KF Fushë Kosova pa humbje në shtatë xhirot e fundit

Klubi i futbollit “KF Fushë Kosova”, nuk po di për humbje që 7 ndeshje radhazi në Ligën e Parë të Kosovës në futboll, grupi B.

Fitorja e fundit ishte të dielën përball Arbërisë nga Lipjani. Klub nga Fushë Kosova mposhi vendasit me rezultat 2:1.

KF Fushë Kosova garon në ligën e parë dhe renditet në vendin e katër, me 28 pikë të grumbulluara pas 19 xhirove të zhvilluara.

KF Fushë Kosova është vetëm një pikë më pak nga KF Ramiz Sadiku, që ka 29 pikë dhe renditet në vendin e tretë.

Kryetrajneri i KF Fushë Kosova, Burim Shala, që mori drejtimin e klubit vetëm 9 xhiro ma parë, suksesin ia atribuon lojtarëve por njëkohësisht edhe klubit në përgjithësi.

“Jam krenar me djemtë në fushë. Në secilën xhiro ata po japin maksimumin dhe, natyrisht, rezultatet nuk mungojnë”, thotë për Kallxo.com kryetrajneri Shala.

Kryetrajneri i KF Fushë Kosova, Burim Shala

Mirëpo, suksesi i javëve të fundit i KF Fushë Kosova si dhe rezultatet pozitive në fushën e lojës janë meritë edhe e vetë kryetrajnerit Shala, i cili me ta marrë drejtimin e këtij klubi ia ka dalë që ta vendosë një standard të ri sa i përket anës teknike, përgatitjes fizike si dhe ndryshimit të mentalitetit brenda klubit.

“Ka një disponim pozitiv brenda nesh dhe secili lojtar e di saktë rolin dhe punën që duhet përmbushur,” thotë Shala.

“Kjo është xhiroja e nëntë që kur unë kam marrë drejtimin e klubit dhe rezultatet janë përgjithësisht pozitive. Kemi arritur gjashtë fitore, dy barazime dhe vetëm një humbje. Momentalisht jemi në vendin e katërt të renditjes tabelare dhe synimi ynë si klub fillimisht ishte mbetja në ligë mirëpo rezultatet e ndeshjeve të fundit na kanë dhënë shpresë se sezonin mund ta përmbyllim në top tre, e pse jo edhe për kreun e tabelës,” shton tutje kryetrajneri Shala.

“Besoj dhe shpresoj shumë se nëse vazhdojmë më ritmin aktual pozitiv si dhe me punë dhe angazhim maksimal mund edhe të përfundojmë në kreun e tabelës. Kemi edhe shumë lojë përpara andaj gjithçka është e mundur,” thotë Shala.

Pas xhiros së 19-të të Viva Fresh Ligës së Parë, KF Fushë Kosova renditet në vendin e katërt me 28 pikë.

Në xhiron e ardhshme, KF Fushë Kosova do të përballet me skuadrën nga Vitia “FC Vitia” me fillim prej orës 13:00. 

Kryetrajneri Shala është optimist se do të kthehen me tri pikë edhe nga Vitia duke vazhduar kësisoji me rezultate pozitive edhe pas xhiros së 20 të Ligës së Parë të Kosovës në futboll.