Donjeta Sahatciu, Perparim Rama, foto/Facebook

Është anuluar tenderi mbi 330 mijë euro për digjitalizim të procesit arsimor në Prishtinë

Komuna e Prishtinës ka anuluar procedurën e prokurimit për digjitalizim të procesit edukativo-arsimor për të cilin kishte planifikuar të ndajë 335 mijë euro.

Derisa, në njoftimin e anulimit të tenderit bëhet e ditur se asnjë operator ekonomik nuk ka aplikuar për këtë proces.

“Numri i tenderëve të pranuar 0”- është cekur në njoftimin për anulim të tenderit që mban datën 09.01.2024.

Ndërsa te arsyetimi për anulim të tenderit thuhet se anulimi “ka qenë i nevojshëm” dhe “jashtë kontrollit të autoritetit kontraktues”.

“Ndërprerja e aktivitetit të prokurimit është i nevojshëm për shkak të ngjarjeve dhe/apo arsyeve objektive dhe të demonstrueshme të cilat janë jashtë kontrollit të autoritetit kontraktues dhe të cilat kanë qenë të paparashikueshme në kohën e inicimit të aktivitetit të prokurimit” – theksohet në dokumentin që mban datën 09.01.2024.

Ky tender ishte konsideruar si procedurë e dëmshme nga ish-nënkryetarja e Prishtinës nga radhët e PDK-së, Donjeta Sahatçiu.

Për këtë tender që ishte hapur më 27.12.2023 ish-nënkryetarja Donjeta Sahatçiu, përmes një postimi në rrjetin social Facebook më 02.02.2024 kishte deklaruar se kryetari nuk e ka konsultuar e buxhetimi ka qenë skandaloz.

Sipas saj, për nisjen e këtij aktiviteti komuna nuk ka pasur leje nga Agjencia Shoqërore e Informacionit (ASHI) e cila do të kujdesej për privatësinë e informatat e nxënësve.

“Përparim Rama në dhjetor dha urdhër për fillimin e procedurave të prokurimit për digjitalizim në arsim pa njohurinë time pasi unë, në cilësinë e U.D. Drejtore e Arsimit, nuk pata pranuar të nënshkruaj deklaratë disponueshmërie për një proces të dëmshëm, pa leje nga ASHI, kundër rekomandimeve të auditorit, me specifika e planifikim buxheti skandaloz” – kishte shkruar Sahatçiu

Ish-drejtoresha e Arsimit në Prishtinë, Besianë Musmurati lidhur më këtë proces në emisionin “KallxoPërnime” më 10.02.2024 deklaroi se Rama kishte si synim që ta nis para Ministrisë së Arsimit.

“Ka shumë projekte të digjitalizimit që dështojnë në Kosovë për shkak të mungesës së qëndrueshmërisë dhe planifikimit të duhur të hapave që kërkohen. Ajo kërkesa në ASHI ka qenë formale, është shumë më kompleks si proces” – ka deklaruar Musmurati.

“Ne në tetor kemi aplikuar në ASHI pasi është më rëndësi siguria e të dhënave personale të nxënësve dhe të mos respektohet ai institucion nuk është në rregull, ne kemi qenë në pritje të lejes nga ASHI-ja”- bëri të ditur Musmurati.

Derisa, për këtë projekt, sipas saj, janë nevojitur 800 mijë euro.

Kurse, i pari i Prishtinës Përparim Rama shkarkimet e drejtorëve dhe nënkryetares së PDK-së i arsyetoi me sabotim të punës nga ana e tyre.

Musmurati: Përparim Rama kërkoi që të dilnim në konferencë për digjitalizim, por s’kemi pranuar