Kritere diskriminuese në tenderin për dezinfektim, Komuna e anulon pas vërejtjeve nga USAID-i

Tenderi për dezinfektim, për të cilin Komuna e Istogut kishte parashikuar kontratë deri 41 mijë euro, u anulua.

Kriteret diskriminuese në dosjen e tenderit për të cilat mori vërejtje edhe nga USAID e anuluan tenderin.

Në muajin maj, Komuna e Istogut inicoi aktivitetin e prokurimit me titull “Dezinfektimi i hapësirave publike”.

Kjo kontratë parashihej të kishte kohëzgjatje deri në dymbëdhjetë muaj. Vlera e kontratës që kishte parashikuar komuna ishte në shumën e 41 mijë eurove.

Për këtë tender, komuna përdori procedurën e hapur të prokurimit me kriter çmimin më të ulët.

Sipas njoftimit për kontratë, parashihej që me këtë tender të dezinfektohen hapësira publike prej 60 mijë m2, hyrje të banesave publike 80 copë dhe dezinfektimin e 330 automjete të cilat janë pronë e institucioneve komunale.

Mirëpo ky aktivitet i prokurimit u ndal në gjysmë. Gabimet e bërë në kërkesat e përshtatshmërisë profesionale, të cilat u konsideruan diskriminuese, anuluan këtë tender.

Sipas njoftimit për anulimin, komuna vendosi kërkesa diskriminuese për çka se mori vërejtje edhe nga monitoruesit e USAID-it.

“Është bërë gabim në kërkesat e përshtatshmërisë profesionale me nr.III.2.2, ku është kërkuar që veprimtari e biznesit të jetë edhe dezinfektimi. Nga të gjitha kompanitë konkurruese asnjë kompani në kuadër të veprimtarive të regjistrimit të biznesit nuk e ka, me çka është bërë gabim në paraqitjen e kërkesave, si dhe diskriminim me OE tjerë. Ky aktivitet anulohet edhe për shkak të vërejtjeve të marrura nga monitoruesit e USAIDI-t, për diskriminim”, thuhet në njoftimin për anulim.