Ilustrim - Protestueset/it në Prishtinë shprehin zemërimin e tyre për vrasjen e Diana Kastratit, 27 vjeçaren e vrarë nga bashkëshorti i saj në vitin 2011 pasi një gjyqtar kishte refuzuar kërkesën për urdhër mbrojtje. Fotografia nga: Amy di Giacomo

Gratë dhe thirrjet e humbura për mbrojtje nga dhuna në familje

Rri N’ shpi!  –  Këshilla më e shpeshtë të cilën po e dëgjojmë ditëve të fundit.

Shtëpia konsiderohet si vendi/streha më e sigurtë e më e ngrohtë për njeriun, por a ndjehen të gjithë kështu, a ndjehen kështu edhe gratë të cilat kohë pas kohë përjetojnë dhunë fizike të ushtruar nga bashkëshortët apo familjarët e tyre?

A ndjehen ato të sigurta në shtëpitë e tyre? A vlen edhe për ato shprehja, ‘Rri n’ shpi’?

E vështirë të thuhet, e sidomos në këtë kohë, kur është ende më e vështirë që të kuptohet se çfarë po ndodh saktë brenda mureve të shtëpive të gjithsecilit prej nesh.

Ndonëse shumë prej rasteve të dhunës në familje mbetën të izoluara, tash më shumë se kurrë izolimi global ka bërë që këtyre rasteve të mund të ju humben gjurmët edhe më lehtë.

Në këtë kohë kur Kosova dhe e gjithë bota po përballen me pandeminë globale të Virusit korona (coronavirusit), qytetarëve vazhdimisht po u kërkohet që të qëndrojnë në shtëpi.

E në këto ditë të vështira për gjithsecilin nga ne, jo pak raste të dhunës në familje po raportohet të kenë ndodhur.

Po këto ditë, ne kemi hasur edhe në raste kur pasi që është raportuar për dhunë në familje, prokurorët tanë, të dyshuarit për dhunë në familje i kanë liruar në procedura të rregullta.

Një rast i tillë është ai në Komunën e Prizrenit, pasi që Policia e Prizrenit ka arrestuar një person i cili dyshohet të ketë sulmuar fizikisht bashkëshorten. Pasi që gruaja kishte raportuar se pas një mosmarrëveshje, ishte sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj, i dyshuari pas intervistimit, me urdhër të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.

Rast i ngjashëm është edhe një rast tjetër i dhunës në familje që është raportuar të ketë ndodhur në qytetin e Gjakovës.

Policia e Kosovës e ka arrestuar një person pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje, është raportuar se e ka sulmuar fizikisht nënën e tij. Ndonëse nga lëndimet e marra, gruaja ka pranuar edhe tretman mjekësor, i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.

Nuk janë të pakta rastet kur gjatë trajtimit të rasteve të dhunës në familje, Gjykatat tona shkelin rregullat e Kodit të Procedurës Penale.

Një hulumtim i KALLXO.com ka zbardhur se gjatë trajtimit të një rasti të dhunës në familje, Gjykata e Gjilanit – Dega në Viti, ka shkelur rregullat e Kodit të Procedurës Penale duke e përballur një grua me burrin e saj i cili ishte arrestuar për dhunë në familje.

KALLXO.com zbuloi se prokuroria kishte kërkuar paraburgimin prej 30 ditësh për të dyshuarin ndërsa për ta zbutur situatën, në gjykatore ishte ftuar viktima e cila në një rast të paprecedent në drejtësi kishte kërkuar që burri i saj të mos burgosej.

Si rrjedhojë e kësaj deklarate të paprecedent, gjykatësi kishte vendosur ta refuzojë kërkesën e prokurorisë për paraburgimin e të dyshuarit duke e liruar atë nga paraburgimi.

Kodi i Procedurës Penale ka paraparë rregulla strikte, ku personat e paautorizuar nuk lejohen të marrin pjesë në seanca të paraburgimit, përfshirë këtu edhe viktimat.

E mosveprimi i institucioneve tona në mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje shumë shpesh ka rezultuar edhe me tragjedi.

Nuk janë të pakta rastet kur si pasojë e neglizhencës së viktimave të dhunës në familje, mos reagimit me kohë të institucioneve tona të drejtësisë, rastet përfunduan me fatalitet.

Gjatë vitit 2019 statistikat tregojnë që 1915 raste të dhunës në familje janë raportuar në Polici, ndërsa 1353 raste tek Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave.

 

Rasti i Diana Kastratit është rasti i fundit për të cilin Gjykatës Kushtetuese ka konstatuar se vrasja e Diana Kastratit ka ardhur si pasojë e mos veprimit të institucioneve të drejtësisë, duke neglizhuar raportimin e dhunës në familje.

Rast tjetër i dhunës në familje i cili ka përfunduar me fatalitet është edhe rasti  Valbona Ndrecajt.

Valbona Ndrecaj së bashku me vajzën e saj në mbrëmjen e 7 gushtit 2018, ishin qëlluar për vdekje nga kryefamiljari Pjetër Ndrecaj

Pjetër Ndrecaj në nëntor të vitit të kaluar ishte dënuar me 24 vjet burgim nga Gjykata e Gjakovës, ndërsa dy muaj më vonë atij i ishin shtuar edhe një vit e tetë muaj për rrahjen e ish-bashkëshortes së tij, Valbona Ndrecaj.

Lidhur me këtë rast ishin ngjallur dyshime për mos trajtimin e duhur të rastit nga ana e Policisë.

Inspektorati Policor i Kosovës me 17 janar 2019 kishte ushtruar kallëzim penal kundër tre zyrtarëve policor.

Prokuroria fillimisht dyshonte se tre policët, në muajin qershor të vitit 2018 kishin keqpërdorur detyrën zyrtare gjatë trajtimit të këtij rasti. Mirëpo disa muaj më pas Prokuroria e Gjakovës ka pushuar hetimet ndaj tre zyrtarëve policorë të dyshuar për veprën penale –  keqpërdorim i detyrës zyrtare, me arsyetimin se nga dëshmitë e dëshmitarëve dhe nga provat materiale nuk është arritur të provohet se të pandehurit e kanë kryer veprën penale për të cilën dyshoheshin.

Dështimi i institucioneve të drejtësisë për ta mbrojtur viktimën e dhunës në familje

  • Faktet dhe rrethanat që quan në vdekjen e Diana Kastratit

Me 2 shkurt të vitit 2000, tashmë e ndjera Diana Kastrati bashkë me ish-partnerin e saj vendosën që të themelojnë bashkësinë jashtëmartesore.

Tri vite më pas atyre u kishte lindur një vajzë.

Ndërsa pas 10 viteve bashkëjetesë, me 17 janar të vitit 2011, Diana Kastrati paraqiti padi për shkëputjen e bashkësisë jashtëmartesore me partnerin, për shkak të çrregullimit të marrëdhënieve në mes tyre.

Pas paraqitjes së padisë, Diana Kastrati e mori vajzën e saj dhe së bashku me të shkuan te prindërit e saj për të jetuar.

Me 26 prill 2011, Diana me një parashtresë drejtuar Gjykatës Komunale në Prishtinë, e bëri precizimin e padisë së 17 janarit të vitit 2011, ashtu që, atëbotë, kërkoi që objekt i shqyrtimit të jetë vetëm çështja e besimit në ruajtje, ushqim dhe shkollim të vajzës së tyre.

Ndërsa si pasojë e kërcënimeve të vazhdueshme nga ish bashkëshorti në drejtim të saj dhe në drejtim të vajzës së tyre, Diana me 26 prill 2011,  pranë Gjykatës Komunale në Prishtinë paraqiti kërkesë për lëshimin e urdhrit për mbrojtje emergjente.

Tri javë më vonë, me 18 maj 2011, Diana Kastrati vdiq nga plagët e marra me armë zjarri të shkrepura nga ish-partneri i saj.

 

  • Vendimi i Gjykatës Kushtetuese: Vrasja e Diana Kastratit erdhi si pasojë e mos veprimit të institucioneve të drejtësisë

Pas pothuajse një viti pas vdekjes së vajzës së tyre, me 17 prill të vitit 2012, Gëzim e Makfire Kastrati ju drejtuan Gjykatës Kushtetuese me pretendimin se Gjykata Komunale në Prishtinë, me mos veprim ndaj trajtimit të rastit të vajzës së tyre Diana Kastrati, kishte bërë shkelje të nenit 25, 31, 32 dhe 54 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës si dhe nenit 2 dhe 3 të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut, nene këto që përfshijnë të drejtën për jetë, të drejtën për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, të drejtën për mjete juridike, mbrojtje gjyqësore të të drejtave si dhe parimin që gjithkush ka të drejtë të jetoj, të jetë i lirë, dhe të ketë sigurim vetjak.

Pas trajtimit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese gjeti se vrasja e Diana Kastratit erdhi si pasojë e mos veprimit të institucioneve të drejtësisë dhe neglizhimit të raportimit të dhunës në familje.

Në vendimin e saj, Gjykata Kushtetuese ka gjetur se autoriteti përgjegjës, në këtë rast Gjykata Komunale në Prishtinë, është dashur të dijë për rrezikun real që ka ekzistuar me rastin e dorëzimit të kërkesës për lëshim të urdhrit për mbrojtje emergjente, pasi që viktima Diana Kastrati në mënyrë kronologjike kishe shpjeguar në Polici për përkeqësimin e marrëdhënieve ndërmjet saj dhe partnerit, duke specifikuar edhe kërcënimet me vdekje nga ish-partneri dhe duke ofruar dëshmi për raportimin paraprak në organet policore për kërcënimet e pranuara.

Për më tepër, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese thuhet se Gjykata Komunale në Prishtinë, paraprakisht, veç kishte trajtuar një lëndë të iniciuar nga Diana Kastrati për shkëputjen e bashkësisë jashtëmartesore dhe për caktimin e kujdestarisë së fëmijës së të ndjerës dhe ish-partnerit të saj, kur edhe kishte filluar shfaqja e problemeve serioze ndërmjet tyre dhe që më vonë, kishte rezultuar me kërcënime të ndryshme.

Në këto rrethana, Gjykata Kushtetuese pas trajtimit të kërkesës së prindërve të Dianës, ka arritur në përfundim se Gjykata Komunale në Prishtinë ka qenë përgjegjëse për ndërmarrjen e veprimeve të parashikuara me Ligjin për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje, dhe se mosveprimi i saj paraqet shkelje të detyrimeve kushtetuese që rrjedhin nga neni 25 i Kushtetutës së Kosovës dhe nenit 2 të Konventës Evropiane për të drejtat e njeriut, që përcaktojnë të drejtën për jetë.

Gjykata Kushtetuese po ashtu konstatoi se mosveprimi i Gjykatës Komunale në Prishtine në kërkesën e së ndjerës për lëshimin e urdhrit për mbrojtje emergjente, si dhe praktika e zhvilluar nga KGJK-ja për adresimin e mosveprimit të gjykatave të rregullta, atëherë kur duhet të veprojnë, ka penguar viktimën dhe parashtruesit e kërkesës në realizimin e të drejtave të tyre për mjete efektive juridike, të parapara me nenet 32 dhe 54 të Kushtetutës dhe nenin 13 të KEDNJ-së, që përcaktojnë të drejtën e ushtrimit të mjeteve juridike dhe të drejtën që çdo kush të gëzoj mbrojtje gjyqësore në rast të shkeljes ose mohimit të ndonjë të drejte të garantuar me këtë Kushtetutë ose me ligj, si dhe të drejtën në mjete efektive ligjore nëse konstatohet se një e drejtë e tillë është shkelur.

 

  • Vendimi i Gjykatës së Prizrenit: Prindërve të Diana Kastratit, shteti t’u paguajë 95 mijë euro

Pas vendimit të Kushtetueses, Gëzim e Makfire Kastrati, në nëntor të 2013-ës i paditën Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Gjykatën Themelore të Prishtinës si dhe Republikën e Kosovës nga të cilët kërkuan kompensim të dëmit jo material,  të cilin e kanë përjetuar me rastin e vrasjes së vajzës së tyre Diana Kastrati.

Në padinë për kompensim të dëmit thuhej se paditësit/prindërit e Dianës kanë pësuar vuajtje të thellë shpirtërore, frikë dhe pasiguri, si dhe të njëjtit vazhdojnë të jetojnë me dhimbje dhe vuajtje të thellë nga dështimi i autoriteteve publike, përkatësisht të paditurve për të mbrojtur të drejtën në jetë të bijës së tyre dhe të drejtave të paditësve si palë e dëmtuar.

Pas 8 vjet, një muaj e 16 ditë që nga vrasja mizore e Diana Kastratit, Gjykata e Prizrenit mori vendim që prindërve të Dianës, Gëzim e Makfire Kastrati, t’u kompensohej dëmi për vuajtjen që kanë përjetuar me rastin e humbjes së vajzës së tyre.

Me 95 mijë euro Gjykata e Prizrenit e vlerësoi vuajtjen/dhimbjen shpirtërore që i është shkaktuar prindërve të Dianës me rastin e vrasjes së vajzës së tyre, të holla këto të cilat Republika e Kosovës me anë të këtij vendimi është e detyruar t’ia paguajë Gëzim e Makfire Kastratit.

Gjykata e Prizrenit vlerësoi se me rastin e vrasjes së Diana Kastratit, vrasje e cila sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese erdhi si pasojë e mos veprimit të institucioneve të drejtësisë, prindërve të Dianës u është shkaktuar vuajtje e dhimbje shpirtërore.

“Gjykata duke vepruar në bazë të nenit 53 të Kushtetutës së Kosovës dhe në frymë të praktikës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut gjeti se përgjegjëse për të drejtat e shkelura e të cilat janë të kategorisë Kushtetuese të cilat janë faktuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, është përgjegjës Republika e Kosovës”, thuhet në aktgjykimin e Gjykatës së Prizrenit.

Ndonëse prindërit e Dianës kërkuan kompensim në vlerë prej 600 mijë eurove, pas vlerësimit të të gjitha provave të administruara dhe fakteve të vërtetuara, Gjykatës së Prizrenit i rezultoi se kërkesëpadia e paditësve përtej shumës së aprovuar prej 95 mijë eurove është kërkesë e pa bazë, pasi që Gjykata pas çmuarjes së lirë vlerësoi se shumat e gjykuara janë të përshtatshme në përputhje me standardin jetësor në Republikën e Kosovës dhe praktikën gjyqësore.

Po ashtu Gjykata me anë të këtij vendimi e ka obliguar Republikën e Kosovës që në emër të shpenzimeve procedurale t’i paguaj shumën e përgjithshme prej 1488 eurove.

Lidhur me kërkesëpadinë ndaj Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Gjykata e Prizrenit e ka konsideruar si të pabazuar ndërsa ndaj Gjykatës Themelore të Prishtinës si të tërhequr.

Pak ditë pasi që Gjykata e Prizrenit vendosi që familjes së Diana Kastratit shteti i Kosovës detyrohet t’ia paguajë shumën prej 95 mijë eurove, një vendim të tillë e kundërshtoi Avokatura e Shtetit.

Në ankesën e ushtruar në Gjykatën e Apelit e cila ende ka mbetur e patrajtuar, Avokatura Shtetërore pretendon se Gjykata e Prizrenit gjatë marrjes së vendimit gabimisht e ka vënë përgjegjës shtetin e Kosovës.

Sipas ankesës së ushtruar nga Avokatura Shtetërore, të cilën e ka siguruar KALLXO.com nënkuptohet se përgjegjës për kompensimin e dëmit do të duhej të konsiderohej Këshilli Gjyqësor i Kosovës e jo shteti.

Në këtë ankesë, Avokatura Shtetërore nuk e ka kontestuar bazën ligjore të kërkesëpadisë por ka pretenduar se pasi që në këtë çështje juridike është konstatuar se dëmi është shkaktuar si pasojë e mosveprimit të Gjykatës së Prishtinës dhe meqë komisioni për kompensimin e dëmit për personat e dënuar ose të arrestuar pa arsye funksionon në kuadër të KGjK-së e po ashtu pasi që pushtetet në Kosovë janë të ndara, në këtë rast shteti i Kosovës nuk do të duhej të vihej përgjegjës për kompensimin e këtij dëmi pasi që nuk është drejtpërdrejtë përgjegjës për inspektim apo administrim gjyqësor.

Duke u bazuar mbi këto arsye, Gjykatës së Apelit i është kërkuar që ta prishë vendimin e Gjykatës së Prizrenit dhe ta refuzojë padinë sa i përket shtetit të Kosovës

  • Si e vlerësojnë njohësit e fushës trajtimin institucional të rasteve të dhunës në familje

KALLXO.com ka kontaktuar disa njohës të fushës, jurist, avokat e përfaqësues të shoqërisë civile, për të marrë mendimin e tyre lidhur me mënyrën e trajtimit të rasteve të dhunës në familje nga institucionet e drejtësisë në Kosovë.

Shumica prej tyre shprehen shqetësim sa i përket mënyrës së trajtimit të këtyre rasteve nga ana e institucioneve tona.

Sipas tyre institucionet tona po dështojnë në ofrimin e mbrojtjes e sigurisë për viktimat të cilat raportojnë për rastet e dhunës në familje.

Një ndër faktorët dekurajues për raportimin e rasteve të dhunës në familje u tha të jetë edhe varësia ekonomike e grave të cilat në shumicën e rasteve janë të varura ekonomikisht nga bashkëshortët e tyre.

Ndër këto probleme u përmendën procedurat e stërzgjatura nëpër Gjykata, vonesat që bëhen në trajtimin e këtyre rasteve e në anën tjetër ndëshkimet e buta për ushtruesit e dhunës, për çka u tha se ndikojnë edhe më tepër në dekurajimin e viktimave të dhunës në familje të cilat edhe ashtu janë të pakta në numër që marrin guximin për t’i raportuar këto raste. Si problem tjetër i cili u konsiderua se po ndikon negativisht në prishjen e zigjirit të hallkës së drejtësisë u tha të jetë mungesa e mekanizmit të kontrollimit të respektimit të vendimeve të Gjykatës, siç është mungesa e mbikëqyrjes së respektimit të urdhrit mbrojtës.

Sipas Ish-deputetit, avokatit Korab Sejdiu, i cili njëherësh e ka trajtuar më për së afërmi rastin e Diana Kastratit, institucioneve tona të drejtësisë u duhet më shumë punë në mënyrë që i tërë zingjiri institucional që merret me trajtimin e rasteve të dhunës në familje të përmirësohet.

“Është më se e kuptueshme që mbrojtja nga dhuna në familje përfshinë disa hallka të drejtësisë, përfshirë këtu policinë, prokurorinë, gjyqësorin, institucionet e mirëqenies sociale, e kështu me radhë. Rrjedhimisht, edhe mundësia që të ketë lëshime është edhe më e madhe, prandaj duhet të punohet më shumë që i tërë zingjiri institucional që trajton dhunën në familje të përmirësohet, pa pasur ndonjë hallkë të dobët”, deklaroi për KALLXO.com, Korab Sejdiu.

Sejdiu tha se ka përmirësim në mënyrën se si trajtohen rastet e dhunës në familje. Por që kjo nuk do të thotë se trajtimi është në nivelin e duhur dhe se edhe shumë punë mbeten për tu bërë me qëllim që të parandalohen këto raste, e veçanërisht në ngritjen e vetëdijes së përgjithshme qytetare kundër dhunës në familje, duke përmendur faktin se investimi në vetëdijesim duhet të behët që nga nivelet e shkollimit parashkollor dhe fillor.

I pyetur nëse e sheh rrezikun e përsëritjes së ndonjë rasti të ngjashëm me atë të Diana Kastratit, avokati Korab Sejdiu është shprehur se ndonëse shihet përmirësim në trajtimin e këtyre rasteve nga ana e institucioneve ende jemi shumë larg nga niveli i duhur e që deri atëherë ka rrezik të ri përsëritjes së rasteve të tilla.

”Në fakt, përveç rastit të Diana Kastratit, ne kemi pa që ka pas edhe raste të tjera të mëvonshme të dhunës në familje që kanë përfunduar me vrasjen e viktimës apo edhe lëndime të rënda.  Dhe faktet kanë treguar se vdekja dhe lëndimi nuk ka qenë vetëm rezultat i veprimeve makabër të agresorit, por edhe si rezultat i dështimeve të organeve të rendit dhe drejtësisë për të adresuar në mënyrën e duhur rastet në fjalë… edhe pse kemi avancuar në atë se si i trajtojmë institucionalisht rastet e dhunës në familje, ende mbetemi shumë larg nga caku i synuar.  Dhe deri sa të arrijmë në atë nivel, fatkeqësisht, rastet e tilla do të vazhdojnë të ndodhin”, ka deklaruar Korab Sejdiu.

Ndërsa Anton Nrecaj nga organizata ‘CLARD’, si përgjegjës për fenomenin e dhunës në familje i ka gjetur institucionet e drejtësisë, për mos shqiptimin e dënimeve të ashpra ndaj kryesve të dhunës.

Nrecaj tha për KALLXO.com se gjatë trajtimit të rasteve të dhunës në familje, ka vërejtur një fenomen shqetësues për sistemin e drejtësisë por dhe inkurajues për ushtruesit e dhunës në familje. Sipas Nrecaj, shqetësimi më i madh është se në të shumtën e rasteve të dhunës në familje, ushtruesit e dhunës me vetëdije të plotë për pasojat jo të renda ligjore, e në mungesë të masave më të ashpra ligjore ndaj tyre si dhe duke pasur parasysh mungesën e përkrahjes së pamjaftueshme të viktimave nga institucionet shtetërore, ushtruesit e dhunës po trimërohen për faktin se viktimat përpos që nuk po kanë siguri juridike nuk po kanë as siguri socio ekonomike.

E duke e ditur këtë fakt sipas Nrecajt, dhunuesit në vazhdimësi po ushtrojnë dhunë për faktin se shumica e viktimave nuk kanë qëndrueshmëri financiare, pra janë të varur ekonomikisht nga dhunuesi. Për çka konsiderohet si shkaku kryesor i rritjes së rasteve të dhunës ne familje.

Rritjen e numrit të rasteve të dhunës në familje, Nrecaj e lidhi edhe me sigurinë juridike dhe sociale të viktimave të dhunës ne familje e në veçanti të grave për të cilat tha se vazhdimisht po janë viktimë e efektit “domino”, duke u viktimizuar edhe në proceset e tjera gjyqësore, si ato të shkurorëzimit, ndarjes së pasurisë së përbashkët në martesë, mirëmbajtjes financiare e besimit të fëmijëve.

Madje Nrecaj rekomandon edhe rishikim të kornizës ligjore, me qëllim të evitimit të efektit “domino”, dhe krijimit të sigurisë juridike për vikamat e dhunës në familje.

Edhe avokatja Leonora Dervishaj-Pacolli tha se faktor që po ndikon në rritjen e numrit të rasteve të dhunës në familje është edhe varshmëria  ekonomike e grave, kurse sa i përket përfaqësimit të tyre nëpër Gjykata, sipas avokates institucionet të cilat merren me ofrimin e ndihmave juridike falas, janë larg standardit të ofrimit të një mbrojtjeje efikase.

“Institucionet e vendit duhet t’i ashpërsojnë sanksionet penale ndaj kryesve të dhunës. Ndikojnë shumë faktorë që ndikojnë në rritjen e dhunës në familje, dhe në këtë aspekt më e rëndësishmja është pamundësia financiare e grave, të cilat i nënshtrohen dhunës në familje. Zakonisht, viktimat e dhunës në familje janë të varura për shkak të pozitës financiare nga ushtruesi i dhunës, dhe ato nuk kanë mundësi financiare të angazhojnë avokat privat qe t’i mbrojnë ato. Ndërsa, institucionet që merren më ofrimin e ndihmës juridike falas janë larg standardeve profesionale për të organizuar mbrojtje efektive”, deklaroi avokatja Leonora Dervishaj-Pacolli.

Avokatja Merita Stublla-Emini tha se trajtimi institucional i dhunës në familje në Kosovë ka përmirësime por që sipas saj, pengesat janë ende evidente. Avokatja konsideron se institucionet e thirrura për mbrojtjen e të drejtave të garantuara me Kushtetutë, kanë mangësi objektive/ligjore (mungesë të akteve nënligjore, rregullave, procedurave për të trajtuar viktimën në momentin fillestar dhe përgjatë procedurës), si dhe subjektive/faktori njeri (mungesë të kapaciteteve njerëzore në institucionet përgjegjëse për të trajtuar viktimën në rastin e dhunës në familje).

“Sistemi i drejtësisë funksionon në aspektin figurativ si trekëndësh i mbyllur në mes të akterëve si Policia, Prokuroria, dhe Gjyqësori. Hapja e secilit kënd të këtij trekëndësh e dobëson funksionalitetin e sistemit duke i dobësuar mekanizmat parandalues dhe ndëshkues, pengon ngritjen e vetëdijes qytetare, ndërsa efekti dhe pasojat më të mëdha bien mbi viktimën, duke i mundësuar ushtruesit të dhunës që pa ose me ndëshkim të vogël, të e tejkaloj veprën duke i lënë shije të mirë dhe mundësi reale që dhunën ta përsëris prapë”, deklaroi për KALLXO.com, avokatja Stublla-Emini.

Avokatja Merita Stublla-Emini ngriti shqetësim edhe lidhur me trajtimin e viktimave të dhunës në familje përgjatë intervistimit të tyre në Polici.

“Në Kosovë mangësitë në hallkat institucionale vërehen që nga denoncimi i ushtruesit të dhunës në polici, kur viktima ballafaqohet me institucione të cilat janë të thirrura për mbrojtjen e saj, por përballë saj gjenden një grumbull i njerëzve (zyrtarë policor) të cilët hyjnë dhe dalin nga dhoma ku viktima e jep deklaratën e parë. Mënyra e marrjes në pyetje nga ana e hetuesisë dhe policisë në shumë raste e dekurajon viktimën duke e vënë në pozitë të mohimit të ndjenjave të veta dhe përjetimeve të cilat i ka pësuar gjatë dhunës së ushtruar. Situata është edhe më e komplikuar atëherë kur ushtrues të dhunës janë fytyra publike ose njerëz me ndikim që mund të ndikojnë në vendosjen përfundimtare të çështjes. Lidhja gjatë gjithë kohës me telefon e zyrtarit policor me prokurorin kujdestar dhe hyrje-daljet e njerëzve nga dhoma ku viktima është duke dhënë deklaratën, te e/i njëjta/i krijon dyshime mbi autoritetin e institucionit (edhe pse viktima e di që ajo është e vetmja derë shpëtimtare), dhe në të njëjtën kohë viktima nuk ka siguri të plotë nëse procedurat në rastin e saj/tij po krijohen vetëm për të, apo ligji i trajton të gjithë në mënyrë të barabartë”, ka deklaruar avokatja.

Ajo si problematike i cilësoi rastet kur ushtruesi i dhunës dhe viktima gjenden në një shtëpi, dhe prokurorët e rastit i lirojnë ushtruesit e dhunës në procedura të rregullta apo të njëjtëve u caktojnë masën e arrestit shtëpiak.

“Në shumicën e rasteve Prokuroria për ushtruesin e dhunës kërkon arrest shtëpiak ose e liron atë në procedurë të rregullt. Në të dyja rastet,  kjo çështje është problematike për faktin që ndodh që ushtruesi i dhunës dhe viktima mund të gjenden përsëri nën të njëjtin kulm dhe/ose lirimi i ushtruesit të dhunës mund të e vë në rrezik përsëri viktimën që të përjetoj dhunën. Situatat ndërlikohen edhe më shumë kur viktima ka edhe fëmijë të cilët dhunën ndaj nënës e përjetojnë si dhunë për vete por në anën tjetër kanë një baba i cili i mbështetë ekonomikisht. Prandaj, shumë shpesh gjenden para situatës që përpos përjetimit të dhunës të ballafaqohen me presionin familjar dhe të fëmijëve duke e dekurajuar atë që të mbroj interesat e veta”, tha më tej avokatja.

Avokatja Stublla-Emini tha se lëshimi i urdhrit mbrojtës nga Gjykata është hapi i parë në mbrojtje të viktimës së dhunës në familje por që sipas saj, mungesa e mbikëqyrjes së respektimit të një urdhri të tillë mund të shkaktoj pasoja të rënda për viktimën që mund të qojnë në fatalitet.

“Në të gjitha rastet në të cilat unë kam përfaqësuar viktimën është caktuar urdhër mbrojtja. Megjithatë, caktimi i urdhër mbrojtjes është vetëm hapi i parë në mbrojtje të viktimave dhe jo mbrojtja. Mungesa e mbikëqyrjes së respektimit të urdhër mbrojtjes krijon mundësi reale që edhe me urdhër mbrojtjen e caktuar të tejkalohen limitet e definuara me Aktvendim, madje edhe nën këtë masë të vritet viktima siç ka ndodhur në rastin e Valbona Ndrecaj. Institucionet shtetërore duhet të krijojnë mekanizma që të sigurojnë zbatimin e vendimeve të Gjykatës për mbrojtjen e viktimave”, deklaroi avokatja.

Erza Kurti nga Rrjeti i Grave të Kosovës, arsyen e shpeshtimit të këtyre rasteve e mos trajtimin e duhur nga sistemi i drejtësisë e lidh me mentalitetin patriarkal që ekziston në Kosovë.

“Këtu nuk ka faj vetëm Policia por edhe Prokuroria që nuk ka marrë masa më tutje. Kjo ka një shpjegim, të cilin e kemi përmendur disa herë, mentalitetin patriarkal të cilën e kanë disa policë, gjyqtarë, prokurorë, mbrojtës të viktimave, e shfaqin edhe tek institucioni ku punojnë. Kjo gjë vërehet kur arsyetohen rastet e dhunës, për shkak se e paska merituar X personi. Secili prej tyre duhet të jetë i vetëdijshëm që nuk janë aty për t’i dhënë mendimet e tyre personale, por për t’i zgjidhur rastet konfrom dispozitave ligjore, dhe duke mbrojtur personat që përjetojnë dhunë në familje për të mos arritur deri tek vrasja e tyre”, ka deklaruar ajo.

Sipas Kurtit, hapi i parë që duhet të bëjnë institucionet është vigjilenca më e madhe në parandalimin e dhunës. Sipas saj përpos lëshimit të urdhrave mbrojtës, institucionet duhet që ta zgjidhin edhe çështjen e banimit për personat që kanë përjetuar dhunë në familje, në mënyrë që të njëjtit të mos jetojnë në të njëjtën shtëpi me kryesin e dhunës, duke shtuar këtu edhe qasjen e psikologëve për secilën palë dhe kujdesin e shtuar e të veçantë ndaj fëmijëve që janë dëshmitarë të dhunës në familje.

Ndërsa avokatja Albana Kelmendi tha se vendimet e Gjykatave lidhur me rastet e dhunës në familje janë të pa arsyetuara.

“Vendimet e Gjykatës së shkallës së parë qofshin ato në procedurë penale apo edhe civile ku vendosen masat mbrojtëse janë të paarsyetuara e në veçanti kur kemi të bëjmë më trajtimin e dhunës psikike dhe dhunës fizike mjafton vetëm të ketë një raport mjekësor pa ndonjë ekspertizë tjetër mjeko-ligjore, Gjykatat caktojnë paraburgim ose caktojnë masat tjera mbrojtëse. Gjykata e Apelit fatkeqësisht i aprovon këto vendime pa i trajtuar fare”, tha avokatja Kelmendi.

Fehmije Bytyqi, avokate nga Prishtina, Policinë e konsideroi si hallkën e drejtësisë që po çalon më së tepërmi në trajtimin e këtyre rasteve.

“Mendoj që segmenti më i dobët i sistemit lidhur me dhunën në familje mbetet Policia sepse ata duhet të veprojnë me seriozisht në parandalimin e kësaj dhune. Besoj që tragjeditë që ju kanë ndodhur këtyre familjeve që kanë humbur të dashurit kanë ngritur vigjilencën e të tjerëve se si duhet të veprohet. Rasti i Diana Kastratit është më i rëndi dhe ka rrezik që modelin e tillë ta përcjellin edhe të tjerët mirëpo duhet që institucionet relevante të ngritin vetëdijen në trajtimin e këtyre rasteve”, ka deklaruar avokatja Fehmije Gashi-Bytyqi.

Ndërsa nga të dhënat e siguruara nga Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave kemi kuptuar se gjatë vitit 2019, mbrojtësit e viktimave kanë përfaqësuar gjithsej 1567 raste, nga të cilat, 1353 prej tyre kanë qenë raste të dhunës në familje.

 

*KALLXO.com ka dërguar kërkesë edhe tek Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Gjykata e Prishtinës, prej të cilëve kemi kërkuar të dhëna statistikore lidhur me trajtimin e rasteve të dhunës në familje nga Gjykatat e vendit, por të njëjtin nuk i janë përgjigjur përmes email-it kërkesës tonë, ndërsa përmes telefonit na kanë thënë që ndonëse ekziston një data bazë për regjistrimin e rasteve të tilla, zyrtarët e Gjykatave nuk e kryejnë këtë obligim.

Kjo nuk është hera e parë që kur nga Gjykatat tona kërkohen të dhëna lidhur me trajtimin e rasteve të ndryshme e sidomos të atyre të dhunës në familje apo rreth rasteve të grave që kërkojnë të drejtën e tyre në pronë, mbetemi pa një përgjigje, e e gjithë kjo për shkak se Gjykatat tona nuk i kanë të klasifikuara në databaza këto raste.

Mungesa e një klasifikimi të tillë të këtyre rasteve rezulton në mos informim lidhur me trajtimin e këtyre rasteve. Mungesa e data  bazave pamundëson pasjen e një pasqyre të qartë lidhur me vendosjen dhe trajtimin e këtyre rasteve e po ashtu pamundësohet edhe monitorimi i këtyre rasteve nga palët e interesuara.

Ky botim është prodhuar si pjesë e projektit “Mbështetja e medieve dhe gazetarisë për të drejtat e njeriut në Kosovë”, përkrahur nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe realizuar nga Kosovo 2.0, CEL dhe QKSGJ. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e Internews Kosova dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i BE-së,  K2.0, CEL apo QKSGJ.