Komuna e Pejës Suspendon Denoncuesin e Dyshimeve për Keqpërdorime

Komuna e Pejës ka suspenduar nga puna për tre muaj Drejtorin e Auditorit të Brendshëm, Hysni Selmanaj.

Zëdhënësi i Komunës së Pejës, Engelbert Zefaj, tha së ky vendim do të hyjë në fuqi nga data 29 prill dhe e ka arsyetuar atë me “performansë të dobët dhe kërcënime të bëra ndaj zyrtarëve komunalë”, ndërsa Selmanaj e vlerëson këtë si “hakmarrje” ndaj raportimeve të tij te organet e hetuesisë për keqpërdorimet që ai thotë se kanë ndodhur në këtë komunë.

“Duke u bazuar në aktet normative që janë në fuqi ka nxjerr një aktvendim, të punësuarit z. Hysni Selmanaj i sistemuar në vendin e punës Drejtori i Auditimit të brendshëm në Komunën e Pejës, i shqiptohet masa disiplinore, pezullim parandalues me pagesë në kohë zgjatje prej tre muajsh”, tha sot zëdhënësi Zefaj.

Ai ka shtuar se në vendim përmendet konflikti i Hysni Selmanajt me Drejtorin e Financave, Jeton Abazaj dhe disa padi që Kryetari i Komunës, Gazmend Muhaxheri, dhe Drejtori Abazaj ka ngritur ndaj tij për keqpërdorim.

Edhe Zefaj e pranon që Selmanaj ka dërguar informata në hetuesi, por përmbajtjen e tyre i quan “të pavërteta”.

“Është munduar që të implikojë dhe angazhojë edhe palë tjera të institucioneve të Republikës së Kosovës , duke u ofruar informata të pavërteta që edhe ato institucione tjera të na ngarkojnë me hetime me shantazhe dhe gjera të pavërteta”, tha Zefaj .

Ai tha se Drejtori i Auditorit të Brendshëm ka shërbyer për opozitën duke nxjerr dokumentet jashtë komunës pa lejen e Kryetarit.

Ndërsa Jeton Abazaj, Drejtor i Financave, tha se më 20 prill ishte kërcënuar me jetë nga Hysni Selmanaj.

“Atë ditë rastësisht e ka marrë edhe vlerësimin e performancës edhe me kërcënohet mu edhe Kryetarit të Komunës me heqje koke. E kam deklaru edhe dje po e deklaroj edhe sot se ai si duket ka shiku shumë video të ISIS-it dhe ka marrë zemër dhe është frymëzu prej videove të ISIS-it dhe me këto don me thënë se heqë koka. Për këto e kam denocu në Polici me datën 23 prill”, tha Abazaj.

Ndërsa i suspenduari Hysni Selmanaj tha se njoftimi për pezullim nga puna ka ardhur 10 minuta para konferencës.

Ai tha se që nga ardhja e këtij pushteti ka pasur presione të vazhdueshme për të mos raportuar keqpërdorimet që janë bërë nga menaxhmenti i komunës.

“Kjo është hakmarrje pasi që si auditor i brendshëm kam gjetur shumë keqpërdorime të cilat i kam raportuar edhe tek organet e hetuesisë”, tha Selmanaj.

Ai ka folur edhe për konfliktin me Abazajn.

“Ai mu ka drejtu me ‘fillqan dil prej dere jashtë mos të shoh me sy’. Unë e vërtetë është që i kam thënë që nuk dal sepse nuk e ke privatizu’ dhe jam ulurnë karrigë. Më ka thënë që me dhunë tash nuk të qes po në ora 4 dalim e kapemi fizikisht jashtë objekti te komunal”, thotë Selmanaj.

Duke folur për vendimin për suspendim, ai tha se nesër do t’i drejtohet Prokurorisë për shkak se suspendimi i tij është bërë “për t’i penguar hetimet e nisura ndaj zyrtarëve të komunës”.

Ai tha së do t’i paraqes të gjitha keqpërdorimet e bëra nga Kryetari Gazmend Muhaxheri, nënkryetari Shkumbin Gashi , Drejtori i Financave Jeton Abazaj dhe disa drejtorëve të tjerë komunalë.

Ndërsa, zyrtarët komunalë të Pejës të pyetur lidhur me hetimet e nisura nga Prokuroria Themelore e Pejës, thanë së ende nuk janë njoftuar zyrtarisht për ketë çështje.

KALLXO.com ka kontaktuar Prokuroren Sahide Gashi, e cila nuk ka dashur të flasë shumë për ketë çështje, por ka konfirmuar së kanë nisur hetime ndaj disa zyrtarëve komunalë.

“E tëra çfarë mund të them është së kanë filluar hetimet dhe janë në fazën fillestare. Jemi në atë fazë ku nuk mund të flasë me shumë për këtë çështje”, tha prokuroria Gashi.