Logo e LDK-së - Foto: Facebook

LDK paraqet kallëzim penal në Polici për lajmet e rrejshme

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka paraqitur kallëzim penal në Policinë e Kosovës, për lajmet e rreme me të cilat, sipas tyre, sulmohen lidershipi i partisë dhe kandidatja për kryeministre, Vjosa Osmani.

“LDK ka kërkuar nga Policia që në bashkëpunim me Prokurorinë të identifikojë dhe të dërgojë para drejtësisë ata që po përhapin lajme të rreme kundër kandidates për kryeministre, Vjosa Osmani”, thuhet në komunikatën e LDK-së.

LDK, në këtë komunikatë ka fajësuar Lëvizjen Vetëvendosje për shpifje nëpër faqe të ndryshme në Facebook-ut.

“Një ditë më parë, një faqe në Facebook, e cila mbështetë Lëvizjen Vetëvendosje, ka shpifur se gjoja LDK dhe Vjosa Osmani po paguan nga 10 euro pjesëmarrësit nëpër tubimet elektorale të LDK-së. Kundër kësaj shpifje të ulët, LDK-ja i ka dëshmitarë dhjetëra mijëra anëtarë, përkrahës dhe qytetarë, të cilët kanë marrë pjesë në tubimet tona, me dëshirë dhe vullnetin e tyre të lirë”, thuhet tutje në aty.

Tutje LDK, i ka bërë thirrje institucioneve të drejtësisë që të trajtohet me shumë seriozitet dukuria e lajmeve të reme.

“LDK i bën thirrje Prokurorisë, Policisë dhe institucioneve tjera ligjzbatuese, që të hetojnë dukurinë e lajmeve të rreme dhe denigruese, pasi që kjo dukuri përbën vepër penale dhe është shkelje e rëndë e rregullave të procesit zgjedhor. LDK ju bën thirrje vëzhguesve vendorë dhe ndërkombëtarë të zgjedhjeve, si dhe ambasadave të vendeve mike, që të përdorin ndikimin e tyre për ndërprerjen e këtyre dukurive të ulëta që dëmtojnë procesin zgjedhor”, thuhet tutje.