Foto: Kisha ortodokse serbe

Gazmend Muhaxheri shkon në patrikanën e Pejës, pritet nga kreu i Kishës ortodokse serbe

Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka shkuar në patrikanën e Pejës për t’ua uruar klerit dhe besimtarëve ortodoksë festën e Krishtlindjes.

Muhaxheri aty është pritur nga kreu i Kishës ortodokse serbe – patriarku Porfirije, i cili ka shërbyer sot liturgjinë e Krishtlindjes në patrikanën Pejës, ku është mbajtur festa qendrore e Krishtlindjes në Kosovë.

Sipas faqes së internetit të Kishës ortodokse serbe, patriarku Porfirije përveç kryetarit të Pejës ka pritur edhe përfaqësues të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

Në predikimin e tij, patriarku është lutur për të gjithë besimtarët dhe gjithë ata që jetojnë në “Kosovë dhe Metohi”.

Edhe krerët e shtetit, përfshirë presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti e kryeparlamentarin Glauk Konjufca, kanë uruar  besimtarët ortodoksë për Krishtlindjen.

“Në këtë ditë, shtëpitë tuaja qofshin të mbushura me ngrohtësi, paqe, dashuri dhe respekt.Mirëkuptimi,  solidariteti, toleranca dhe shpresa qofshin udhërrëfyes të përhershëm për secilin!” – thuhet në telegramin e urimit të presidentes.

Presidentja Osmani uron Krishtlindjen ortodokse

www.kallxo.com