Çerdhe dhe Shkollë me Paratë e Tatimit në Pronë

Javën e kaluar kanë nisur punimet për ndërtimin e shkollës së mesme të mjekësisë dhe çerdhes për fëmijë në Komunën e Pejës.

Këto dy projekte të financuara nga Komuna e Pejës, priten të përfundojnë brenda 55 ditëve të punës, ka  bërë të ditur Kryetari i Komunës, Gazmend Muhaxheri për KALLXO.com.

Ai tha së këto dy projekte po realizohen me mjetet e tatimit në pronë, ndërsa vlera e tyre kap shumën rreth 240 mijë euro.

“Pas 30 viteve në qytetin tonë po ndërtohet një çerdhe për fëmijë. Rreth 60 fëmijë nga mosha tre deri në moshën gjashtë vjeçare do të vendosen në atë objekt. Vitin e ardhshëm çerdhja do jetë e kompletuar”, tha Muhaxheri.

Ai u shpreh së brenda dy viteve në qytetin e Pejës do ndërtohen edhe katër çerdhe tjera për fëmijët e kësaj komune.

Çerdhja e fëmijëve po ndërtohet buzë parkut të vogël të qytetit të Pejës e cila kap koston e 100 mijë eurove.

Po ashtu, afër Spitalit Regjional të Pejës kanë filluar punimet për ndërtimin e objekti shkollor për nxënësit e shkollës së mjekësisë të cilëve që shumë vite ju ka munguar një objekt shkollor.

Kreu i Pejës tha së objekti shkollor do ketë kapacitet për dhjetë klasë me një sipërfaqe prej 1600 metra katrorë.

“Punët e vrazhda do kryhen për 55 ditë pune, ndërsa vitin e ardhshëm do investohet brenda objekti që të jetë i gatshëm për nxënësit e mjekësisë në shtator të vitit tjetër”, theksoi Muhaxheri për KALLXO.com.