Familja Kastrati Mirëpret Vendimin e Kushtetueses

Avokati Korab Sejdiu, vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, e ka quajtur vendim historik për jurisprudencën në Kosovë. Ai e ka vlerësuar atë gjithashtu një “zile” të fuqishme për gjyqësorin e Kosovës, ndërsa Gjykatën Kushtetuese e ka quajtur të guximshme për vendimin e sjellë.

“Përgëzojmë Gjykatën Kushtetuese për vullnetin e mirë të treguar në marrjen e këtij aktgjykimi të rëndësishëm për jurisprudencën kushtetuese Kosovare, që njëherësh është rast i parë i këtij lloji në Kosovë. Shpresojmë që ky aktgjykim do të inkurajojë vendimmarrësit e tjerë që të investojnë më shumë se fjalë në përmirësimin e drejtësisë në Kosovë”, tha avokati Sejdiu, në një konferencë me gazetarë, së bashku me babain e të ndjerës, Diana Kastrati.

“Aktgjykimi nuk e kthen Dianën në jetë, mirëpo shpresojmë që të mundë të shpërbejë si përkujtim për atë duke ndihmuar në parandalimin e shkeljeve të tilla në të ardhmen”, theksoi ai.
 
Gëzim Kastrati tha se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese nuk ia kthen vajzën në jetë, mirëpo sado pak zbut dhembjen që e kanë.

“Presim që drejtësia të mos ndalet me kaq, mirëpo të sigurohet që vrasësi i vajzës sonë të sillet para drejtësisë, siç edhe është bërë me sistemin e drejtësisë në këtë rast. Ne po ashtu jemi në pritje që në gjirin tonë të kthehet Anaida, vajza e Dianës, dhe që se paku të mbrohet nga dëmtimi i mëtejmë nga kjo drejtësi jofunksionale”, tha babai i Dianës.

Diana Kastrati u vra më 18 maj të vitit 2011, në rrugë në afërsi të shtëpisë së saj në Prishtinë, nga ish-partneri i saj, me të cilin bashkëjetonte për më shumë se 10 vjet dhe kishin një vajzë, por me të cilin nuk kishte kurorë formale martesore. Tri javë më herët, ajo kishte dorëzuar një kërkesë në Gjykatën Komunale në Prishtine, për urdhër të mbrojtjes emergjente, por gjykata nuk kishte vepruar.

Me iniciativën e prindërve të së ndjerës, më 17 prill 2012, avokati Korab Sejdiu Kushtetueses ia parashtroi kërkesën që kërkonte të deklarojë se dështimi i Gjykatës Komunale në Prishtinë, për të vepruar sipas kërkesës së Dianës, kishte shkelur të drejtat e vajzës së tyre në bazë të Kushtetutës.

“Unë nuk do të ndalem. Do të kërkoj drejtësi për të gjitha shkeljet të cilat janë bërë ndaj marrjes së jetës dhe pambrojtjes së vajzës sime”, tha Gëzim Kastrati, i pyetur nga Gazeta Jeta në Kosovë nëse do të kërkojë dëmshpërblim nga institucionet për mosndërmarrjen e masave për mbrojtjen e Dianës.

Kurse avokati Sejdiu tha se vendimi i Kushtetueses është vetëm një nga komponentet e rastit të vrasjes mizore të Dianës. “Ende është në procedim e sipër çështja penale, pra e ndjekja e vrasësit dhe njëkohësisht ende është edhe çështja e vajzës së Dianës, e cila është lënë në kujdestari të prindërve të vrasësit”, tha avokati Sejdiu, duke thënë se ditët në vazhdim do të vlerësojnë dhe vendosin për hapat në vazhdim.

Rasti i Diana Kastratit u iniciua përmes fushatës “Drejtësia dhe Qytetarët”, përmes Iniciativës Strategjike Gjyqësore.

Në aktgjykimin e publikuar të martën, Gjykata Kushtetuese, vendosi të shpallë të pranueshme kërkesën e parashtruesve të kërkesës, Gëzim dhe Makfire Kastrati. Gjykata ka gjetur se “ka pasur shkelje të së drejtës për jetë, të paraparë me nenin 25 të Kushtetutës dhe me nenin 2 të KEDNJ-së [Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut]”. Kurse, në pikën III thuhet se Gjykata ka gjetur se “ka pasur shkelje të së drejtës për mjete juridike, të paraparë me nenin 32 e me nenin 54 të Kushtetutës dhe me nenin 13 të KEDNJ-së”.
 
Ndërkaq, Gjykata e konsideron “të panevojshëm trajtimin e pretendimit për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, të paraparë me nenin 31 të Kushtetutës dhe me nenin 6 të KEDNJ-së”.

Njëri nga anëtarët e Kolegjit të Kushtetueses që sollën këtë aktgjykim, gjyqtari Robert Carolan, ka shprehur mendim mospajtues lidhur me vendimin.

“Ky është një konkludim i gabueshëm. Urdhri mbrojtës do t’i jepte policisë një vegël shtesë për ta mbajtur vrasësin e D. K.-së larg nga ajo. Po, nuk do të mund të garantonte që ai nuk do ta kryente krimin, gjë që tragjikisht e ka bërë”, ka thënë gjyqtari Carolan.