Veseli: Me mua kryeministër, Kosova nuk do të prishë miqësinë me Amerikën

Kandidati për kryeministër i PDK-së, Kadri Veseli ka mbajtur një tubim elektoral në Gjilan, në krah me Matthew Whitaker, të cilin e prezantoi si “mik të afërt” të presidentit të ShBA-së, Donald Trump.

Whitaker, sipas një video të prezantuar në këtë tubim, thuhet së është ish-ministër i Drejtësisë në Administratën e presidentit, Donald Trump.

Ai mbështeti fuqishëm Kadri Veselin për kryeministër, pasi që sipas tij, Kosovës i duhet një kryeministër që lufton korrupsionin dhe që ruan miqësinë me ShBA-në.

“Është e qartë për mua që këto zgjedhje kanë të bëjnë për luftën kundër korrupsionit dhe krijimin e mundësive ekonomike për të gjithë në Kosovë. Të dy këto synime realizohen duke pasur një kryeministër që kërkon miqësinë dhe mbështetjen e ShBA-ve. Kadri Veseli është ai person.  Ai është kandidati më i fortë kundër korrupsionit sepse ka angazhim të dëshmuar. Ai tashmë ka vepruar duke ndryshuar partinë e tij dhe duke i dhënë asaj një fillim të ri”, u shpreh ai.

“Në këto votime, zgjedhja është midis: një qeverie që do të forcojë bashkëpunimin me ne – SHBA, për të luftuar korrupsionin dhe të zhvillohet ekonomia e suksesshme për të gjithë. Mundësitë tuaja alternative përbëjnë një rrezik – bëhet fjalë për një  qeveri e udhëhequr nga politikanë që mund ta izolojnë Kosovën dhe të dëmtojnë marrëdhëniet tuaja me ne. Për një qeveri që nuk mund ta luftoj korrupsionin”, u shpreh ai.

Veseli foli për mbështetjen dhe ruajtjen e marrëdhënieve me Amerikën, e që thotë se në krye me të nuk do t’i mbyllen Kosovës dyert për miqtë perëndimorë.

Ai garantoi përkrahje për ndërmarrësit e rinj dhe inovatorët, legalizimin e pronave, mbështetjen e familjeve të dëshmoreve, veteranët e UÇK-së dhe rritjen e pensioneve. Gjithashtu ai tha së do t’i siguroi ulëse Kosovës në OKB.

“Amerika ishte gjithmonë në anën tonë, ne kohë të vështira të luftës dhe në momente historike të pavarësisë, ishte gjithmonë këtu duke ecur krah për krah me ne duke na ndihmuar në rrugëtimin tonë dhe sot presidenti i ShBA-ve, Donald Trump është një mik i madh i Kosovës”,  deklaroi kandidati i PDK-së.

“Ne duhet ta ruajmë këtë miqësi, nuk duhet të bëjmë veprime që do ta rrezikojnë aleancën me të rëndësishme strategjike në historinë e kombit tonë. Këto janë zgjedhje kritike për vendin tonë. Me 6 tetor qytetarët duhet të zgjedhin mes një qeverie që e udhëheqim ne e cila do ta forcohet së bashku me Amerikën dhe BE dhe bashkë me ta do ta vazhdojmë luftën kundër korrupsionit, do ta zhvillojmë ekonominë, do t’i mbajmë të rinjtë këtu, t’i ofrojmë shpresë, ose një koalicion të izolimit, korrupsionit, dhe përçarjes”, tha Veseli.

KALLXO.com raportoi sot së ambasada e ShBA-ve në Kosovë, ka reaguar lidhur me raportimin në media së një njeri i afërt me Trump po vije që të mbështes Kadri Veselin.

Kjo ambasadë ka thënë së Qeveria e ShBA-ve nuk parapëlqen dhe nuk mbështetë ndonjë parti politike.

“Qeveria e SHBA-ve nuk parapëlqen dhe nuk mbështetë ndonjë parti politike apo kandidatë në zgjedhjet e kësaj jave. Ne respektojmë të drejtën dhe përgjegjësinë e votuesve të Kosovës që të zgjedhin të ardhmen e tyre”, thuhet në reagimin e ambasadës.

Ambasada e SHBA-së reagon pas deklaratave se një njeri i Trump-it vjen në mbështetje të Veselit