ARKIV - Ilustrim: Nga një protestë kundër dhunës ndaj grave FOTO ARKIV: KALLXO.com

Familja e Diana Kastratit Ende nuk ka Marrë Kompensim

Në një tryezë për të drejtën në kompensim në rast të shkeljeve të të drejtave të njeriut, u tha se familja e Diana Kastratit nuk është kompensuar.

Kushtrim Kaloshi, drejtor i Qendrës për Trajnim dhe Avokim (ATRC) e përmendin rastin e Diana Kastratit si rast të shkeljes së të drejtës për jetë që u përcoll me moskompensimin e familjes nga institucionet.

Diana Kastrati u vra nga bashkëshorti i saj në vitin 2011.

Kaloshi e përmendi edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese më 27 shkurt 2013 që sipas tij konstatoi se “shteti është fajtor për vrasjen e Dianës”.

Mirëpo sipas tij, gjykata nuk i hapi rrugën kompensimit të familjes, por vetëm e shpalli shtetin përgjegjës.

“Nuk u tregua çfarë obligime merr shteti për familjen… Vendimi tha se ajo nuk mund të kompensohej sepse dëmi ishte jo-ekonomik”, tha ai.

Ndonëse ai tregoi se tanimë është ndryshuar ligji dhe “tash e tutje kompensohen edhe dëmet jo-ekonomike me vendim gjykate”, Kaloshi bëri të ditur se ka nevojë për një udhëzim administrativ që t’ua bëjë të qartë viktimave potenciale të shkeljes së të drejtave të njeriut se cilat janë procedurat për të aplikuar për kompensim.

“Edhe qeveria, prokurorët e avokatët do ta kenë më të lehtë ta dinë se cilat janë procedurat, hapat dhe çka duhet bërë me procesin që nga inicimi deri në përfundim”, shtoi ai.

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, tha se vendimi i Gjykatës Kushtetuese në rastin e Diana Kastratit ka pasur më shumë karakter deklarativ.

Ai tha se rastet e shkeljeve të të drejtave të njeriut duhet të përfundojnë gjithmonë me kompensim.

“Nuk ka sistem demokratik në botë, aq më tepër nga vendet e Këshillit të Europës, i cili nuk e përfundon ciklin e vërtetimit të shkeljeve të të drejtave të njeriut me kompensim… Te ne kjo as që është në horizont për momentin”, tha ai.

Jashari shtoi se vonesat e gjyqësorit në gjykimin e rasteve dhe mos-zbatimi i vendimeve të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, të cilat janë të përfshira në Kushtetutë, janë pengesat më të mëdha gjyqësore për të drejtat e njeriut në Kosovë.

Avokati i popullit tha se ka probleme të shumta legjislative si mos-harmonizimi i ligjeve, por deklaroi se ekzistojnë edhe ligje që u mungojnë dispozitat.

Artan Qerkini pjesëtar i Shoqërisë së Avokatëve “Sejdiu dhe Qerkini” dhe avokat i familjes së Diana Kastratit tha se individët duhet të kenë mbrojtje nga shteti edhe pas shkeljeve.

“Nuk ka diskutim se është obligim i shtetit që ta mbrojë individin edhe nga veprimet arbitrare të vetë shtetit”, tha ai.

Qerkini shtoi se viktimat duhet të kompensohen edhe me ligjet në fuqi, ndërsa u pajtua se udhëzimi administrativ “do t’i ndihmonte zbatimit të një ligji të tillë”.