Trekëndëshi i Akuzave për Borxhe

Disa punëtorë të ish-kompanisë për pastrim “Network” janë ankuar te kryetari i Komunës së Pejës, për shkak se kjo kompani nuk ua ka paguar për 20 muaj trustin pensional. Ish-kompania “Network” në vitin 2011 kishte fituar tender për pastrim nga komuna.

“Kjo kompani që e ka marrë tash, më ka mbet borxh tri rroga. Dy rroga janë të korrikut edhe gushtit, e treta është 50 euro për natën e viti të ri, për m’i gëzu fëmijët. Jam shku në bankë, nuk m’i kanë dhanë, më kanë thanë i kompensojmë. Në muajin mars 70, në muajin gusht m’i kanë qitë 110”, tha Bajrush Mulaj.

Ndërsa, Haxhë Krasniqi – punëtor i shkollës fillore “Skënderbeu” në Terboviç , tha se kompania “Network” në vitin 2011 nuk ia ka paguar për 20 muaj trustin pensional.

“Njëzet muaj e kam pa paguar trustin pensional . Na presim këtë trust pensional me gëzu për pension kur del. Kjo ka ndodh në vitin 2011. Deri në fund të 2013-s, kjo kompani e ka ketë tender. Me ketë tender të tij nuk jem të kënaqur asnjë punëtorë”, tha Krasniqi.

Këta punëtorë thonë se e kanë paditur kompaninë “Network” për mos pagesën e trustit pensional.

Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, tha se Komuna kohë më parë e ka ndërprerë kontratën me këtë kompani, por nuk ka marrë masa ndaj saj.

“I është ndërprerë kontrata  para disa vitesh që ka pas me Komunën e Pejës, mirëpo Komuna e Pejës nuk ka ndërmarrë asnjë masë ndaj personit me të cilin është ndërprerë kontrata. Pas një kohe domethënë personi në fjalë e ka qitë ose kompania e ka qitë në gjyq Komunën e Pejës, edhe që disa kohë Komuna e Pejës është në gjyq me këtë person”, tha Muhaxheri.

Tash kjo kompani ka ndërruar emrin dhe quhet “Selman Network”. Ajo ka fituar sërish tender pas ankesës që ka bërë në OShP ndaj komunës.

Kujtim  Selmanaj, njëri nga tre pronarët e kompanisë “Selman Network” tha përmes telefonit së ish-kompania e tij “Network” nuk ka obligime të pagave ndaj asnjë punëtori në kontratën e mëhershme që ka pasur në vitin 2011 me komunën.

“Sa i përket rrogave të punëtorëve që ata konsiderojnë që ne iu kemi borxh, ne nuk iu kemi asnjë borxh në paga. Nëse ne iu kemi borxh atyre për paga, mund t’ju drejtohen institucioneve kompetente ose në rrugë gjyqësore për t’u vërtetuar. Nuk kam pasur mjete financiare në atë kohë, për shkak së komuna nuk i ka paguar paratë tek kompania. Unë kam qenë i detyruar në atë kohë ta ndërpresë kontratën me arsyetimin për mos pagesa nga ana e komunës. Ketë procedurë e kemi në gjykatë për një vlerë prej 134 mijë euro. Edhe me punëtorët jemi në proces gjyqësorë për trust pensional dhe pasi të merr vendim gjykata, do të zbatohet vendimi i saj”, tha Kujtim Selmanaj.

Megjithatë, punëtorët që po ankohen ende nuk e kanë nënshkruar kontratën e re me këtë kompani për shkak të pakënaqësive që kanë me të. Kurse pronari i kompanisë thotë se të hënën do t’i grumbullojnë kontratat e nënshkruara nga punëtorët, kurse për ata që nuk donë ta nënshkruajnë thotë se nuk mund t’i detyrojë.