Zyrtari ligjor në Fushë Kosovë nuk u përfshi në listë të pagave për pesë muaj

Komuna e Fushë Kosovës kishte zhvilluar procedurat e rekrutimit për pozitën “Zyrtar ligjor” në Drejtorinë e Arsimit dhe kishte nënshkruar kontratën me zyrtarin me datën 29 nëntor 2019, pavarësisht se në këtë drejtori nuk kishte buxhet për këtë pozitë.

Zyra Kombëtare e Auditorit për vitin 2019, ka treguar se si rezultat që nuk kishte buxhet për këtë pozitë ky zyrtar nuk ishte futur në listën e pagave deri në muajin prill të vitit 2020.

“Po ashtu, nuk ishte kompensuar në mënyrë retroaktive për periudhën për të cilën nuk ishte përfshirë në listë të pagave. Kjo kishte ndodhur pasi kuvendi komunal kishte aprovuar pozitat mirëpo nuk kishte buxhet në kategorinë e pagave në këtë drejtori”, thuhet në raport.

Sipas auditorit rekrutimi në mungesë të buxhetit për pozita të lira dhe mos përfshirja në listat e pagave duke mos paguar në mënyrë retroaktive të punësuarin mund të ndikoj në shpenzime shtesë përmes padive gjyqësore.

“Kryetari duhet të sigurohet që para fillimit të proceduarve të rekrutimit janë marrë aprovimet përkatëse për pozitat e lira dhe mjetet e buxhetuara. Njëherit të siguroj se stafi i angazhuar paguhet nga data e rekrutimit”, thuhet në rekomandim.

Sipas Ligjit për Buxhetinneni 12 pika 2 specifikon se me kusht që numri total i lejuar i të punësuarve dhe shuma e lejuar e buxhetit në kuadër të organizatës nuk ndryshon, numri i të punësuarve dhe ndarjet buxhetore mund të përshtaten me vendim të Ministrit me arsyetim përkatës nga Komuna.

“Në rastin e organizatave buxhetore të nivelit lokal nevojitet paraprakisht edhe vendimi i Kuvendit Komunal për ndryshime në fjalë”, thuhet në raport.