Fushë-Kosova - Foto: KALLXO.com

Komuna e Fushë Kosovës nuk ka arriur t’i verifikoj pronat tatimore siç kërkohet me ligj

Komuna e Fushë Kosovës, në vitin 2019 nuk kishte arritur t`i verifikoj pronat ashtu siç parashihet me ligjin për tatimin në pronën e paluajtshme.

Sipas këtij ligji komuna çdo vit duhet të kryejë veprime të inspektimit (verifikimit) për të paktën 20 për qind e të gjitha objekteve brenda territorit të Komunës.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se në vitin 2019, prej 14,364 pronave të regjistruara komuna kishte arritur të kryej verifikimin e vetëm 2,128, apo 15 për qind të pronave të paluajtshme.

“Sipas zyrtarëve komunal mos verifikimi i pronës ka ndodhur si rezultat i mos funksionimit të pajisjeve elektronike në përkrahjen e sistemit të tatimit në pronë dhe nevojës për pajisje me teknologji të re për verifikim të pronave”, thuhet në raport.

Auditori tregon se mos verifikimi i 20 për qind të pronave ndikon negativisht në vlerësimin dhe faturimin real të tatimit në pronë dhe mund të rezultojë edhe me nënvlerësimin e të hyrave nga kjo kategori.

“Kryetari duhet të siguroj se verifikimi i pronave komunale do të bëhet ashtu siç parashihet me ligj duke bërë verifikimin e pronave së paku 20 për qind në vit, për të reflektuar në gjendjen reale të pronave të tatuara”, thuhet në raport.

Auditori gjithashtu kishte gjetur se nga testimi i tri kontratave për shfrytëzimin e pronës publike, në dy raste për shkak të mos pagesës mujore nga qiramarrësit, komuna nuk kishte arritur të arkëtojë të hyrat për vitin 2019 në vlerë prej 2,823 euro duke e rritur në vlerë totale vlerën e të arkëtueshmeve në 16,532 euro.

Auditorit thotë se përkundër rekomandimit nga viti i kaluar, komuna ende nuk kishte ndërmarrë veprime për arkëtimin e të hyrave në fjalë.

Sipas Ligjit për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës, neni 7, përcakton që prona e paluajtshme e komunës mund të jepet në shfrytëzim për të gjithë personat fizik dhe juridik me një afat të caktuar.

Ndërsa bazuar në kushtet e kontratave të shfrytëzuesve të pronës, pagesa e obligimit duhet të bëhet deri në fund të javës së parë të secilit muaj vijues.

Auditori sqaron se vazhdimi i praktikave të tilla të menaxhimit jo të mirë të kontratave të qirasë mund të nxisin obliguesit tjerë që t’i shmangen pagesës së qirave, si dhe të rrit vlerën e të arkëtueshmeve.

“Kryetari, duhet të sigurojë se asnjë pronë publike nuk do të lejohet të shfrytëzohet pa pagesën e qirave të parapara me kontratë. Duhet të gjenden forma, që të merren masa të menjëhershme (një mundësi e tillë përmes përmbaruesit) që detyrojnë obliguesit të respektojnë detyrimet kontraktuale”, perfundon rekomandimi.