105 Punëtorë në “Rrugë” pas Mosmarrëveshjeve Komunë – Kompani

Problemet për punëtorët e pastrimit të objekteve shkollore në Komunën e Pejës nuk kanë të ndalur.

105 punëtorët e kompanisë kontraktuese për pastrimin e shkollave, ende nuk e kanë marrë pagën e muajit tetor. Kjo nuk është hera e parë që punëtorët e kompanisë së kontraktuar nga komuna  kanë probleme me paga dhe vend të punës.

Por për të t’u bërë më keq, atyre në fillim të muajit nëntor u ka ardhur një njoftim nga kompania “Selmans Network” që mos të dalin në punë këtë muaj fare sepse nuk kanë pranuar punë nga komuna.

Menaxheri i kompanisë “ Selmans Network”, Kastriot Hulaj thotë për KALLXO.com se pagat e muajit nëntor nuk kanë dalë për shkak se Komuna e Pejës nuk i ka kryer obligimet që ka ndaj kompanisë.

“Komuna hala nuk i ka kryer obligimet që i ka ndaj kompanisë tonë. Qysh nga fillimi i kontratës me Komunën, çdoherë pagesat vonohen, ndodh edhe deri me datë 25. Këtu me e keqja është se disa zyrtarë komunalë punëtorëve u bëjnë presion dhe ju thonë  se i kanë kryer obligimet”, tha Hulaj.

Në anën tjetër Komuna akuzon kompani për mos përmbajtje të kontratës.

Zëdhënësi Engelbert Zefaj tha për KALLXO.com përmes telefonit së problemi qëndron tek kompania kontraktuese.

“Ne kemi pasur një marrëveshje me kompaninë “Selmans Network” për numrin e metrave që duhet pastruar dhe numrin e punëtorëve që duhet t’i angazhojë, por edhe për vlerën e kontratës që ne do t’ua paguajmë atyre për çdo muaj. Sipas marrëveshjes , kompania duhet të ketë kapacitet që t’i paguaj për dy muaj punëtorët edhe në qoftë se nuk ka mjete nga komuna. Ne në këso situata kemi qenë edhe një herë. Problemi është tek kompania që ka probleme financiare dhe nuk po arrin t’i përmbahet kontratës”, u shpreh Zefaj.

Kurse, menaxheri i kompanisë “ Selmans Network” tha se nuk ekziston asnjë marrëveshje për t’i paguar punëtorët kompania për dy muaj dhe, sipas tij, nuk ka bazë juridike  për t’u bërë kjo.

Ai akuzon Komunën e Pejës për mos përmbajtje të kontratës në shumicën e pikave kryesore.

Ai tha së në disa shkolla janë vendosur punëtorë me kontratë mbi-vepër nga Komuna, ndërsa kjo çështje i ka takuar kompanisë sipas kontratës.

Sipas Hulajt, kompania e tij paguhet për t’i pastruar 48 mijë metra katrorë, përderisa thitë se janë 80 mijë metra katrorë për t’u pastruar.

Ai tha se këto mosmarrëveshje e kanë detyruar që t’u thotë punëtorëve të mos dalin në punë që nga 1 nëntori.

“Ne e kemi parë të arsyeshme që t’u dërgojmë (punëtorëve) nga një letër sqaruese për shkak që komuna për muajin nëntor nuk ka porositur punë në kompaninë tonë. Komuna është e obliguar që për çdo fillim të muajit të nxjerrë një urdhër blerje ku neve na porositë për punën që kemi për ta bërë. Komuna këtë nuk e ka bërë”, tha Hulaj.

Ndërsa, zëdhënësi i Komunës së Pejës, mohoi akuzat e menaxherit të kompanisë.  Zefaj tha se kompania është e obliguar të pastrojë vetëm 48 mijë metra katrorë dhe jo me shumë.

Por tani edhe mundësia e fundit për përafrim të palëve duket e përfunduar pasi që Zefaj thotë se kontrata e komunës me kompaninë është ndërprerë.

Por Hulaj thotë se nuk ka marrë asnjë njoftim nga komuna për ndërprerje të kontratës dhe kërkon që institucioni lokal ta respektojë atë.

Ndërkohë që zëdhënësi i komunës thotë se pagat e mbetura ndaj punëtorëve janë detyrim i kompanisë, menaxheri i “Selmans Network” shprehet se pagat do të transferohen te punëtorët në momentin që komuna i kryen obligimet e veta.

Për mos marrëveshjet ndërmjet komunës dhe kompanisë që kanë reflektuar tek punëtorët, KALLXO.com ka raportuar vazhdimisht.