FFK-ja nuk tregon nëse është bërë shkelja e statutit

Interesimi për të marrë drejtimin e Federatës së Futbollit është i jashtëzakonshëm. Federata e Futbollit e Kosovës u themelua si institucion i pavarur i Republikës së Kosovës, më 20 gusht të vitit 1991.

Kryesia e parë e Federatës së Futbollit të Kosovës u themelua më 20 gusht të vitit 1981, me në krye Agim Bytyqin.

Në krye të FFK-së në vitin 2012 erdhi legjenda e futbollit Fadil Vokrri. Ai qëndroi në krye të FFK-së deri në vitin 2018 ku edhe ndërroi jetë, më saktësisht më 9 qershor 2018.

Në krye të FFK-së në vitin 2018 erdhi Agim Ademi që tashmë është ende në krye të FFK-së.

Por tash FFK-ja ka vendosur që të rizgjedh kryetarin e ri në muajin prill. Për të parin e FFK-së po garojnë katër kandidatë: Agim Ademi, Arianit Ahemti, Remzi Ejupi dhe Nexhat Dumnica.

Arianit Ahmeti që është njëri prej kandidatëve për të parin e FFK-së thotë se vendimi për shpalljen e zgjedhjeve më 6 prill është skandaloz.

“Vendimi është skandaloz, serish merren vendime në frymën e njëjtë si më parë ose si gjatë gjithë kohës së qeverisjes së personit që ka uzurpuar pozitën e kryetarit të FFK-së që nga janari i viti 2020”, thotë Ahmeti.

Shpallja e zgjedhjeve më 6 prill sipas Ahmetit është në kundërshtim me Statusin e FFK-së.

“Vendimi është në kundërshtim me statutin e FFK-së, ku në nenin 39, pika 3 thuhet se propozuesi duhet të protokollojë propozimin në Sekretariatin Gjeneral të FFK-së, në formë të shkruar dhe duke i deponuar së paku 15, nënshkrime të delegatëve legjitim të Kuvendit të FFK-së, me të dhënat e nevojshme, së paku dy muaj para datës së mbajtjes së Kuvendit të rregullt zgjedhor. Vendimi për hapjen e garës dhe shpalljen e zgjedhjeve do të duhet të mbahej më 6 korrik, dy muaj më herët kandidatët e mundshëm do të kishin mundësi të dërgojnë propozimet me nënshkrime që i bie data 06/05/2022.Ky kuvend qysh në thirrje të tij ka shkelje serioze të procedurës juridike si e tillë dhe nuk mund të mbahet me 06/04.2022”, thotë Ahemeti.

Ahmeti thotë se e ka hartuar programin por që nuk mund ta shpalos sepse FFK-ja po punon në fshehtësi.

“Programin që e kam hartuar nuk mundem ta shpalosi me qenë se FFK-ja po punon në fshehtësi dhe merr vendime në mbledhje, në kafe private, në fshehtësi nga opinioni, me qëllim që t`i pamundësohet kandidimi i kandidatëve të mundshëm”, thotë Ahmeti për KALLXO.com

Edhe kandidatit tjetër për të parin e FFK-së, Remzi Ejupi thotë se është bërë shkelja e statutit kur është vendosur që zgjedhjet të mbahen më 6 prill.

“Kjo është frikë për humbje, kjo duhet me u anulua krejt, ketë e ka bërë edhe sekretari i FFK-së”, ka thënë Ejupi.

Ai thotë se programin e tij për FFK-në do ta paraqes prej javës së ardhshme.

“Programin do ta shpalosim prej javës së ardhshme, është plan program perëndimor” ka thënë Ejupi.

Për të kandiduar një kandidat duhet të sigurojë 15 nënshkrime, lidhur më këtë Ejupi thotë se nënshkrimet duhet të mblidhen në momentin kur nis fushata dhe jo më herët.

“Nënshkrimet nuk i kom mbledh ende, kush mbledh nënshkrime para kohe vetëm ka tendencë për kontrabandë, nënshkrimet duhet të mblidhen vetëm atë ditë kur del në fushë”, ka thënë Ejupi.

Në kuvendin zgjedhor që pritet të mbahet më 6 prill, të drejtë vote kanë 59 delegatë. Secili nga kandidatët për të paraqitur kandidaturën i duhen gjithsej 15 nënshkrime të delegatëve të lartcekur. Të gjithë delegatët kanë të drejtë vetëm një nënshkrim.

Eroll Saliun në një prononcim për KALLXO.com, ka thënë se e ka informuar MKRS-në për zhvillimet në FFK.

“Po është e vërtetë, unë letër i kam dërguar Komitetit Ekzekutiv letër, aktualisht jam këshilltar ligjor i FFK-së dhe si këshilltar ligjor mendoj që zgjedhjet më 6 prill janë kundër statutit të FFK-së”, ka thënë Saliu për KALLXO.com

Edhe nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për KALLXO.com thonë se janë duke u marrë me ketë çështje.

KALLXO.com është drejtuar me një letër edhe Federatës së Futbollit të Kosovës gjatë ditës së djeshme dhe ditës së sotme për të marr një prononcim lidhur me mundësinë e shkeljes së statutit e po ashtu edhe nëse Agim Ademi do të jetë njeri nga kandidatët për të parin e FFK-së.

Nga FFK-ja për KALLXO.com nuk kanë treguar nëse është bërë shkelja e statutit të FFK-së por vetëm kanë konfirmuar që Agim Ademi do të jetë njëri prej kandidatëve.

“Shumë shpejt Presidenti Ademi do të prezantoj programin për mandatin e ardhshëm, me ç ‘rast do të keni mundësi të merrni përgjigje në lidhje me gjithë procesin zgjedhor”, thuhet në përgjigjen e FFK-së për KALLXO.com