Peja “Lulëzon” nga Mbeturinat

Të hasësh në mbeturina në qytetin e Pejës është shumë e letë. Kjo pasi që ato hidhen në mënyrë ilegale nëpër trotuaret e rrugëve të këtij qyteti.

Posaçërisht në rrugën që të shpije drejt spitalit janë krijuar disa pika ilegale të mbeturinave të cilat kanë bllokuar trotuarin dhe paraqesin shqetësim për shëndetin e qytetarëve. Edhe pse këto mbeturina hiqen çdo ditë në orët e mëngjesit nga kompania “Ambienti”, banorët nuk përfillin orarin e kompanisë.

Si shkaktarë të këtij problemi, vetë banorët nuk janë të interesuar të flasin para kamerës.

Nexhat Abdullahu, drejtori i kompanisë “Ambienti”, e cila bën grumbullimin e mbeturinave tha së kompania ka për detyrë vetëm të bëjë grumbullimin e mbeturinave sipas orarit. Sipas tij, banorët dhe bizneset në atë zonë janë të njoftuar për orarin se kur kompania bën grumbullimin e mbeturinave.

“Ne në vazhdimësi i largojmë këto pika [mbeturinat], mirëpo janë të përsëritshme. Kështu që fitohet nganjëherë përshtypje që ne nuk kryejmë shërbim sepse banorët nuk respektojnë orarin. Të gjithë në kohën kur ne kemi fillu me largu kontejnerët”, tha Abdullahu.

Sipas drejtorit, kjo është bërë me marrëveshje me vetë banorët e kemi bërë edhe njoftimin me shkrim se kur në çfarë kohe të nxirren mbeturinat.

“Mirëpo, ajo nuk respektohet asnjëherë prej banorëve”, vëren Abdullahu.

Ai thotë së në atë pjesë ka pasur kontejnerë, por ata janë larguar me kërkesën e vetë banorëve. Përveç trotuareve që po bllokohen nga mbeturinat në atë zonë edhe një pjesë afër Shtëpisë së Kulturës mbushet çdo ditë me mbeturina.

Me këtë problem përballen edhe banorët në lagjen “Mbreti Piro”, e cila është buzë shtratit të lumit Lumbardhë. As në ketë pjesë banorët nuk janë të disponuar të flasin. Një problem i tillë nuk ekzistonte kur ishin të vendosur kontejnerët.

Autoritet përgjegjëse për parandalimin e ndotjes së ambientit në Pejë, thonë së mbeturinat hidhen në atë pjesë, në mungesë të kontejnerëve dhe respektimit të orarit të kompanisë së pastrimit.

Miftar Shala, inspektor i ambientit në Komunën e Pejës tha për Kallxo.com së bashkë me kolegun e tij gjobisin qytetarët të cilët ndotin ambientin.

“Shkaku kryesor i hedhjes së mbeturinave është se kontejnerët janë të vendosur në pika shumë larg njëra tjetrës, nuk ka kontejnerë të mjaftueshëm në qytet . Edhe kjo krijon një pamundësi që mbeturinat të hidhen në vende të caktuara”, tha inspektori Shala.

Ai shpjegoi se zakonisht, si ai dhe inspektori tjetër i mjedisit në Kuvendin e Komunës, shqiptojnë gjobat e detyrueshme rregullisht dhe hapin procedura në gjykatë, në bazë të udhëzimit administrativ që kanë.

“Shqiptimi i gjobave bëhet rregullisht edhe caktohet vlera e gjobës prej 5 deri në 100 euro”, tha Shala.

Ndërsa, drejtori i Shërbimeve Publike, Ukë Selimaj, tha për Kallxo.com se kontejnerët janë hequr me kërkesë të banorëve.

“Kontejnerët në atë pjesë janë hequr me kërkesën e banorëve. Ne kemi kontejnerë rezervë mirëpo edhe vendosja e tyre nuk është zgjidhje sepse shpesh janë dëmtuar. Nëse e kemi ndonjë kërkesë nga banorët dhe e shohim të arsyeshme prapë do ti vendosim”, tha Selimaj përmes telefonit.

Vite më parë qyteti i Pejës ishte ndër komunat me të pastra në Kosovë, ndërkaq me gjendjen e tanishme nuk e mban më këtë cilësim.