“Handikos-i” Monitoron Zgjedhjet me 230 Vëzhgues

Të enjten në një konferencë për gazetarë përfaqësues të “Handikos-it” dhe rrjetit të organizatave monitoruese të zgjedhjeve “Demokracia në Veprim”, bënë publike punën njëjavëshe të monitorimit të fushatës nga personat me aftësi të kufizuara.

30 persona të kësaj kategorie janë shpërndarë anekënd Kosovës për të shikuar se a i plotësojnë kushtet ambientet ku mbahen tubimet elektorale të subjekteve politike për personat me nevoja të veçanta.

Këta vëzhgues të “Handikos-it”, kanë evidentuar edhe numrin e personave me aftësi të kufizuara pjesëmarrës në tubimet e deritashme të fushatës. 

“Ende mbetet  sfidë qasja e personave me aftësi të kufizuar nëpër vendvotime, pasi që nuk janë krijuar kushte dhe hapësirë e mjaftueshme fizike në vendvotime”, tha kreu i “Handikos-it” Afrim Maliqi.

Maliqi tregoi edhe sa persona me nevoja të veçanta kanë marrë pjesë deri tash në fushatë.

“Në gjitha këto tubime vetëm tre folës kanë qenë me aftësi të kufizuar në ngjarje, gjithashtu kanë marrë pjesë vetëm 63 persona me aftësi të kufizuar në tubimet që kanë ndodhur deri tash”, tregoi ai.

Maliqi u ankua se subjektet politike nuk kanë siguruar komunikim në gjuhën e shenjave, i nevojshëm për shurdh-memecët, ndërsa sipas tij kanë munguar edhe dokumentet e shkruara me alfabetin e Braillit, të cilat mund t’i kuptojnë të verbrit.

“Vetëm në një ngjarje ka pasur komunikim apo gjuhë të shenjave për të shurdhër, kurse nuk ka pasur materiale për të verbrit apo në gjuhën e Braillit”, tha Maliqi.

Gazeta kërkoi shpjegim për këto vërejtje të ‘Handikos-it” nga zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi, por ai ende nuk është përgjigjur.

30 vëzhguesve të “Handikos-it” gjatë fushatës, në ditën e zgjedhjeve të dielën e 8 qershorit do t’u bashkohen edhe 200 vëzhgues të kësaj organizate, të cilët do të vlerësojnë kushtet e votimit nëpër vendvotime për personat me aftësi të kufizuara.

Sipas Valmir Ismailit koordinatorit të Sekretariatit të “Demokracisë në Veprim një monitorim i tillë bëhet për herë të parë në Kosovë.

“’Demokracia në Veprim’ kësaj radhe në bashkëpunim me ‘Handikos-in’ krahas vëzhgimit të përgjithshëm, të zakonshëm të cilin e bën, kësaj radhe e kemi bërë një bashkëpunim zyrtar dhe shumë më të gjerë me ‘Handikos-in’”, tha Ismaili.

Afrim Maliqi nuk  kishte njohuri se sa për qind e trupit votues kosovar përbëhet nga persona me aftësi të kufizuara, por monitoruesit e “Handikos-it” sipas Valmir Ismailit të DnV-së do ta shohin vetë se sa po u ofrohet qasje fizike nëpër objektet ku votohet dhe sa janë të përfshirë në programet e partive politike.