Bedri Hamza nominohet kandidat i PDK-së për kryeministër

Kryetari aktual i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza, është zyrtarizuar nga Partia Demokratike të Kosovës si kandidat për kryeministër në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, teksa e ka bërë publik këtë nominim, ka kritikuar Qeverinë Kurti 2, duke thënë se ekonomia dhe mirëqenia në vend “është dëshpërimi i kësaj qeverie”.

“Nuk jemi vetëm dëshimtarë të sfidave, por jemi të indinjuar thellë nga keqqeverisjea. Tri vite me parë, kjo qeveri erdhi me premtime për punë, për drejtësi e integrim të shtetit, me një mbështetje prej 50 %,  por sot shumica e qytetarëve po kërkojnë ndryshimin e saj. Çdo ditë me këtë model të qeverisjes është ditë e humbur. Kosovës i duhet një model i dëshmuar që kryen punë. Njerëzit kanë nevojë për mirëqenie dhe jo për fjalë- ata presin rezultate dhe jo premtime. Tri vite kanë qenë të mjaftueshme për rezultate, por nuk ka”- tha Krasniqi.

Por, sipas Krasniqit, Bedri Hamza është i gatshëm për detyrën e kryeministrit dhe do ta ringjall ekonominë.

“Sot jam krenar dhe shumë i lumtur që ta prezantoj para jush Bedri Hamzën si kandidat që do ta ringjall ekonominë dhe do ta udhëheq ekipin më te denjë. Është i dëshmuar , i provuar, i gatshëm dhe i duhuri për këtë detyrë. Jam i bindur që të gjitha kategoritë do ta mirëpresim kandidimin e tij, sepse Bedriu do të punojë për të gjithë. Bedriu do të punojë për rikthimin në Kosovën e ëndrrave”- u shpreh i pari i PDK-së.

“Nga sot ndryshon loja në Kosovë”- u shpreh Krasniqi.

Ndërsa Hamza tha se Kosova ka nevojë për një rritje më të përshpejtuar të ekonomisë, duke u shprehur i vendosur për avancimin dhe zhvillimin e vendit në të gjitha sferat.

“Ndihem tepër i vlerësuar nga kryetari Krasniqi. E marr edhe si përgjegjësi. Kosova si një vend me potencial ka nevojë për një rritje më te përshpejtuar të ekonomisë. Si një njeri që ka njohur sektorin privat dhe publik, para dhe pas luftës, kam një pasqyrë të qartë”- deklaroi Hamza.

“53.7 për qind është më shumë se 51%. Me 53.7% të votave e kam fitu Mitrovicën”- shtoi ai.

Në zgjedhjet e vitit 2021, Bedri Hamza kishte fituar Mitrovicën në rundin e parë të zgjedhjeve lokale me rreth 54% të votave, kështu që pas tetë viteve ky qytet nuk është udhëhiqur më nga Agim Bahtiri.

Hamza ka qenë deputet i PDK-së për tri mandate, zëvendësministër i Ekonomisë dhe Financave (2008), ministër i Financave dy herë dhe Guvernator i BQK-së nga viti 2013 deri në 2017.