Vjosa Osmani, Papa Françesku ne Vatikan, 2023

Çka është Misioni i Posaçëm që e çoi Kosova në Vatikan?

Në shtetin më të vogël në botë, por me fuqi ndër më të mëdhatë, në Vatikan, do të hapet një Mision i Posaçëm i Kosovës.

Hapjen e kësaj “shtëpie diplomatike” e ka dekretuar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, “pas dy vitesh përpjekjesh intensive së bashku me lidershipin e Vatikanit”.

Sidoqoftë, Vatikani akoma nuk e ka njohur Pavarësinë e Kosovës të shpallur më 17 shkurt 2008.

Vënien e themelit të këtij Misioni, presidentja Osmani e ka cilësuar moment historik e i rëndësishëm për Kosovën dhe një kapitull të ri në marrëdhëniet Kosovë-Vatikan.

Vitin e kaluar në një takim zyrtar por me audiencë private me Papa Françeskun, presidentja Osmani kishte thënë që njohja e Kosovës nga Selia e Shenjtë ndikon në fuqizimin e mëtejmë të shtetësisë dhe për integrimin e vendit në strukturat euro-atlantike.

Sa më shumë shtete e njohin shtetësinë e Kosovës, aq më shumë rritet siguria dhe fuqizimi i saj.

Kosova nuk është as anëtare e Bashkimit Europian, as e Këshillit të Europës, Organizatës Botërore të Tregtisë, Organizatës Ndërkombëtare të Policisë Kriminale (INTERPOL), e të tjera.

Por, çfarë është funksioni i këtij “misioni të posaçëm” — togfjalësh që nuk është dëgjuar shpesh në Kosovë?

Sipas Ligjit për shërbimin e jashtëm, misioni i posaçëm është një “mision i përkohshëm, që përfaqëson Republikën e Kosovës në një shtet tjetër ose organizatë ndërkombëtare, me pëlqimin e tyre, për të negociuar ose kryer detyra të posaçme, të cilat janë në interes të Republikës së Kosovës”.

Themelimi, përbërja dhe funksionet e misionit të posaçëm përcaktohen me vendim të presidentit, pas konsultimit me kryeministrin.

Albert Prenkaj, i cili ishte ambasador në Itali, gjithashtu më vonë edhe sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme, thotë që marrëdhëniet Kosovë- Seli e Shenjtë janë në marrëdhënie paradiplomatike që nga shpallja e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, dhe se Misioni i Posaçëm është një hap tutje.

Sipas tij, kjo rregullon hapjen e misioneve speciale mes vendeve që nuk njohin njëri-tjetrin.

Megjithatë, Prenkaj thotë që marrëdhëniet paradiplomatike krejt të veçanta mes Kosovës dhe Selisë së Shenjtë u vendosën që herët, që ishte njohje implicite e Kosovës nga Vatikani.

“Përgatitjet për thellim të marrëdhënieve janë proces i gjatë mes Selisë së Shenjtë dhe të gjitha qeverive dhe presidentëve paraprakë”- tha ai për Kallxo.com.

Prenkaj thotë që më 17 shkurt 2008, zëdhënësi i Papa Benediktit, atë Lombardi, në deklaratë mes tjerash kishte pranuar gjendjen faktike duke kërkuar dialog, që sipas ish-diplomatit, ishte në një formë njohje implicite e Kosovës nga Selia e Shenjtë.

Ashtu siç e kujton Prenkaj, Vatikani kishte emëruar nuncin në Lubjanë si delegat apostolik që në vitin 2009, ndërsa Kosova po atë vit ka emëruar person përgjegjës në rend të ambasadorit.

Së fundmi presidentja Osmani emëroi këshilltarin e Presidencës, Vehbi Miftarin, si kontakt person për Kosovën.

Ndërkaq, sipas Konventës për Misionet Speciale (nganjëherë e njohur si “Konventa e Nju Jorkut”) që u miratua nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara më 8 dhjetor 1969, Misioni i Posaçëm është një mision i përkohshëm.

Ky mision i përkohshëm reprezenton një shtet, i dërguar nga një shtet në tjetrin me pëlqimin e këtij të fundit, për qëllimin e kryerjes së një detyre apo misioni specifik.

Atëkohë, kjo Konventë ishte miratuar së bashku me një Protokoll Fakultativ në lidhje me Zgjidhjen e Detyrueshme të Mosmarrëveshjeve dhe një rezolutë në lidhje me veprimet civile.

Vatikani është shteti më i vogël i pavarur në botë dhe rezidenca e udhëheqjes shpirtërore të Kishës Katolike Romake.

Hapjen e një zyre të re diplomatike e kishte përmendur ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, në dhjetor të vitit të kaluar. Megjithatë akoma nuk dihet nëse bëhet fjalë për të njëjtën.

“Pa kaluar Viti i Ri do të arrini ta kuptoni që do të kemi një zyrë të re të Republikës së Kosovës në një vend që nuk pritet këto ditë” – tha ajo në një intervistë për KALLXO.com.

KALLXO.com para pak ditësh i ka dërguar pyetje Ministrisë së Punëve të Jashtme nëse bëhet fjalë për Vatikanin, por nuk ka pranuar përgjigjje.