Komuna e Fushë Kosovës i keqklasifikon shpenzimet në 2019

Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin për pasqyrat financiare të Komunës së Fushë Kosovës për vitin 2019, ka dhënë opinion të pamodifikuar me theksim të çështjes.

Auditori ka tërhequr vëmendjen se përmes planifikimit buxhetor Komuna ka paguar dhe regjistruar shpenzime në kategori ekonomike jo adekuate.

“Nga kategoria e investimeve kapitale si dhe subvencioneve dhe transfereve kishte paguar për mallra e shërbime, ndërsa thesari prej mallrave dhe shërbimeve kishte paguar pagat jubilarë të punëtorëve të arsimit përmes vendimeve gjyqësore”, thuhet në raport.

Auditorit ka gjetur se komuna ka paguar shpenzime në vlerë 305,708 euro nga kategoria joadekuate e shpenzimeve.

“Prej tyre 245,734 euro ishin bërë nga kategoria e investimeve kapitale për mallra dhe shërbime, e të cilat kishin qenë të planifikuara dhe buxhetuara gabimisht, ndërsa 59,974 euro ishin bërë nga kategoria e subvencioneve dhe transfereve që i takonin kategorisë së mallrave dhe shërbimeve e të cilat nuk kanë qenë të planifikuara me buxhet, por janë kryer dhe regjistruar gabimisht nga komuna. E gjithë kjo ka qenë si pasojë e buxhetit të kufizuar për mallra dhe shërbime e të cilat janë të domosdoshme, andaj edhe si të tilla ishin aprovuar me ligjin e buxhetit”, thuhet në raport.

Auditori ka përmendur se përmes vendimeve gjyqësore (përmbaruesve private), janë paguar nga gjithsej 83,203 euro.

“Prej tyre, 45,926 euro ishin nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve ndërsa 37,277 euro ishin nga investimet kapitale, shpenzime këto që i takonin kategorisë së pagave dhe mëditje për paga jubilare të mësimdhënësve”, thuhet në raport.

Sipas raportit komuna kishte bërë përpjekje gjatë vitit 2019 që të alokonte mjete shtesë në kategorinë e pagave dhe mëditjeve në mënyrë që të evitonte çështjet e tilla ndërsa në PFV e vitit 2018 kishte prezantuar apo shpalosur si detyrime kontigjente.

Auditori tregon se pagesat e bëra nga kategoria jo-adekuate, ndikojnë në keq klasifikimin e shpenzimeve në Pasqyrat Financiare të Komunës dhe si të tilla japin informata jo të sakta për shfrytëzuesit e PFV-ve.

ZKA jep rekomandim se kryetari duhet të sigurojë që janë ndërmarrë të gjitha veprimet që shpenzimet të planifikohen në ndarjet adekuate të buxhetit apo ridestinim të mjeteve dhe që pagesa dhe regjistrimi i shpenzimeve bëhet sipas kodeve ekonomike adekuate.

Planifikimi dhe realizimi i buxhetit

Auditori njofton se opinion i tyre është modifikuar në lidhje me planifikimin dhe realizimin e buxhetit.

Buxheti final në raport me buxhetin fillestar sipas auditorit ishte rritur për 3,138,500 euro.

Raporti tregon se kjo rritje është rezultat i të hyrave të bartura nga viti paraprak në vlerë 2,525,862 euro, të hyrave vetanake prej 550,000 euro, nga donacionet e brendshme dhe të jashtme për 139,677 euro, ndërsa kishte zvogëlim të buxhetit për 77,039 euro nga financimi nga huamarrja.

Në vitin 2019, sipas raportit komuna ka shpenzuar 82% të buxhetit final ose 11,645,281 euro, me një përmirësim për 2.5% krahasuar me vitin 2018.

“Rritja e buxhetit final për 52,000 euro, krahasuar me buxhetin fillestar për kategorinë e pagave dhe mëditjeve ishte rezultat i të hyrave të bartura nga viti i kaluar për drejtorinë e arsimit, për të mbuluar shpenzimet e pagave të arsimtareve të punësuar si rezultat i shtimit të numrit të banorëve në Fushë Kosovë”, thuhet në raport.

Buxheti final krahasuar me buxhetin fillestar për mallra dhe shërbime sipas spjegimeve të auditorit ishte rritur për 131,622 euro.

“Fillimisht ishte zvogëluar për 78,873 euro nga financimi për huamarre si rezultat i mos alokimit të mjeteve në drejtorinë e shëndetësisë, pastaj ishte rritur prej të hyrave vetanake 50,000 euro, të hyrave të bartura 160,461 euro si dhe financimit nga donacionet e jashtme prej 34 euro”, thuhet në raport.

Edhe për rritjen e buxhetit final për shërbimet komunale që ishte 117,327 euro auditori tregon se kjo rritje ishte si rezultat i të hyrave vetanake të bartura nga komuna në vlerë 67,327 euro dhe të hyrave vetanake të realizuara gjatë vitit në vlerë prej 50,000 euro.

“Rritja ishte bërë me qëllim të shlyerjes së borxheve të mëhershme të komunës”, thuhet tutje.

Auditori tregon se buxheti final krahasuar me atë fillestar për kategorinë e subvencioneve dhe transfereve kishte pësuar rritje prej 465,496 euro.

“Rritja ishte si rezultat i të hyrave vetanake në vlerë 240,000€, të hyrave të bartura prej 100,004 euro si dhe donacioneve të brendshme përmes participimit të qytetarëve në vlerë prej 125,492 euro.

Buxheti final për shpenzime kapitale sipas auditorit ishte rritur për 2,372,055 euro, nga të hyrat vetanake në vlerë prej 158,000 euro, të hyrave të bartura 2,198,070 euro, financimit përmes huamarrjes në vlerë 1,834 euro si dhe donacioneve të jashtme prej 14,151 euro.