ILUSTRIM

Laramani çmimesh në tenderët për dezinfektim

Në tenderët për dezinfektim, që nuk pati transparencë dhe konkurrencë, pati laramani çmimesh. Përderisa komunat si Dragashi e Graqanica dezinfektuan një metër katror me 0.10 centë, në komunën e Junikut metri katror kushtoi 0.39 centë apo 0.29 centë më shumë se në këto dy komuna. Në Obiliq, dezinfektimi i një metri katror kushtoi 0.57 centë, që i bie rreth gjysmë euro më shumë se në Dragash e Graqanicë dhe 0.18 centë më shtrenjtë se në komunën e Junikut. Në dy komunat më të mëdha Prishtinë dhe Prizren, dezinfektimi i një metri katror kushtoi 0.20 centë.

Tenderi për dezinfektim i komunës së Istogut nuk doli të jetë i ‘pastër’. Pasi në të pati kritere diskriminues anipse procedura e hapur e promovonte transparencën. Për kërkesat diskriminuese që u konsideruan si gabime teknike nga komuna u dhanë vërejtje edhe nga përfaqësues e USAID-i me ç’rast u anulua tenderi. Ndryshe nga kjo komunë, në rreth 30 kontrata në 19 komuna të Kosovës në vlerë të përgjithshme mbi 823 mijë euro ku prej tyre mbi 535 mijë euro ishin vetëm për dezinfektim, ndërsa pjesa tjetër përmbante edhe dezinsektim dhe deratizim u përdor procedura e jashtëzakonshme duke iu shmangur transparencës e konkurrencës.

Mbi 823 mijë euro me procedurë të jashtëzakonshme

Nga fillimi i pandemisë të datës 12 mars 2020, përhapja e virusit korona “COVID-19”, po merrte hov. Si në nivelin qendror ashtu edhe në atë lokal, u morën iniciativa për pastrimin e dezinfektimin e hapësirave publike të brendshme dhe të jashtme, si njëra ndër masat për parandalimin e përhapjes së virusit.

Përmes platformës elektronike “e-prokurim”, komunat e Kosovës iniciuan aktivitete të prokurimit. Ndonëse në periudhë emergjente, e jashtëzakonshme ishte edhe procedura e prokurimit për blerjen e këtyre shërbimeve të dezinfektimit. Kjo procedurë ndryshe njihet si  ‘procedura e negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë’.

Nga gjithsej 38 komuna që janë në Republikën e Kosovës, KALLXO.com, përmes platformës “e-prokurimi” ka arritur t’i nxjerrë të dhëna për rreth 30 kontrata të negociuar për 19 komuna apo 50 përqindëshin e të gjitha komunave.

Sipas të dhënave të grumbulluara, vlera e përgjithshme kontratave që komunat parashikuan t’i negociojnë kap shifrën e 861,965 euro. Nga kjo shumë e zotuar për këtë qëllim, arritën t’i kontraktojnë rreth 96 përqind të këtyre mjeteve, shprehur në shifra 823,447 euro dhe u kursyen vetëm 38,518 euro apo 4 përqind.

Nga shuma e kontraktuar, e lartpërmendur, bëjnë pjesë 287,651 euro kontrata ku përveç dezinfektimit të hapësirave, palët janë marrë veshë të bëhet edhe dezinsekitimin, deratizimin apo të tria bashkë.

Sa i përket buxhetit, pjesa më e madhe e komunave mjetet i siguruan kryesisht nga buxheti i shtetit, disa me mjete vetjake si komuna e Fushë Kosovës dhe e Suharekës  por edhe në bashkëfinancim me buxhetin qendror si Komuna e Prishtinës dhe e Vitisë.

Komuna Fushe Kosovës e udhëhequr nga kryetar Burim Berisha i LDK-së prinë me gjithsej  163,188 mijë euro kontrata te kësaj natyre, duke lënë pas kështu Komunën e Gjakovës të kryetarit Ardian Gjini të AAK-së. me kontratë të nënshkruar në vlerë prej 98,800 euro, Komunën e Podujevës me 93,530 euro dhe komunat tjerat me vlera më të vogla.

Bazuar në njoftimet e komunave për nënshkrimet e kontratave, del se nga kjo procedurë prokurimi, për shërbimet e dezinfektimit, kompania “Truly Nolen” Sh.P.K, ka fituar më shumë kontrata apo 142,457 euro pastaj “Ekologjia” ShPK. 136,024 euro. Në disa kontrata që ka fituar kjo kompani përveç dezinfektimit parashihet edhe dezinsektimi dhe deratizimi. Më tej renditen edhe kompanitë të tjera.

muajin prill, Kompania ‘Truly Nolen’ ka dhuruar një tunel dezinfektues për doktorët dhe Infermierët e Klinikës Infektive në QKUK.

Në anën tjetër, me përkrahjen financiare te Komunës së Gjakovës, tuneli i dytë dezinfektues për Komunën e Gjakovës u vendos afër spitalit regjional “Isa Grezda” nga “Truly Nolen’. Gjithashtu kjo kompani, ka marrë kontratë nga Komuna e Gjakovës tender në vlerë 98,800 mijë eurove për dezinfektimi emergjent të gjitha objekteve dhe hapësirave publike.

Gjysmë milioni euro kontrata vetëm për dezinfektimi, çmimet deri 0.57 cent/m2

Nga vlera e përgjithshme e kontraktuar mbi 823 mijë euro, janë 535,796 euro kontrata të nënshkruara nga komunat vetëm për dezinfektim të hapësirave, sipas përshkrimit të kontratave nga komunat.

Në bazë të dokumenteve të publikuar në “e-prokurim”, nga komunat të cilat kanë bërë të ditur çmimin për njësi, mësohet se çmimet për një metër katror dallojnë nga një komunë në tjetrën. Ato fillojnë nga 9 centë deri në 0.57 centë për metër katror.

Dezinfektimi i hapësirave të jashtme rezulton të jetë 0.1 deri në 0.5 centë më i lirë.

Komuna e Gjakovës nënshkroi kontratë me kompaninë “Truly Nolen’ me vlerë të përgjithshme 98,800 euro. Sipas përshkrimit të kontratës, kompania duhet të kryej dezinfektimin emergjent të gjitha objekteve dhe hapësirave publike. Ndërsa komuna duhet ta paguaj kompaninë 0.23 centë për metër katror ndërsa për hapësirat e jashtme 0.22 centë.

Tutje, Komuna e Prishtinës kishte nënshkruar tri kontrata për dezinfektim, ku vlera e përgjithshme e tyre është 77,157 euro. Përmes këtyre kontratave, komuna ishte marrë vesh me kompanitë për dezinfektimit e hyrjeve dhe hapësirave të brendshme dhe të jashtme të komunës. Dezinfektimi i një metri katror komunës i kushton 0.20 centë apo 0.3 centë më lirë se ajo e Gjakovës. Ngjashëm si komuna e Prishtinës, kontratë me çmim prej 0.20 centë për metër katror kontraktoi edhe komuna e Prizrenit, ku vlera e përgjithshme e kontratës ishte 40 mijë euro.

Me kontratë prej 4,984 euro apo 28 centë për metër katror, Komuna e Kamenicës bleu shërbimet e dezinfektimit të brendshëm.  Ndërsa për 0.4 centë më lirë se Komuna e Kamenicës, për hapësirat e brendshme dhe me 0.19 centë/m2 për hapësirat e jashtme, Komuna e Podujevës nënshkroi kontratë në vlerë 93,530 euro.

Ndërsa çmimet më të larta u evidentuan në komunat Shtime dhe Suharekë. Komuna e Shtimes nënshkroi kontratë për dezinfektim me çmim 0.32 centë për metër katror ndërsa për hapësirat e jashtme 0.27 centë, me çmim të përgjithshme të kontratës 33,289 euro ndërsa komuna Suharekës me çmim të kontratës 4,864 apo 0.32 centë për m2. Komuna e Junikut nënshkroi kontratë me çmim të përgjithshëm 2,100 euro apo 0.35 centë /m2.

Për dezinfektimin e institucioneve publike në territorin e saj, Komuna e Dragashit ka nënshkruar dy kontrata ku vlera e përgjithshme e tyre është 14,000 euro me çmim 0.9 apo 0.10 cent për metër katror. Për këtë lloj shërbimi, edhe komuna  Gracanicës ka kontraktuar me 0.10 centë çmim për njësi apo me çmim të kontratës 15,681 euro.

Për dallim nga komunat tjera, me çmim më të lartë, Komuna Obiliq ka kontraktuar dezinfektimi në institucione publike nga ato shëndetësore dhe objektet tjera sipas kërkesës me çmimin prej 57 centë për metër katror me çmim kontrate 10,686 euro.

Ku u bazuan komunat që iu shmangën konkurencës

Sipas ligjit Ligji Nr. 04/L-042, për prokurim publik në Kosovë, i cili u ndryshua dhe u plotësua me Ligjin Nr. 04/L-237, Ligjin Nr. 05/L-068 dhe Ligjin Nr. 05/L-092, autoriteti kontraktues mund ta përdor këtë procedurë prokurimi por duhet ta shpjegoj hollësishme arsyen.

“Autoriteti kontraktues mund të përdorë procedurat e negociuara pa publikimin e njoftimit të kontratës për të ushtruar aktivitetin e prokurimit vetëm në përputhje me këtë nen. KRPP-ja, në përputhje me nenin 87, paragrafin 2, nën-paragrafin 2.3 të këtij ligji, duhet të njoftohet nga autoriteti kontraktues në fjalë Brenda dy (2) ditëve nga data kur vendimi për përdorimin e procedurave të tilla është marrë. Autoriteti kontraktues duhet që në njoftim të ofrojë një shpjegim të hollësishëm të fakteve të konsideruara dhe justifikim për përdorimin e procedurës”, thuhet në ligj.

Në anën tjetër Rregullat dhe Udhëzuesi Operativ për Prokurim Publik sqarojnë se kjo procedurë e jashtëzakonshme është shmangie prej transparencës e konkurrencës.

“Procedura e negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë është procedurë që e përfshinë Autoritetin Kontraktues që, pa publikim, te negocioj termat e kontratës drejtpërdrejt me një apo më shumë operator ekonomik. Kjo është një shmangie prej parimeve themelore të çiltërsisë, transparencës, dhe konkurrencës si dhe është procedurë shumë e jashtëzakonshme”, sqaron udhëzuesi operativ  për prokurim publik.

Ndryshe, tender për dezinfektim me diskriminim me procedurë të hapur

Kriteret diskriminuese në dosjen e tenderit për të cilat mori vërejtje edhe nga USAID e anuluan tenderin.

Në muajin maj, Komuna e Istogut inicioi aktivitetin e prokurimit me titull “Dezinfektimi i hapësirave publike”.

Kjo kontratë parashihej të kishte kohëzgjatje deri në dymbëdhjetë muaj. Vlera e kontratës që kishte parashikuar komuna ishte në shumën e 41 mijë eurove.

Për këtë tender, komuna përdori procedurën e hapur të prokurimit me kriter çmimin më të ulët.

Sipas njoftimit për kontratë, parashihej që me këtë tender të dezinfektohen hapësira publike prej 60 mijë m2, hyrje të banesave publike 80 copë dhe dezinfektimin e 330 automjete të cilat janë pronë e institucioneve komunale.

Mirëpo ky aktivitet i prokurimit u ndal në gjysmë. Gabimet e bërë në kërkesat e përshtatshmërisë profesionale, të cilat u konsideruan diskriminuese, anuluan këtë tender.

Sipas njoftimit për anulimin, komuna vendosi kërkesa diskriminuese për çka se mori vërejtje edhe nga monitoruesit e USAID-it.

“Është bërë gabim në kërkesat e përshtatshmërisë profesionale me nr.III.2.2, ku është kërkuar që veprimtari e biznesit të jetë edhe dezinfektimi. Nga të gjitha kompanitë konkurruese asnjë kompani në kuadër të veprimtarive të regjistrimit të biznesit nuk e ka, me çka është bërë gabim në paraqitjen e kërkesave, si dhe diskriminim me OE tjerë. Ky aktivitet anulohet edhe për shkak të vërejtjeve të marrura nga monitoruesit e USAIDI-t, për diskriminim”, thuhet në njoftimin për anulim.

Kritere diskriminuese në tenderin për dezinfektim, Komuna e anulon pas vërejtjeve nga USAID-i

.