Gjykimi ndaj Haxhi Çekajt - 22.02.2019 - KALLXO

Avokati Haxhi Çekaj njofton Gjykatën se ka probleme shëndetësore, shtyhet seanca e shënjestruar

Dështon edhe njëherë mbajtja e seancës gjyqësore në gjykimin ndaj avokatit Haxhi Çekaj, i cili po akuzohet për mashtrim.

Seanca gjyqësore ndonëse e caktuar për këtë datë, nuk u mbajt për shkak se në sallë të Gjykatës nuk prezantuan avokati Haxhi Çekaj dhe mbrojtësi i tij Besnik Berisha.

E arsyeja e mungesës së të akuzuarit u tha të jetë gjendja e tij e keqe shëndetësore.

“Nuk prezanton i akuzuari Haxhi Çekaj me mbrojtësin e tij Besnik Berisha, i cili përmes email-it zyrtar me datë 19 shkurt 2019 ka njoftuar Gjykatën me shkesë: Se për shkak të gjendjes së përkeqësuar shëndetësore të Haxhi Çekajt, i njëjti nuk do të mund të marrë pjesë në seancës e sotme”, deklaroi kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Valbona Musliu Selimaj.

Për gjendjen shëndetësore të të akuzuarit, mbrojtësi i tij, avokati Besnik Berisha e kishte njoftuar Gjykatën përmes një email-i, me ç’rast kishte deklaruar se ditëve në vazhdim Gjykatës do t`i sjellin edhe dëshmi të cilat vërtetojnë gjendjen shëndetwsore të të akuzuarit.

“Për çdo ndryshim të gjendjes shëndetësore do ta njoftoj Gjykatën që të caktohet seanca e radhës gjyqësore dhe në ndërkohë do të sjellë dëshmi mbi gjendjen shëndetësore të të akuzuarit”, thuhet në njoftimin të cilin përmes email-it avokati Besnik Berisha i ka dërguar Gjykatës.

Por, lidhur me mungesat e shumta përgjatë tërë këtij gjykimi të të akuzuarit si dhe mbrojtësit të tij nuk u pajtua prokurori Sylë Hoxha, ai trupit gjykues i kërkoi që të akuzuarit dhe mbrojtësit të tij t`ua tërheq vërejtjen lidhur me mungesat e shumta të cilat po i bëjnë.

“Të gjithë jemi dëshmitar që ky rast po na prolongohet mjaftë. Kërkojmë nga Gjykata që të ua tërheq vërejtjen të pandehurit dhe mbrojtësit të tij që të kenë konsideratë edhe ndaj Gjykatës por edhe ndaj palëve të tjera në procedurë dhe propozojmë që Gjykata t`i kërkojë raportet mjekësore për gjendjen shëndetësore të të pandehurit për këtë periudhë, për këtë seancë të sotme se ne përveç njoftimit të mbrojtësit të tij nuk kemi ndonjë dokumentacion mbështetës”, deklaroi prokurori special Sylë Hoxha.

Duke pasur parasysh se ky rast është në mesin e rasteve të shënjestruara për liberalizim të vizave, prokuroi Hoxha i kërkoi trupit gjykues që në një afat sa më të shkurtër të caktoj datën për seancën e radhës në mënyrë që të mos prolongohet më tej kjo çështje gjyqësore.

“Po ashtu duke pasur parasysh që është rast i shënjestruar dhe se këto lëndë kanë prioritet si tek ne, si tek kjo Gjykatë. Prandaj kërkojmë që në afatin sa më të shkurtër që do ta ketë Gjykata të caktohet seanca e radhës”, tha prokurori.

Lidhur me mungesën e të akuzuarit dhe me arsyetimin se të njëjtit i është përkeqësuar gjendja shëndetësore, reagime pati edhe nga përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Durim Osmani.

Ai tha se sipas asaj që e ka informuar klientja e tij, Mirjeta Imeraj, ajo pohon se të akuzuarin gjatë ditës së djeshme e ka parë nga distanca teksa po shëtiste në qendër të Deçanit. Madje avokati Durim Osmani shtoi se sipas asaj që vërehet nga shkresat e lëndës lidhur me mungesat e të akuzuarit ndonëse në shumicën e herëve ka deklaruar se është në gjendje jo të mirë shëndetësore ai asnjëherë nuk ka sjellë dëshmi që e kanë vërtetuar gjendjen e tij shëndetësore.

Avokati Osmani i propozoi Gjykatës që nëse është nevoja ndaj të akuzuarit të lëshohet edhe urdhër arrest në mënyrë që të sigurohet prezenca e tij në shqyrtim gjyqësor.

“Sipas të mbrojturës sime i pandehuri e ka gjendjen e mirë shëndetësore dhe më informoi se dje e ka parë nga vetura në qendër të Deçanit, si dhe nga shkresat e lëndës asnjëherë siç duket nuk ka sjellë dëshmi mbi gjendjen shëndetësore sa herë që ka munguar”, deklaroi avokati Durim Osmani.

Në mungesë të kushteve për mbajtjen e seancës gjyqësore, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Valbona Musliu Selimaj datën e mbajtjes së seancës së radhës e caktoi me 25 mars.

Ky proces gjyqësor është duke u gjykuar nga trupi gjykues i përbërë nga gjykatësit Valbona Musliu Selimaj, Naime Krasniqi Jashanica si dhe Vesel Ismajli ndërsa aktakuza përfaqësohet nga prokurori special Sylë Hoxha.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Haxhi Çekaj, në cilësinë e avokatit të të akuzuarit N.B., ndaj të cilit zhvillohet procedura penale në Gjykatën Themelore në Pejë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për veten apo për personin tjetër, ose për t’i shkaktuar dëme materiale personit tjetër, e ka mashtruar në kontinuitet të dëmtuarën Mirjeta Imeraj, nga data 06.01.2015 e deri më datën e arrestimit të tij më 15.02.2017.

Sipas prokurorisë , Çekaj kishte marrë para për mbrojtjen e N.B., babait të të dëmtuarës, në emër të mbrojtjes dhe në emër të ekspertizave, marrjes së një ekspertize nga Turqia, një shumë të përgjithshme prej 43 mijë euro.

Aktakuza sqaron se ish-avokati ka marrë nga e dëmtuara edhe shumën tjetër në emër të trupit gjykues të Gjykatës Themelore në Pejë prej 40 mijë euro, shumë kjo e konfiskuar nga ana e zyrtarëve me rastin e arrestimit të të pandehurit më 15 shkurt.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë proces gjyqësor. Raportimet për këtë rast mund t’i gjeni në këtë link.