Skandal në Gjykatën e Gjilanit: Gruaja viktimë e dhunës në familje ballafaqohet me burrin

Një hulumtim i KALLXO.com ka zbardhur se gjatë trajtimit të një rasti në familje, Gjykata e Gjilanit -dega në Viti ka shkelur rregullat e Kodit të Procedurës Penale duke e përballur një grua me burrin e saj i cili ishte arrestuar për dhunë në familje.

V.A. (gruaja) ka marrë lëndime pasi është sulmuar para dy ditësh nga bashkëshotri i saj, një major në FSK.

KALLXO.com zbulon se prokuroria kishte kërkuar paraburgimin prej 30 ditësh për të dyshuarin ndërsa për ta zbutur situatën, në gjykatore ishte ftuar viktima e cila në një rast të paprecedent në drejtësi kishte kërkuar që burri i saj të mos burgosej.

Në procesverbal thuhet edhe se e dëmtuara V. A., bashkëshortja e majorit të FSK-së, A. A., ka kërkuar një masë më të butë për bashkëshortin e saj, ani pse ishte kjo e fundit e cila kishte lajmëruar rastin për dhunë në familje.

Si rrjedhojë e kësaj deklarate të paprecedent, gjykatësi ka vendosur ta refuzojë kërkesën e prokurorisë për parburgimin e majorit duke e liruar atë nga paraburgimi.

KALLXO.com ka kërkuar sqarime nga gjykatësi Nexhat Aliu ndërsa në mesin e përgjigjeve ai ka përmendur se ai ‘nuk mund të bëhet më katolik se Papa, por është aty për të pajtuar familjet’.

“Dëgjo të tregoj, ne nuk e kemi thirrë. E ka pas një seancë përpara për dhunë në familje, ne nuk i kemi dërguar as ftesë ka dashtë me ardh, ka dashtë me prezantu edhe ka prezantu, por ne nuk i kemi dërgu ftesë. Po mirë pse unë po t’pyes diçka: A duhet të bëhemi më katolik se Papa, shembull, ajo është gruaja e tij dhe ne nuk jemi me shkatërru familje, jemi për me u mundu me arritë që ata me qenë bashkë prapë”, ka thënë gjykatësi Aliu për KALLXO.com.

Në shpjegime të tjera gjykatësi ka përsëritiur se e dëmtuara ka kërkuar të hyjë brenda seancës.

“Unë të tregova që nuk e kemi thirrë, ka qëlluar rastësisht, sepse nuk e kemi thirrë. Ka qëlluar aty ka pyetur a bon me hy, bon, ka hy edhe ka thënë se po deklaron atë që ka thënë”, shtoi tutje gjyqtari.

Mirëpo edhe përkundër deklaratave të gjykatësit, Kodi i Procedurës Penale ka paraparë rregulla strikte ku personat e paautorizuar nuk lejohen të marrin pjesë në seancë të paraburgimit, përfshirë edhe viktimat.

KALLXO.com gjatë ditës së djeshme raportoi se një major i Forcës së Sigurisë së Kosovës po dyshohet për sulm e kërcënim ndaj familjes së tij.

Prokuroria  në Gjilan kishte kërkuar masën e paraburgimit për 30 ditë ndaj të dyshuarit A. A.

Majori i FSK-së dyshohet se rrahu gruan e fëmijët

Sipas kërkesës për paraburgim, majori i FSK-së dyshohet se deri para disa dite në vazhdimësi kishte ushtruar dhunë në familje ndaj gruas dhe dy djemve të tij në Viti.

Gjithashtu, ai dyshohet edhe për kërcënim dhe keqtrajtim duke iu shkaktuar lëndime e frikë gruas e djemve të tij.

Gjithmonë sipas prokurorisë,  më datë 1 dhjetor të këtij muaji rreth orës 17:15, A. A kishte rrahur e lënduar gruan e tij V.A. për motive xhelozie.I dyshuari i kishte marrë telefonin nga dora gruas së tij dhe me të njëjtin e kishte gjuajtur në kokë, duke i shkaktuar qarje të thellë në njërën pjesë të kokës.

Njëri nga djemtë e të dyshuarit duke parë nënën e tij në gjendje të keqe shëndetësore kishte tentuar ta dërgojë për tretman mjekësor por i dyshuari nuk e kishte lejuar e më pas e kishte dërguar vetë në spital.

Sipas kërkesës për paraburgim, i dyshuari rrugës për në spital kishte kërcënuar gruan e tij duke i kërkuar se e njëjta të raportojë se është vetë lënduar në mobilet e shtëpisë.

Majori i FSK-së dyshohet se rrahu gruan e fëmijët