Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Përmbushja e premtimeve nga qeverisja e Xhafer Gashit në sigurinë publike

Kryetari i Obiliqit, Xhafer Gashi, ishte ri-zgjedhur në këtë pozitë në zgjedhjet lokale të vitit 2021, duke premtuar ndër të tjera, edhe ofrimin e sigurisë publike në komunë, përmes shtrirjes së rrjetit të kamerave nëpër gjithë territorin e komunës.

Në “Debat Pernime” gjatë fushatës zgjedhore, Gashi kishte thënë se do të bëjë përpjekje në vazhdimësi që të mbajë bashkëpunimin me institucionet e sigurisë si Policia, KFOR apo FSK-ja, për të garantuar sigurinë.

Obiliqi është komunë multietnike. Përveç shqiptarëve, aty jetojnë edhe romët, ashkalinjtë, egjiptasit, si dhe serbët.

Problemet e mundshme me radikalizmin dhe ekstremizmin kanë bërë që edhe kjo komunë relativisht e vogël në afërsi të kryeqytetit, të ketë vëmendjen paksa më të shtuar kah siguria.

“Ne do të bëjmë përpjekje në vazhdimësi që të mbajmë bashkëpunimin me institucionet e sigurisë, në këtë rast me Policinë, FSK-në, KFOR-in. Gjithashtu do të vazhdojmë më tutje me ndriqimin publik, deri më tash janë mbi 6,700 poqe elektrike që janë në komunën tonë, nga 29 sa kanë qenë”- kishte thënë Gashi në debat.

Burim Gërguri, shef i kabinetit të Xhafer Gashit, thotë se koordinimi është i vazhdueshëm me institucionet qendrore. Por, institucioni më i lartë i sigurisë publike në komunë është Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB).

Sipas Gërgurit, Komuna është duke e përgatitur një draft-strategji.

“Ne jemi duke punuar në draft-strategjinë e ekstremizmit dhe planin e veprimit për tre vitet e ardhshme, e kemi pasur edhe një eksperte të jashtme, të sponsorizuar nga OSBE-ja. Janë mbajtur tre takime gjithsej, i katërti është në proces. Minimumi është 6 takime brenda vitit” – bën të ditur Gërguri.

Në këtë draft-strategji, sipas Gërgurit, bëjnë pjesë të gjithë akterët e sigurisë, duke e përfshirë Policinë e Kosovës dhe akterët tjerë të komuniteteve.

Gjatë debatit zgjedhor, Gashi kishte premtuar se do të synojë që në gjithë territorin e komunës, të vendosen kamera të sigurisë.

“Do të mundohem që në vazhdimësi edhe çështjen e rrjetit të kamerave, që tanimë është funksional në komunën tonë, në një pjesë të madhe të territorit”, kishte premtuar Gashi.

Në lidhje me kamerat e sigurisë, Burim Gërguri për KALLXO.com ka thënë se është një projekt që do të vazhdojë edhe këtë vit.

“Është projekt, do të vazhdojmë edhe këtë vit edhe për një pjesë të lagjeve dhe të qytetit, e të fshatrave. Është po ashtu në fazën e dixhatilizimit të shkollave komplet, që bën pjesë në aspektin e sigurisë. Është në procedurat e tenderimit projekti, në vlerë afro 170 mijë euro ku përfshihen edhe dixhitalizimi i brendshëm, por edhe siguria publike e oborreve dhe hapësirave të jashtme. Megjithëse veç kanë qenë kamerat nëpër institucione, ku është e lejuar me ligj. Mirëpo edhe menaxhimi i jashtëm i hapësirave të jashtme, në bashkëpunim gjithmonë me Policinë dhe komunitetin” – thotë Gërguri.

Ndërsa në lidhje me trajtimin e ekstremizmit, Gërguri bën të ditur se prej që është rizgjedhur Xhafer Gashi kryetar në Obiliq, janë mbajtur disa takime me drejtorë të shkollave të komunës.

Ai thotë se komuna e Obiliqit në vitet e fundit nuk ka pasur asnjë rast të theksuar të ekstremizmit apo radikalizmit.

“Pjesa më e madhe thuajse kanë qenë prej BIRN-it (të organizuar), ka qenë një sërë ligjëratash që janë mbajtë me drejtor të shkollave dhe me zyrtarët komunal. Për fat të mirë, nuk kemi pasur raste të rritjes së dhunës së radikalizmit apo të ekstremizmit, përjashtu një rast të viteve të luftës në Siri. Gjithsesi, që është trajtu. Mirëpo ai rast është pak ma specifik, sepse ka shkuar ndoshta sikur individ dhe është kthy në kuadër të shërbimit të agjencive, ku ta di unë, të agjencive të Kosovës. Mirëpo tjera raste të theksuara nuk kemi pasur, që vlen me u përmend” – thotë Gërguri.

“Në vazhdimësi janë duke u mbajt trajnime me drejtor të shkollave, mësimdhënës dhe me zyrtarë komunalë, që me u parandalu akte të tilla që mos me na ndodhë. Tre takime kanë qenë me drejtor të shkollave dhe një trajnim 6-ditor ka qenë në Kuvendin Komunal”.

Xhafer Gashi kishte premtuar se do të ketë psikologë nëpër të gjitha shkollat. Por shefi i kabintetit të tij, Burim Gërguri thotë se aktualisht kanë mungesë të tyre, por që sipas tij, drejtoria e Arsimit është duke punuar që të fillojë viti shkollor me piskolog nëpër gjitha shkollat.

“Këtë vit drejtoria e Arsimit është duke i bo përgaditjet, e di që tash jemi në fazë ne përgaditjes së buxhetit për 2023 dhe parashikimet për 2024 – 2025. Jemi duke bo përpjekje të jashtëzakonshme që së paku këtë vit me fillu me shërbimet e psikologëve nëpër shkolla. Minimumi me ato që kanë nevojë, po flas për me trajtu edhe shkollat e mesme edhe shkollat fillore. Ministria e Arsimit ka premtu diçka, mirëpo këtë vit kanë ngec”- bën të ditur Gërguri.

Në ndërkohë, drejtoresha e gjimnazit “17 shkurti” në Obiliq, Besa Gashi – Dvorani, për KALLXO.com ka thënë se gjatë këtij viti në këtë shkollë janë mbajtur seanca me psikologen e shkollës, tek nxënësit që janë vërejtur se kanë shqetësime psiqike dhe sipas saj, kanë rezultuar të suksesshme.

Ndërsa gjithashtu, në prill të këtij viti është mbajtur një ligjeratë e organizuar nga Stacioni Policor i Obiliqit, me temat ‘Parandalimi i ngacmimeve seksuale’ dhe masat ndëshkimore ligjore ndaj tyre.

“Gjithashtu në kuadër të fushatës vetëdijësuese kundër dhunës me bazë gjinore, mbështetur nga OSBE në bashkëpunim me komunën e Obiliqit është organizuar një tryezë me nxënësit e shkollave të mesme dhe kanë qenë të përfshirë edhe nxënës të Gjimnazit 17 Shkurti” – ka thënë Gashi – Dvorani për KALLXO.com.

Ajo thotë se bashkëpunimi i gjimnazit me prindër, policinë, komunitetin dhe informatat e shpejta që japin kujdestarët e klasave për secilin nxënës, ka mundësuar sipas saj, që në gjimnaz të krijohet një klimë pozitive për zhvillimin e procesit mësimor larg dukurive negative si alkooli, drogat, apo radikalizmi dhe ekstremizmi.