mungesë, kthesë e re në procedimin e rasteve të krimeve të luftës

Gjatë vitit 2023 Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur pesëmbëdhjetë aktakuza për krime lufte kundër popullatës civile, sipas raportit “Fillimi i një faze të re në gjykimin e krimeve të luftës”, i hartuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare.

Prej tyre, tetë janë ngritur në mungesë kundër 61 pjesëtarëve të forcave serbe dhe shtatë aktakuza janë ngritur ndaj shtatë pjesëtarëve të forcave serbe, të cilët janë arrestuar nga Policia e Kosovës dhe ndodhen në paraburgim, bëri të ditur Amer Alija gjatë prezantimit të raportit më 19 prill, në Prishtinë.

Fillimi i gjykimeve në mungesë, sipas tij, shënon një kthesë të re në procedimin e rasteve të krimeve të luftës “duke paraqitur një sfidë të re për sistemin gjyqësor në Kosovë”.

“Kjo fazë do të jetë një test i rëndësishëm për aftësinë dhe pavarësinë e gjyqësorit kosovar për të ofruar drejtësi në raste të tilla të ndjeshme”, tha Alija.

Gjykimi i parë në mungesë për krime lufte kishte nisur në nëntor të vitit të kaluar, në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Sipas raportit të Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, gjatë vitit 2023 janë arrestuar nëntë persona nën dyshimin për krime luftë dhe kundër popullatës civile. Ndaj tyre është caktuar masa e paraburgimit.

Në luftën e viteve 1998-1999 më shumë se 13.000 civilë besohet se janë vrarë në Kosovë, ndërsa mijëra të tjerë janë zhdukur.

Të pagjetur, edhe sot e kësaj dite, mbeten më shumë se 1.600 persona – shumica prej të cilëve shqiptarë.

“Që nga përfundimi i luftës në Kosovë, institucionet gjyqësore, qoftë vendore apo ndërkombëtare, kanë dënuar vetëm 74 persona për krimet e luftës në Kosovë, në anën tjetër janë vrarë më shumë se 10.000 viktima civile”, tha Alija.

Sa persona janë vrarë në luftën e Kosovës?

Zëvendësministri i Drejtësisë i Kosovës, Vigan Qorrolli, tha se janë të angazhuar për adresimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut, krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit “duke zhvilluar bazën ligjore, e cila kishte munguar për shumë vite dhe duke rritur kapacitetet e institucioneve për adresimin e këtyre çështjeve”.

“Vënia e drejtësisë nuk është hakmarrje, është garanci që kontribuon në ndërtimin e paqes dhe stabilitetit në Ballkan”, tha Qorrolli në tryezën e organizuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë.

Ai tha se përmes gjykimit në mungesë “kryesit e krimeve të luftës nuk do të kenë mundësi t’i shmangen drejtësisë, pavarësisht që nuk janë prezent”.

“Kosova duhet të avancojë në forcimin e drejtësisë dhe të angazhohet në dënimin e të gjithë atyre kriminelëve të luftës që fatkeqësisht shumica nga ta ende lëvizin lirshëm në Serbi dhe jo vetëm”, tha Qorrolli.

Ç’efekte kanë aktakuzat në mungesë për krime lufte?

Në këtë raport, Fondi për të Drejtën Humanitare përsëriti rekomandimin për vendosjen e bashkëpunimit juridik me Serbinë.

“Qeveria e Kosovës duhet të angazhohet që në negociatat me Serbinë të vendoset edhe bashkëpunimi juridik ndërkombëtar përmes nënshkrimit të protokolleve të bashkëpunimit mes prokurorive speciale të Kosovës dhe të Serbisë”, thuhet në raport.

Sipas FDH-së, mungesa e bashkëpunimit dhe e shkëmbimit të informatave mes organeve të hetuesisë të Kosovës dhe atyre të Serbisë ndikon në mosefikasitetin e ngritjes së aktakuzave për krimet e luftës.

Gjithashtu, në mesin e rekomandimeve ishte edhe që policëve hetues të Drejtorisë për hetimin e krimeve të luftës t’u sigurohen trajnime të vazhdueshme në fushën e hetimit të krimeve të luftës.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës duhet t’i përzgjedhë edhe katër prokurorë të tjerë në kuadër të Departamentit për Krime të Luftës të PSRK-se, për të cilët që nga viti 2021 është ndarë buxheti nga Qeveria e Kosovës”, thuhet në raport.

Sipas FDH-së, Këshilli Gjyqësor i Kosovës duhet të krijojë një databazë elektronike me dokumentacionin gjyqësor të rasteve të krimeve të luftës, për të cilat janë marrë vendimet përfundimtare./REL