Nënshkruhet kontrata për shtrirjen e rrjetit të ngrohjes qendrore në Obiliq

Të mërkurën është nënshkruar kontrata për shtrirjen e rrjetit të sistemit të ngrohjes qendrore në komunën e Obiliqit.

Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Obiliqit, Xhafer Gashi, i cili ka thënë se nënshkrimi i kontratës vjen 6 vjet pasi Kuvendi i Kosovës kishte votuar Ligjin për Obiliqin.

“Sot, bëhen gjashtë vite prej kur Kuvendi i Republikës së Kosovës ka votuar Ligjin për Obiliqin, një ligj i cili ka krijuar mundësi të shumta për qytetarët e Obiliqit, ndaj pikërisht sot kam kënaqësi të ndaj me ju lajmin se kam nënshkruar kontratën për realizimin e projektit ‘Koogjenerimi- Shtrirja e rrjetit të sistemit të ngrohjes qendrore në Obiliq’– ka thënë Gashi.

Po ashtu, Gashi ka bërë të ditur se gurthemeli i projektit do të vendoset të premten me 2 dhjetor.

“Ju ftoj të gjithëve që me datë 02 dhjetor, e premte, nga ora 14:00 në qendër të qytetit të Obiliqit, bashkë të vendosim gurthemelin për realizimin e këtij projekti” – ka shkruar Gashi.