Parregullësitë e lloj-llojshme të Fushë Kosovës brenda raportit të auditorit

Komuna e Fushë Kosovës, gjatë vitit 2019, kishte pasur parregullësi në fusha të ndryshme, siç është fusha e prokurimit, Komiteti i Auditimit, në planifikimin dhe realizimin e buxhetit, pagat, verifikimi i pronave tatimore, etj.

Zyra Kombëtare e Auditimit, në raportin për vitin 2019, në raportin për pasqyrat financiare të Komunës së Fushë Kosovës për vitin 2019, ka dhënë opinion të pamodifikuar me theksim të çështjes.

Auditori ka tërhequr vëmendjen se përmes planifikimit buxhetor Komuna ka paguar dhe regjistruar shpenzime në kategori ekonomike jo adekuate.

“Nga kategoria e investimeve kapitale si dhe subvencioneve dhe transfereve kishte paguar për mallra e shërbime, ndërsa thesari prej mallrave dhe shërbimeve kishte paguar pagat jubilarë të punëtorëve të arsimit përmes vendimeve gjyqësore”, thuhet në raport.

Auditorit ka gjetur se komuna ka paguar shpenzime në vlerë 305,708 euro nga kategoria joadekuate e shpenzimeve.

“Prej tyre 245,734 euro ishin bërë nga kategoria e investimeve kapitale për mallra dhe shërbime, e të cilat kishin qenë të planifikuara dhe buxhetuara gabimisht, ndërsa 59,974 euro ishin bërë nga kategoria e subvencioneve dhe transfereve që i takonin kategorisë së mallrave dhe shërbimeve e të cilat nuk kanë qenë të planifikuara me buxhet, por janë kryer dhe regjistruar gabimisht nga komuna. E gjithë kjo ka qenë si pasojë e buxhetit të kufizuar për mallra dhe shërbime e të cilat janë të domosdoshme, andaj edhe si të tilla ishin aprovuar me ligjin e buxhetit”, thuhet në raport.

Auditori ka përmendur se përmes vendimeve gjyqësore (përmbaruesve private), janë paguar nga gjithsej 83,203 euro.

“Prej tyre, 45,926 euro ishin nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve ndërsa 37,277 euro ishin nga investimet kapitale, shpenzime këto që i takonin kategorisë së pagave dhe mëditje për paga jubilare të mësimdhënësve”, thuhet në raport.

Sipas raportit komuna kishte bërë përpjekje gjatë vitit 2019 që të alokonte mjete shtesë në kategorinë e pagave dhe mëditjeve në mënyrë që të evitonte çështjet e tilla ndërsa në PFV e vitit 2018 kishte prezantuar apo shpalosur si detyrime kontigjente.

Auditori tregon se pagesat e bëra nga kategoria jo-adekuate, ndikojnë në keq klasifikimin e shpenzimeve në Pasqyrat Financiare të Komunës dhe si të tilla japin informata jo të sakta për shfrytëzuesit e PFV-ve.ZKA jep rekomandim se kryetari duhet të sigurojë që janë ndërmarrë të gjitha veprimet që shpenzimet të planifikohen në ndarjet adekuate të buxhetit apo ridestinim të mjeteve dhe që pagesa dhe regjistrimi i shpenzimeve bëhet sipas kodeve ekonomike adekuate.

Planifikimi dhe realizimi i buxhetit

Auditori njofton se opinion i tyre është modifikuar në lidhje me planifikimin dhe realizimin e buxhetit. Buxheti final në raport me buxhetin fillestar sipas auditorit ishte rritur për 3,138,500 euro.

Raporti tregon se kjo rritje është rezultat i të hyrave të bartura nga viti paraprak në vlerë 2,525,862 euro, të hyrave vetanake prej 550,000 euro, nga donacionet e brendshme dhe të jashtme për 139,677 euro, ndërsa kishte zvogëlim të buxhetit për 77,039 euro nga financimi nga huamarrja.

Në vitin 2019, sipas raportit komuna ka shpenzuar 82 për qind të buxhetit final ose 11,645,281 euro, me një përmirësim për 2.5% krahasuar me vitin 2018.

“Rritja e buxhetit final për 52,000 euro, krahasuar me buxhetin fillestar për kategorinë e pagave dhe mëditjeve ishte rezultat i të hyrave të bartura nga viti i kaluar për drejtorinë e arsimit, për të mbuluar shpenzimet e pagave të arsimtareve të punësuar si rezultat i shtimit të numrit të banorëve në Fushë Kosovë”, thuhet në raport.

Buxheti final krahasuar me buxhetin fillestar për mallra dhe shërbime sipas spjegimeve të auditorit ishte rritur për 131,622 euro.

“Fillimisht ishte zvogëluar për 78,873 euro nga financimi për huamarre si rezultat i mos alokimit të mjeteve në drejtorinë e shëndetësisë, pastaj ishte rritur prej të hyrave vetanake 50,000 euro, të hyrave të bartura 160,461 euro si dhe financimit nga donacionet e jashtme prej 34 euro”, thuhet në raport.

Edhe për rritjen e buxhetit final për shërbimet komunale që ishte 117,327 euro auditori tregon se kjo rritje ishte si rezultat i të hyrave vetanake të bartura nga komuna në vlerë 67,327 euro dhe të hyrave vetanake të realizuara gjatë vitit në vlerë prej 50,000 euro.

“Rritja ishte bërë me qëllim të shlyerjes së borxheve të mëhershme të komunës”, thuhet tutje.

Auditori tregon se buxheti final krahasuar me atë fillestar për kategorinë e subvencioneve dhe transfereve kishte pësuar rritje prej 465,496 euro.

“Rritja ishte si rezultat i të hyrave vetanake në vlerë 240,000 euro, të hyrave të bartura prej 100,004 euro si dhe donacioneve të brendshme përmes participimit të qytetarëve në vlerë prej 125,492 euro.

Buxheti final për shpenzime kapitale sipas auditorit ishte rritur për 2,372,055 euro, nga të hyrat vetanake në vlerë prej 158,000 euro, të hyrave të bartura 2,198,070 euro, financimit përmes huamarrjes në vlerë 1,834 euro si dhe donacioneve të jashtme prej 14,151 euro.

Zyrtari ligjor në Fushë Kosovë nuk u përfshi në listë të pagave për pesë muaj

Komuna e Fushë Kosovës kishte zhvilluar procedurat e rekrutimit për pozitën “Zyrtar ligjor” në Drejtorinë e Arsimit dhe kishte nënshkruar kontratën me zyrtarin me datën 29 nëntor 2019, pavarësisht se në këtë drejtori nuk kishte buxhet për këtë pozitë.

Zyra Kombëtare e Auditorit për vitin 2019, ka treguar se si rezultat që nuk kishte buxhet për këtë pozitë ky zyrtar nuk ishte futur në listën e pagave deri në muajin prill të vitit 2020.

“Po ashtu, nuk ishte kompensuar në mënyrë retroaktive për periudhën për të cilën nuk ishte përfshirë në listë të pagave. Kjo kishte ndodhur pasi kuvendi komunal kishte aprovuar pozitat mirëpo nuk kishte buxhet në kategorinë e pagave në këtë drejtori”, thuhet në raport.

Sipas auditorit rekrutimi në mungesë të buxhetit për pozita të lira dhe mos përfshirja në listat e pagave duke mos paguar në mënyrë retroaktive të punësuarin mund të ndikoj në shpenzime shtesë përmes padive gjyqësore.

“Kryetari duhet të sigurohet që para fillimit të proceduarve të rekrutimit janë marrë aprovimet përkatëse për pozitat e lira dhe mjetet e buxhetuara. Njëherit të siguroj se stafi i angazhuar paguhet nga data e rekrutimit”, thuhet në rekomandim.

Sipas Ligjit për Buxhetinneni 12 pika 2 specifikon se me kusht që numri total i lejuar i të punësuarve dhe shuma e lejuar e buxhetit në kuadër të organizatës nuk ndryshon, numri i të punësuarve dhe ndarjet buxhetore mund të përshtaten me vendim të Ministrit me arsyetim përkatës nga Komuna.

“Në rastin e organizatave buxhetore të nivelit lokal nevojitet paraprakisht edhe vendimi i Kuvendit Komunal për ndryshime në fjalë”, thuhet në raport.

Komuna e Fushë Kosovës nuk ka arriur t’i verifikoj pronat tatimore siç kërkohet me ligj

Komuna e Fushë Kosovës, në vitin 2019 nuk kishte arritur t`i verifikoj pronat ashtu siç parashihet me ligjin për tatimin në pronën e paluajtshme.

Sipas këtij ligji komuna çdo vit duhet të kryejë veprime të inspektimit (verifikimit) për të paktën 20 për qind e të gjitha objekteve brenda territorit të Komunës.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se në vitin 2019, prej 14,364 pronave të regjistruara komuna kishte arritur të kryej verifikimin e vetëm 2,128, apo 15 për qind të pronave të paluajtshme.

“Sipas zyrtarëve komunal mos verifikimi i pronës ka ndodhur si rezultat i mos funksionimit të pajisjeve elektronike në përkrahjen e sistemit të tatimit në pronë dhe nevojës për pajisje me teknologji të re për verifikim të pronave”, thuhet në raport.

Auditori tregon se mos verifikimi i 20 për qind të pronave ndikon negativisht në vlerësimin dhe faturimin real të tatimit në pronë dhe mund të rezultojë edhe me nënvlerësimin e të hyrave nga kjo kategori.

“Kryetari duhet të siguroj se verifikimi i pronave komunale do të bëhet ashtu siç parashihet me ligj duke bërë verifikimin e pronave së paku 20 për qind në vit, për të reflektuar në gjendjen reale të pronave të tatuara”, thuhet në raport.

Auditori gjithashtu kishte gjetur se nga testimi i tri kontratave për shfrytëzimin e pronës publike, në dy raste për shkak të mos pagesës mujore nga qiramarrësit, komuna nuk kishte arritur të arkëtojë të hyrat për vitin 2019 në vlerë prej 2,823 euro duke e rritur në vlerë totale vlerën e të arkëtueshmeve në 16,532 euro.

Auditorit thotë se përkundër rekomandimit nga viti i kaluar, komuna ende nuk kishte ndërmarrë veprime për arkëtimin e të hyrave në fjalë.

Sipas Ligjit për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës, neni 7, përcakton që prona e paluajtshme e komunës mund të jepet në shfrytëzim për të gjithë personat fizik dhe juridik me një afat të caktuar.

Ndërsa bazuar në kushtet e kontratave të shfrytëzuesve të pronës, pagesa e obligimit duhet të bëhet deri në fund të javës së parë të secilit muaj vijues.

Auditori sqaron se vazhdimi i praktikave të tilla të menaxhimit jo të mirë të kontratave të qirasë mund të nxisin obliguesit tjerë që t’i shmangen pagesës së qirave, si dhe të rrit vlerën e të arkëtueshmeve.

“Kryetari, duhet të sigurojë se asnjë pronë publike nuk do të lejohet të shfrytëzohet pa pagesën e qirave të parapara me kontratë. Duhet të gjenden forma, që të merren masa të menjëhershme (një mundësi e tillë përmes përmbaruesit) që detyrojnë obliguesit të respektojnë detyrimet kontraktuale”, perfundon rekomandimi.

Problemet e prokurimit në Fushë Kosovë

Zyra Kombëtare e Auditimit, ka hasur në parregullsi sa i përket prokurimit në Komunën e Fushë Kosovës gjatë vitit 2019.

Sipas auditorit gjatë testimit është vërejtur se realizimi i projekteve kapitale kishte vonesa dhe përkundër kësaj komuna nuk kishte kërkuar vazhdimin e sigurisë së ekzekutimit për disa kontrata.

“Kontrata ‘Ndërtimi i QMF-së në Fushë Kosovë’ me vlerë 246,882 euro e nënshkruar me datën 05.07.2019 do duhej të përfundonte 120 ditë sipas planit dinamik mirëpo punët ende nuk ishin përfunduar. Siguria e ekzekutimit kishte validitet deri më datën 01.12.2019, dhe si e tillë nuk ishte vazhduar deri me datën 15.06.2020 kur ne kemi audituar këtë kontratë”, thuhet në rqaport.

Ndërsa për kontratën “Asfaltimi i rrugëve në Fushë Kosovë” me vlerë 175,958 euro e nënshkruar me datën 22.05.2019, punët do duhej të përfundonin 60 ditë sipas planit dinamik mirëpo sipas auditorit punët ende nuk ishin përfunduar.

“Siguria e ekzekutimit kishte validitet deri 19.08.2019. Edhe pse punët nuk kishin përfunduar siguria e ekzekutimit nuk ishte kërkuar që të vazhdohej. Arsyeja e mos vazhdimit apo vazhdimit me vonesë ishte kontrolli dhe monitorimi jo i mirë i realizimit të kontratave dhe përcjelljes së validitetit të sigurisë së ekzekutimit”, thuhet në raport.

Sipas auditorit kujdesi jo i duhur lidhur me vazhdimin e sigurisë së ekzekutimit në raste të dëmtimit të punimeve, komuna mund të përballet me shpenzime shtesë si dhe të mos arrij të marr kompensimin e dëmeve.

“Kryetari, duhet të ndërmerr masat për forcimin e kontrolleve lidhur me mbikëqyrjen dhe zbatimin e projekteve sipas planit dinamik dhe kushteve të kontratës, në mënyrë që projektet të realizohen sipas planit dinamik. Njëherit për projekte që janë në vonesa të realizmit të sigurohet se është kërkuar vazhdimi i sigurisë së ekzekutimit”, thuhet tutje.

Gjatë testimit të kontratave auditori kishte vërejtur që janë pranuar dhe paguar punë apo furnizime të cilat nuk ishin sipas atyre të kontraktuara.

Te kontrata “Ndërtimi i urës mbi lumin Drenica në fshatin Grabovc”, në vlerë prej 27,943 euro, nga ekzaminimi fizik i projektit janë identifikuar se tri pozicione me vlerë 3,760 euro nuk ishin realizuar ndonëse ishin faturuar dhe paguar sipas situacionit të fundit të punëve të përfunduara dhe pagesës së realizuar në vlerë 16,375 euro.

Gjithashtu edhe në kontratën “Blerja e dy mini autobusëve për të mbuluar nevojat e Administratës, Shëndetësisë dhe Arsimit”, tek pagesa në vlerë 65,000 euro auditori ka identifikuar se komuna kishte pranuar mini autobusët jo në përputhje me specifikacionet e cekura në kontratë, ishin kërkuar mini autobusë me 4 dyer ndërsa ishin pranuar mini autobusë me 3 dyer.

Komiteti i Auditimit në Fushë Kosovë jo efikas, shkakton sfida në përmbushjen e planit vjetor

Auditori i Brendshëm i Komunës së Fushë Kosovës, kishte planifikuar që ti kryej gjashtë auditime për vitin 2019, ndërsa kishte arritur ti përfundoj vetëm dy prej tyre dhe një auditim me kërkesë nga menaxhmenti.

Sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit, Auditori i Brendshëm nuk kishte mbuluar fushat me rrezik të lartë: si të hyrat vetjake, shpenzimet përmes prokurimit, subvencionet etj.

“Niveli i dobët i realizimit të planit të auditimit nga NJAB, zvogëlon sigurinë në lidhje me funksionimin e sistemeve financiare. Mungesa e aktiviteteve efektive të auditimit të brendshëm mund të ndikojë në vazhdimin e përsëritjes së dobësive në sistemet kyçe të kontrollit të brendshëm dhe menaxhmenti të mos jetë në gjendje të reagoj me kohë për eliminimin e tyre”, thuhet në raportin e auditorit.

Sipas ZKA-së, kryetari duhet të sigurojë se sistemi i auditimit të brendshëm, vepron në mënyrë efektive, në mënyrë që t’i shtoj vlerë përmirësimit të aktiviteteve operative dhe cilësisë së kontrolleve të brendshme aktuale, e njëkohësisht të përmbushen edhe objektivat e planifikuara në planin vjetor të punës.

ZKA, gjithashtu kishte vërejtur që Komiteti i Auditimit nuk kishte përgatitur statutin, kishte mbajtur vetëm dy takime prej katër sa kërkoheshin.

Po ashtu, sipas auditorit Komiteti i Auditimit nuk kishte përgatitur as raportin vjetor i cili duhet të përfshijë informatat për: përshtatshmërinë e mjedisit të kontrollit të brendshëm, sistemit të menaxhimit të rrezikut dhe mënyrat e eliminimit të tyre, përshtatshmërinë e menaxhimit të sistemi financiar dhe raportimin etj.

“Arsyeja e mos përmbushjes së kërkesave të udhëzimit ishte mos funksionimi efikas i Komitetit të Auditimit”, thuhet në rapot.

Mos respektimi i udhëzuesit si dhe mos funksionimi efektiv i KA-së, sipas auditorit mund të ndikoj në pamundësinë e ofrimit të sigurisë për menaxhmentin e komunës në përmirësimin e kontrolleve të brendshme, qeverisjen e mirë dhe menaxhimin e rrezikut në komunë.

Sipas ZKA-së kryetari duhet të sigurojë se Komiteti i Auditimit, funksionon në mënyrë efektive, jep kontributin e vet në qeverisjen e mirë, kontrollet e brendshme dhe menaxhimin e rrezikut, si dhe ka një bashkëpunim të ngushtë me NJAB-në.

Deri në fund të auditimit për vitin 2019, Komuna e Fushë Kosovës prej 14 rekomandimeve, shtatë rekomandime i ka zbatuar, pesë rekomandime nuk ishin zbatuar ende dhe dy rekomandime janë konsideruar të mbyllur.