Remzi Ejupi largohet pas 20 viteve nga KF Prishtina

Biznesmeni Remzi Ejupi përfundimisht është larguar nga klubi i futbollit Prishtina, pas 20 viteve sa ishte në kryesinë e klubit nga kryeqyteti.

Në një deklaratë para gazetarëve, Ejupi ka thënë se arsyeja pse është larguar nga KF Prishtina është gjendja, sipas tij, në të cilën është futbolli i Kosovës.

Ai ka deklaruar se klubet në Kosovë kanë vështirësi jashtëzakonisht të mëdha.

“Arsyeja që mund ta them, që nuk kisha dashur ta them, ajo që ndodhë në futbollin e Kosovës dhe gjendja e futbollit të Kosovës, më ka rezultuar që nuk ia vlen për momentin me vazhdu më tutje, për arsye që nuk është e lehtë. E dini edhe shumë klube të tjera kanë vështirësi jashtëzakonisht të mëdha” – ka thënë Ejupi para gazetarëve.

Ejupi ka thënë se pas pranimit të Kosovës në FIFA dhe UEFA, ka menduar se gjendja do të lehtësohet, por sipas tij kjo nuk ka ndodhur.

“Ne kemi menduar që pas pranimit të Kosovës në FIFA dhe UEFA do të ketë shumë më shumë lehtësi. Ne po e shohim që ka më shumë vështirësi, andaj kam vendosur që për një kohë të largohem. Protestat e tifogrupit mendoj se janë një grup i ri, ajo kuptohet që tifozët duan vetëm rezultate” – tha ai.

Sipas raportimit të disa mediave vendore, Rrahman Haradini tani ka shumicën e aksioneve të klubit të futbollit Prishtina.