Fakte të Shpejta për Pejën

Kryetari i komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka dalë para Jeta Xharrës dhe asamblistëve komunalë për të dhënë llogari për punën e bërë dhe të pabërë gjatë dy viteve në krye të komunës.

Dy vjet më parë, në debate dhe tubime parazgjedhore, Muhaxheri nuk ndalej së premtuari në përpjekje për t’i bindur votuesit që t’ia kthejnë shpinën Ali Berishës së AAK-së për ta mbështetur atë në tentimin e dytë për t’u bërë kryetar.

Herën e parë, në vitin 2007, Muhaxheri që kandidonte për partinë ORA, kishte humbur garën në balotazh pikërisht nga Ali Berisha.

Këto janë disa nga faktet për komunën e Pejës:

1. Në Komunën e Pejës në vitin 2015 nuk ka ndodhur asnjë vrasje. Ndërsa në vitin 2014 kanë ndodhur më së paku 4 vrasje, dy në mes të qytetit.

2.Muhaxheri kishte premtuar 1.5 milion euro investime në trevën e Rugovës brenda një viti, ndërsa për dy vitet e para të qeverisjes së tij janë investuar në Rugovës vetëm 800 mijë euro.

3. Vetëm një femër është drejtore në ekzekutivin e Pejës. Ajo është Suzana Muriqi dhe udhëheq Drejtorinë për Integrime dhe Diasporë.

4. Tenderi për rregullimin e lumit Lumbardh po hetohet nga prokuroria themelore e Pejës.

5. Peja ka semaforë vetëm në një vend, dhe ata nuk punojnë. Kryetari Muhaxheri ka thënë se këtë vit do të hiqen krejtësisht semaforët sepse nuk nevojiten fare.

6. 800 mijë euro janë humbur në rastet gjyqësore nga Komuna në vitin 2014 dhe 2015. Këto raste janë shkaktuar gjatë mandatit të Ali Berishës (AAK) dhe Ali Lajçit (LDK), ish-kryetarit të komunës së Pejës.

7. Ushtruesi i detyrës të Menaxherit të Prokurimit në Pejë, Haxhi Gashi, i emëruar nga Kryetari Gazmend Muhaxheri, është anëtar i LDK-së dhe bashkëshorti i Suzana Muriqit, Drejtoreshës Komunale për Integrime Evropiane dhe Diasporë. Muhaxheri ka thënë në debat se Haxhi Gashi është LDK “me zemër e me krejt”.

8. Me paratë e tatimit në pronë ka filluar të ndërtohet shkolla e mesme e mjekësisë (ka përfunduar faza e parë). Gjithashtu me paratë e tatimit në pronë është ndërtuar një çerdhe në Pejë pas 35 viteve.

9. Gazmend Muhaxheri ka mbyllur shkollën e fshatit Nepole për shkak të mungesës së nxënësve dhe mësimit jo cilësor. Nxënës me numër të vogël të nxënësve ka edhe shkolla në Rugovë, por shkolla nuk është mbyllur. Ai ka thënë së do t’i vijë rendi edhe mbylljes së shkollës në Rugovë dhe shkollës në fshatin Gllaviçicë.

10. Komuna e Pejës për dy vjet ka shpërndarë 1,000 koshere pa bletë. Kryetari Muhaxheri kishte premtuar të shpërndahen edhe bletët me koshere, por thotë se tani ka ndërruar mendimin dhe ka vendosur që me mirë është të ndihmohen bletarët vetëm me koshere.

11. 105 punëtorët e pastrimit të shkollave qe tre muaj s’kanë marrë pagat. Kompania e pastrimit të objekteve shkollore “Selmans Networks” ka prishur kontratën e tenderit me Komunën e Pejës për shkak të mosmarrëveshjeve. Këta punëtorë të Pastrimit disa herë kanë protestuar para Komunës për mos marrjen e pagave të tyre.

12. Komuna e Pejës pas prishjes së marrëveshjes me kompaninë “Selmans Netëorks”, 105 punëtorëve u ka bërë kontrata mbi vepër për tre muaj. Pas nënshkrimit të këtyre kontratave, shumica prej tyre kanë marrë një pjesë të pagave.

13. Kryetari Muhaxheri ka emëruar u.d të Drejtorit të shkollës së muzikës “Halit Kasapolli”, Driton Mujen që është i kualifikuar për menaxhment dhe informatikë. Po ashtu Driton Muja është anëtar i degës së LDK-së në Pejë.

14. Gjatë dy viteve është rregulluar infrastruktura, rrethojat dhe tualetet në disa shkolla. Po ashtu 9 shkolla janë bërë me nxehje qendrore.

15. Disa deponi ilegale të mbeturinave janë krijuar në rrugën kryesore të Rugovës. Gjithashtu në rrugët e qytetit të Pejës hidhen mbeturina nëpër trotuare.

16. Kryetari Muhaxheri ka suspenduar nga puna Drejtorin e Auditorit të Brendshëm, Hysni Selmanaj.

17. Kryetari Gazmend Muhaxheri, u ka shkurtuar buxhetin drejtorive që udhëhiqen nga drejtorët e PDK-së.

18. Vitin e kaluar shoferi i Kryetarit kishte pësuar aksident trafiku me veturë zyrtare të shefit të tij.

19. Komuna e Pejës nuk ka ndarë buxhet për mirëmbajtje të varrezave. [interaction id=”56bdab3de55f8d3b22bf61e0″]