Lirohen në procedurë të rregullt 15 të dyshuar për falsifikim të rezultateve të votimit në Novobërdë
Pesëmbëdhjetë persona janë arrestuar nën dyshimin për falsifikim të rezultateve të votimit në Komunën e Novobërdës, mirëpo pas intervistimit, me vendim të prokurorit, janë liruar në procedurë të rregullt.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur më 29.12.2025, rreth orës 07:00, në Novobërdë, ndërsa arrestimet janë realizuar më 25.02.2026.
Autoritetet nuk kanë dhënë detaje shtesë lidhur me mënyrën e dyshuar të falsifikimit.
Për shkak të manipulimit me vota në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit 2025, mbi 100 komisionerë të partive te ndryshme në Prizren ishin thirrur për intervistim.
Në këtë rast, Gjykata Themelore në Prizren, kishte marrë vendim për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj 23 të pandehurve, nën dyshimet për kryerjen e veprave penale kundër të drejtës së votimit, kanosja, marrja e ryshfetit dhe dhënia e ryshfetit.
21 të pandehurve, O.Sh., V.B., A:K., B.B., A.H:, A.K., Gj.Sh., L.K., B.Xh., E.G., I.P., I.H., A:D., dhe B:B., D.Sh., J.H., S.B:, A.L., Q.K., A.V., M.J., i’u është caktuar masa e paraburgimit, në kohëzgjatje prej një muaji, për shkak të dyshimit të bazuar se secili veç e veç ka kryer veprën penale, falsifikimi i rezultateve të votimit.
Intervistime në lidhje me manipulim të votave pati edhe në komuna të tjera.
Mëngjesin e 28 janarit, pas një aksioni të gjerë të Prokurorisë së Gjakovës në Malishevë, për shkak të dyshimeve për falsifikim të rezultatit zgjedhor, disa persona janë intervistuar. E në Deçan, policia kishte arrestuar shefen e kabinetit të kryetarit Bashkim Ramosaj.
Kurse, 14 kryesues e anëtarë të komisioneve të Qendrës së Numërimit në Kllokot u arrestuan më 06.02.2026 nën dyshimin për falsifikim të rezultatit të votimit.
Policia kishte njoftuar se arrestimi erdhi pas një dyshimi të bazuar që ndërlidhet me procesin e numërimit për zgjedhjet që u mbajtën me 28.12.2025.
Pasi ishin arrestuar, 14 kryesuesit dhe anëtarët, të njëjtit ishin intervistuar me urdhër të prokurorit. Tutje të njëjtit ishin liruar në procedurë të rregullt ndërsa rasti është iniciuar si falsifikim i rezultatit të votimit.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e mbajtur më 19.01.2026, ka vendosur për rinumërimin e të gjitha vendvotimeve në 28 komuna, si dhe për ndërprerjen e mandatit të anëtarëve të subjekteve politike në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në Prizren.
Vendimi për rinumërim, fillimisht KQZ e mori pasi janë shikuar videot nga kamerat në Qendrat Komunale të Numërimit, të cilat kanë ngritur dyshime se votat e kandidatëve për deputetë nuk janë shënuar në mënyrë të saktë në platformën zyrtare të KQZ-së.
Rinumërimi i votave ka shkaktuar ndryshime drastike në listat e kandidatëve, për deputet ku disa kandidatë kanë humbur qindra, e madje edhe mijëra vota.
Pjesëmarrja në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, sipas KQZ-së, ka qenë 45.03% apo 900 mijë e 330 votues.
Numri i qytetarëve me të drejtë vote në Kosovë ishte 1,999,204 votues, ndërkaq numri i atyre që janë regjistruar për të votuar jashtë vendit ishte 77,086.
Procesi zgjedhor brenda vendit u zhvillua në 948 qendra të votimit, ndërsa ky proces jashtë Kosovës u organizua në 16 ambasada dhe 13 konsullata të vendosura në 18 shtete të ndryshme. Sipas të dhënave të KQZ-së, në 29 përfaqësi diplomatike patën të drejtë vote 19,187 votues.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) më 09.02.2026, kishte certifikuar rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura në Kosovë më 25 dhjetor 2025.
Zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit 2025 e nxorën Lëvizjen Vetëvendosje si parti fituese.
Kjo parti i ka fituar 57 ulëse në Kuvendin e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës 22 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës 15 ulëse, dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës gjashtë ulëse.
Pos 10 ulëseve të garantuara për komunitetin serb, dy ulëse i takuan dy deputetëve nga Partia Turke Demokratike e Kosovës. Kurse, nga një ulëse kanë fituar partitë e tjera të komuniteteve joshumicë: VAKAT, Unioni Social Demokrat, Partia e Re Demokratike, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës (IRDK), Partia Liberale Egjiptiane, Partia Socialdemokrate e Ashkalinjve, Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës dhe Partia e Bashkuar Gorane.
Kuvendi i Kosovës me 11.02.2026, votoi Qeverinë e re të Kosovës që do të drejtohet nga Albin Kurti.
Për Qeverinë Kurti 3 kanë votuar 66 deputetë për, 49 kundër dhe asnjë abstenim.