VV: Të Marrë Fund Përndjekja ndaj Deputetëve

Lëvizja Vetëvendosje e konsideroi përndjekje të deputetëve të saj, aksionin e sotëm të policisë për sjellje me detyrim të Albin Kurtit e Donika Kadaj-Bujupit në gjykatë.

Gjykata Themelore në Prishtinë kishte kërkuar sjelljen me detyrim të deputetëve, pasi ata nuk po paraqiten në seancat e gjykimit ku akuzohen për hedhje të gazit lotsjellës në seancat e Kuvendit.

“Ne kërkojmë që përndjekja ndaj deputetëve dhe aktivistëve tanë të marrë fund. Veprimet e tilla me qëllim frikësimin apo pengimin e aktivitetit të Lëvizjes Vetëvendosje do të jenë përherë të paefektshme”, thuhet në reagimin e LVV-së.

Më tutje Vetëvendosja akuzon edhe gjyqtarin Beqir Kalludra që është kryetar i trupit gjykues në procesin kundër deputetëve dhe më herët ishte edhe pjesë e gjykimit të aktivistëve të Vetëvendosjes për sulmin në Kuvend.

“Kryefjala e gjithë këtij procesi të padrejtë është gjyqtari Beqir Kalludra, i cili si shërbyes i zellshëm i krimit, ditë më parë dënoi me 21 vite burg katër aktivistët tanë pa asnjë provë të vetme. Ky gjyqtar i cili shquhet vetëm për shërbimin me përkushtim ndaj klanit Pronto, me veprime të tilla, është manifestimi më i mirë i sistemit të kapur të drejtësisë”, thuhet më tutje në komunikatën e Vetëvendoosjes.

Lëvizja Vetëvendosje më tutje thotë se ky subjekt politik po luftohet nga sistemi i drejtësisë.

“Këto veprime të organeve të rendit dhe drejtësisë janë të papranueshme dhe tregojnë për luftën e vazhdueshme që po i bëhet Lëvizjes Vetëvendosje”, thuhet në komunikatë.

Kjo parti thotë deputetët dhe aktivistët e saj po persekutohen para dhe pas balotazhit.

“4 aktivistët e Lëvizjes u dënuan padrejtësisht përmes një masakre juridiko-politike të premten, më pak se dy ditë para balotazhit. Tash deputetët tanë po persekutohen vetëm 3 ditë pas balotazhit”, thuhet në komunikatë.

Sot KALLXO.com shkroi për kërkimin që policia u bëri Albin Kurtit e Donika Kadaj-Bujupit.

http://kallxo.com/albin-kurtin-po-e-kerkon-policia/

http://kallxo.com/policia-ne-aksion-kerkon-edhe-donika-kadaj-bujupin/

Seanca e gjykimit për lotsjellësin në Kuvend u shty, ngase munguan Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupi dhe Albulena Haxhiu. Gjykata lëshoi urdhër-arrest për ta.

http://kallxo.com/urdher-arrest-per-albin-kurtin-albulena-haxhiun-e-donika-kadajn/