Arkiv: Ndërtesa e Komunës së Mitrovicës së Jugut

Komuna e Mitrovicës kishte punësuar infermiere pa nënshtetësi të Kosovës dhe pa licencë, Prokuroria fillon hetimet

Një konkurs i Komunës së Mitrovicës për infermierë të QKMF-së ka filluar të hetohet nga Prokuroria pasi një kandidate dyshohet se u pranua pa i plotësuar dy kritere.

Kandidatja që u pranua nuk kishte nënshtetësi të Kosovës dhe as licencë të punës për ushtrimin e profesionit të infermieres.

Kriteret e konkursit të shpallur më 13 maj 2022, specifikojnë se të drejtë për të aplikuar kanë të gjithë shtetasit e Republikës së Kosovës dhe të kenë mbaruar shkollimin “adekuat” dhe kanë aftësitë e kërkuara profesionale për kryerjen e detyrave.

Thirrja ishte e hapur për 20 pozita në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Famijare “Nexhat Çuni” në Mitrovicë.

Për 20 pozita të lira kishin aplikuar plotë 330 kandidatë, ndërsa 260 prej tyre ishin çuar tutje për procedurat rekrutuese të testimit.

Prej këtyre 20 kandidatëve, ishte edhe kandidatja e cila nuk i plotësoi dy kriteret e konkursit.

Për këtë KALLXO.com ka kontaktuar me Komunën e Mitrovicës dhe të njëjtit janë arsyetuar me një vendim të kryeministrit Albin Kurti të datës 7 maj 2021.

Sipas komunës, kandidatja ka pasur lejeqendrim të përhershëm në Kosovë dhe se sipas tyre, lejohet punësimi i shtetasve të Shqipërisë, bazuar në vendimin e ekzekutivit kosovar.

“Kandidatja ka pasur lejeqendrim të përhershëm në Kosovë dhe aplikacioni i është pranuar në bazë të një vendimi të Kryeministrit të Kosovës për punësimin e shtetasve të Shqipërisë. Pas pranimit të aplikacionit kandidatja ka vazhduar me procedurat e tjera të rekrutimit në mënyrë të njëjtë dhe të barabartë me të gjithë kandidatët” – thuhet në përgjigjen e Komunës.

Për këtë që dyshohet se ka elemente të veprës penale, Prokuroria ka filluar hetimet dhe është në fazën e mbledhjes së provave.

Por çka thotë vendimi i kryeministrit për këto procedura?

Sipas vendimit të Qeverisë të datës 7 maj 2021, shtetasit e Shqipërisë të cilët janë me qëndrim të ligjshëm në Kosovë gëzojnë të drejtësn e punësimit.

“Lirohen nga obligimi për pajisje me leje pune afatshkurtër për të huajt shtetasit e Republikës së Shqipërisë, që janë me qëndrim të ligjshëm në territorin e Kosovës, të cilët gëzojnë të drejtën e punësimit dhe të vetëpunësimit” – thuhet në këtë vendim.

“Për të punësuarit sipas pikës 1 të këtij vendimi, vlejnë të drejta dhe detyrime sipas legjislaiconit përkatës në fuqi, sikurse shtetasit e Kosovës”.

Ndërsa në lidhje me mungesën e licencës së punës, Komuna e Mitrovicës ka thënë se pas dorëzimit të aplikacionit, kandidatja i është nënshtruar procedurave në mënyrë të barabartë. Por nuk ka ofruar një përgjigje konkrete se si i është pranuar aplikimi, pa licencë të punës.

Por që më pas pikërisht mungesa e nënshtetësisë dhe e licnencës së punës është bërë arsye për shkëputjen e kontratës për kandidaten në fjalë.

Më 22 mars 2023 Komuna e Mitrovicës ka marrë vendim për shkëputjen e kontratës për kandidaten në fjalë, pikërisht me aryestimin se nuk kishte nënshtetësi të Kosovës dhe nuk kishte arritur që ta marrë një licencë në Kosovë.

Ajo kishte punuar për 6 muaj në QKMF-në e Mitrovicës, e cila i është llogaritur si ‘punë provuese’.

“Duke qenë se është në pritje të rregullimit të shtetësisë së Kosovës, mirëpo deri në përfundim të periudhës së punës provuese 6 mujore nuk ka siguruar shtetësinë e Kosovës e as licencës e punës, i ndërpritet kontrata e punës ngase në mungesë të licencës së punës e cila lëshohet nga Oda e infermierëve, nuk mund të ushtrojë profesionin në mënyrë të pavarur në territorin e Kosovës” – thuhet ndër të tjera në vendimin për shkëputjen e kontratës, të cilin vendim e ka nënshkruar kryetari i Komunës Bedri Hamza.

Se si ka arritur që të futet në procedurat e rekrutimit kandidatja në fjalë pa nënshtetësi dhe licencë të Kosovës, Komuna nuk ka ofruar një përgjigje konkrete.

Por ka bërë të ditur se Prokuroria ka filluar tashmë hetimet dhe është në fazën e grumbullimit të provave.

“Organet e hetuesisë kanë filluar hetimet dhe me kërkesën e tyre QKMF-ja ua ka dorëzuar gjithë dokumentacionin e konkursit, listat, aplikacionet bashkë me dokumentacionin e kandidatëve dhe procesverbalet” – thuhet në përgjigjen e Komunës për KALLXO.com.

Në anën tjetër, kryesuesja e Komisionit përzgjedhës, Meleqe Morina, në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se kandidatja në fjalë nuk ka pasur ndikim tek ajo apo Komisioni, për pranimin e dokumentacionit, ndërsa ka bërë të ditur se për këtë rast është intervistuar nga hetuesia.

“Ju inforomoj se nuk ka pasur asnjë ndikim që t’i pranohet dokumentacioni (kandidates). Ju informoj po ashtu se jemi intervistuar nga Njësia e Hetimeve në Mitrovicë” – ka thënë Morina.

Përveç saj si kryesuese e Komisionit, anëtarë të tjerë kanë qenë Alketa Shaqiri; Vjosa Kadriu; Emrika Uka dhe Bekim Sadiku.

Kjo nuk është hera e parë që nën udhëheqjen e Bedri Hamzës si kryetar i Mitrovicës, ka punësime të dyshimta në QKMF-në e Mitrovicës.

Në shkurt të këtij viti, KALLXO.com ka raportuar se si një infermiere tjetër kishte bërë stazh në dy QMF të komunës, pa pasur kualifikimet e duhura.

Ajo këtë e kishte bërë në mënyrë ‘të mistershme’, pasi nuk ishte vërejtur fare nga zyrtarët përgjegjës.

‘Doktoresha’ e mistershme dhe pa diplomë që kreu praktikën në Mitrovicë