Gëzim Kastrati, babai i Diana Kastratit. Foto: Kallxo.com

VIDEO - Shteti ankohet për kompensimin e familjes së Diana Kastratit

Pak ditë pasi që Gjykata e Prizrenit vendosi që familjes së Diana Kastratit shteti i Kosovës detyrohet t’ia paguajë shumën prej 95 mijë eurove, një vendim të tillë e kundërshtoi Avokatura e Shtetit.

Në ankesën e ushtruar në Gjykatën e Apelit, Avokatura Shtetërore pretendon se Gjykata e Prizrenit gjatë marrjes së vendimit gabimisht e ka vënë përgjegjës shtetin e Kosovës.

Diana Kastrati u vra më 18 maj të vitit 2011, në rrugë në afërsi të shtëpisë së saj në Prishtinë, nga ish-partneri i saj, me të cilin bashkëjetonte për më shumë se 10 vjet. Ata së bashku kishin një vajzë, por nuk kishin kurorë formale martesore.

Tri javë para se të vritej, ajo kishte dorëzuar një kërkesë në Gjykatën Komunale në Prishtinë, për urdhër të mbrojtjes emergjente, por gjykata nuk kishte vepruar.

Sipas ankesës së ushtruar nga Avokatura Shtetërore, të cilën e ka siguruar KALLXO.com nënkuptohet se përgjegjës për kompensimin e dëmit do të duhej të konsiderohej Këshilli Gjyqësor i Kosovës e jo shteti.

Në këtë ankesë, Avokatura Shtetërore nuk e ka kontestuar bazën ligjore të kërkesëpadisë por ka pretenduar se pasi që në këtë çështje juridike është konstatuar se dëmi është shkaktuar si pasojë e mosveprimit të Gjykatës së Prishtinës dhe meqë komisioni për kompensimin e dëmit për personat e dënuar ose të arrestuar pa arsye funksionon në kuadër të KGjK-së e po ashtu pasi që pushtetet në Kosovë janë të ndara, në këtë rast shteti i Kosovës nuk do të duhej të vihej përgjegjës për kompensimin e këtij dëmi pasi që nuk është drejtpërdrejtë përgjegjës për inspektim apo administrim gjyqësor.

Duke u bazuar mbi këto arsye, Gjykatës së Apelit i është kërkuar që ta prishë vendimin e Gjykatës së Prizrenit dhe ta refuzojë padinë sa i përket shtetit të Kosovës.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në Ministrinë e Drejtësisë e cila e menaxhon Avokaturën Shtetërore dhe ka provuar të marrë një përgjigje nga ky institucion, ata nuk janë përgjigjur, ndërsa Gëzim Kastrati, babai i Diana Kastratit, u shpreh i kënaqur me vendimin e Gjykatës së Prizrenit, të cilin tha se nuk do ta apelojë.

“Unë mendoj që vendimi i Gjykatës në Prizren ka marrë një vendim të cilin e ka marrë, duke i analizuar rrethanat edhe konform Gjykatës Kushtetuese më herët që e ka shpallur shtetin fajtor. Unë mendoj që është marrë një vendim për të cilin unë nuk do të ushtroj ankesë ndaj atij vendimi”, deklaroi babai i të ndjerës Diana Kastratit.

Babai i Dianës tha se është i njoftuar për ankesën e ushtruar nga shteti por përkundër kësaj u shpreh se ai dhe nëna e Dianës nuk do të ndalen asnjëherë deri në përfundim të trajtimit të këtij rasti.

“Po jemi të njoftuar që shteti, Avokatura e Shtetit ka ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, duke ju bazuar disa shkeljeve procedurale apo termeve juridike që ata po mundohen që ta prolongojnë ndoshta situatën. Mirëpo në anën tjetër unë si prind dhe shoqja ime si prindër të vajzës Diana Kastratit përkundër ankesave nuk do të ndalemi këtu dhe nuk do ta heshtim këtë situatë deri sa të përfundon në tërësi dhe të shpallët, të vlerësohet dhe paguhet dëmi për të cilin individ të caktuar nuk kanë marrë kurrfarë dënimi deri më tani apo vetë shteti i Kosovës”, ka deklaruar Gëzim Kastrati.

Në rast nevoje, ai tha se çështjen do ta dërgojë për trajtim edhe në nivel ndërkombëtar.

“Kjo çështje do të shkoj lartë e më lartë dhe jo vetëm këtu në shtetin tonë por nëse është nevoja edhe në shtetet evropiane në Gjykatat Evropiane si Strasburgu apo kështu me radhë”, tha babai i Dianës.

Përkundër që tanimë e ndjera Diana Kastrati kishte kërkuar mbrojtje emergjente, Gjykata e atëhershme Komunale e Prishtinës me mosveprim i kishte cenuar këtë të drejtë duke mos i ofruar mbrojtje deri kur kërcënimi u realizua dhe Diana Kastrati u vra, siç u raportua nga ish-partneri i saj.

Ndërsa vetëm pas 8 vjet, një muaj e 16 ditë që nga vrasja mizore e Diana Kastratit, Gjykata e Prizrenit ka marrë vendim që prindërve të Dianës, Gëzim e Makfire Kastrati, t’u kompensohet dëmi për vuajtjen që kanë përjetuar me rastin e humbjes së vajzës së tyre, vrasje e cila besohet se erdhi si rezultat i dështimit të drejtësisë kosovare që të përmbushin detyrimin e tyre ligjor në mbrojtjen të raportueses/viktimës.

Pas ankesës së Avokaturës Shtetërore, rasti momentalisht është në procedurë në Gjykatën e Apelit.

Gjykata e detyron shtetin e Kosovës t’i paguajë 95 mijë euro familjes së Diana Kastratit