Vajzat shqiptare dhe serbe duke luajtur futboll në Shtërpcë, Foto: Astrit Perani/KALLXO.com

Në Kosovë, futbolli i vajzave shënon gol kundër tabuve etnike

Vajzat që merren me futbollin në Kosovë kanë nisur të bëjnë ndryshime në marrëdhëniet sportive në vend. Përderisa në ligat e djemve, serbët dhe shqiptarët ende nuk luajnë futboll bashkë, një realitet tjetër paraqitet në futbollin e vajzave.

Engjëllusha Tasholli është një futbolliste shqiptare 16-vjeçare nga qyteti i Lipjanit që luan për klubin futbollistik të vajzave “Prishtina”. Anxhela Çanaçeviq është 3 vjet më e re dhe vjen nga qyteti malor i Shtërpcës, dhe luan futboll për klubin lokal “Brezovica”.

Në mëngjesin e datës 4 nëntor po binte shi në Shtërpcë dhe skuadra vendase, e dominuar nga vajzat serbe, i mirëpret bashkëmoshataret e tyre shqiptare nga Prishtina në një fushë futbolli artificiale dhe të mbuluar.

Ato së bashku do të zhvillojnë një ndeshje miqësore.

Për më shumë se tri dekada, që nga shpërbërja e Jugosllavisë, shqiptarët dhe serbët në Kosovë kanë bërë aktivitete sportive të ndarë nga njëri-tjetri, duke krijuar një hendek të madh komunikimi mes të rinjve nga çdo komunitet, por në muajt e fundit disa vajza të reja janë pionere të këtij bashkëpunimi.

Çanaçeviq ka një vit që ushtron futboll, prej se e kishte kuptuar se i pëlqen ky sport.

Për 13-vjeçaren, bashkëpunimi me vajzat e Prishtinës është shumë i mirë dhe ky shoqërim i tyre nuk ndikohet nga politika.

“Kemi luajtur me klubin e Prishtinës. Nuk kemi pasur kurrfarë problemesh. Çikat e Prishtinës janë vërtetë çika shumë të mira. Pas lojës kemi dalë bashkë. Nuk kemi pasur kurrfarë tensionesh dhe gjithmonë kemi kaluar kohë shumë të bukur’’ – ka treguar Çanaçeviq për KALLXO.com.

Se a janë shqetësuar prindërit e saj kur i ka njoftuar se do të luajë në një qytet tjetër me vajzat nga Prishtina, ajo thotë se kjo nuk ka ndodhur.

“Prindërit e mi kurrë nuk kanë pasë ndonjë vërejtje. Nëna ime punon në Prishtinë, bashkë me shqiptarë. Kurrë nuk më kanë ndaluar ndonjë gjë në këtë aspekt, çfarëdo qoftë ajo” – ka thënë Çanaçeviq.

Kështu, Çanaçeviq teska kujton mbështetjen që KFV Prishtina i dhuron klubit të saj, shton se shoqërinë mes tyre nuk e lidhin me politikën dhe se argëtohen me futbollin.

“Mbështetjen në radhë të parë e kemi nga njëri tjetri dhe nga trajneri. Edhe klubi i Prishtinës na jep mbështetje, na jep paisje, na ofron mundësi që të udhëtojmë së bashku. Pra, kemi mbështetje të shkëlqyeshme” – ka shtuar ajo.

Golat që u shënuan në Kosovë e Spanjë

Çanaçeviq ndonëse nuk ka ndonjë ekip a lojtar të preferuar, ajo ka shkelur stadiumin e ekipit të futbollit Barcelona, Camp Nou, së bashku me vajzat e klubit të Prishtinës. Ndeshjet dhe stërvitjet mes tyre nuk është se i kanë kursyer edhe në Spanjë.

“I kemi luajtur 4 lojë dhe ka qenë shkëlqyeshëm. Kjo përvojë ka qenë vërtetë e shkëlqyeshme. Ky ka qenë edhe fluturimi im i parë ndonjëherë. Ka qenë hera ime e parë në Spanjë. Kemi njoftuar kulturë të re, kemi parë vende të reja. Kemi parë shumë gjëra të reja përveç futbollit, por edhe kemi mësuar se çka do të thotë shpirti dhe puna ekipore” – ka kujtuar Çanaçebiq vizitën në Barcelonë.

Së bashku me Çanaçeviq, në Spanjë ka qenë edhe bashkëlojtarja e saj, Jana Simanoviq. Simanoviq ushtron futboll që 3-4 vjet. Ajo në fillim nuk i kishte shpëtuar mendimit se futbolli është për djem, mirëpo gjithçka kishte ndryshuar kur kishte shkelur në fushë.

“Kemi qenë bashkë në Spanjë dhe në Shqipëri me vajzat shqiptare të KF Prishtinës. Me të vërtetë jemi kënaqur shumë bashkë me to atje. Jemi shoqëruar dhe kemi komunikuar bashkë dhe me të vërtetë ka qenë bukur. Kam qenë edhe në Prishtinë dhe kam luajtur bashkë me to në ekipin e Prishtinës kundër ekipeve tjera dhe jemi kënaqur shumë” – është shprehur Simanoviq.

Simanoviq gjithashtu thotë se, prindërit e saj nuk kanë qenë shumë të shqetësuar për shoqërimin me vajzat shqiptare, pasi trajneri i tyre ka qenë i pranishëm.

“Kemi qenë në stadiumin Camp Nou. Kemi parë lojën Barcelona kundër Chelsea, vajzat. Pastaj kemi shkuar edhe në Muzeun e Barcelonës. Kemi shkuar edhe në disa ligjerata që i kanë mbajtur menaxherë të ndryshëm të Barcelonës. Kemi luajtur edhe ndeshje, madje kam shënuar edhe gol, si dhe një gol nga penalltia’’ – e ka përshkruar eksperiencën në Barcelonë, Simanoviq.

Ajo po ashtu ka treguar se shoqëria me vajzat nga Prishtina është reflektuar edhe në rrjete sociale, ku ndonjëherë dëgjohen me njëra-tjetrën.

‘’Nuk na paraqet problem që ato janë të një kombësie tjetër. Ne gjithsesi kalojmë mirë bashkë dhe kemi shoqëri të mirë me to’’ – ka thënë ajo.

Udhëtimi për në Spanjë ishte realizuar me grup të përbashkët dhe multietnik.

Engjëllusha Tasholli i kujton me plot emocion ditët e kaluara në Barcelonë të Spanjës, ashtu siç e quan ajo një ëndërr e kahmotshme.

‘’Kena arrit m’i lujtë dy ndeshje miqësore ku njërën prej tyre e kemi fitu, tjetrën e kemi humb. Po ashtu kena shku e kena këqyrë lojën gjysmë-finale Barcelona me Chelsea-n, ekipi i parë tek femrat, ku Barcelona ka fitu, mandej e ka fitu në lojën tjetër krejt Champions League edhe mendoj që u kanë eksperienca ma e mirë që kena me pas najherë në jetën tonë’’ – ka përmendur Tasholli.

Në këtë vizitë kanë marrë pjesë edhe bashkëlojtaret e Tashollit në U-17, të cilat me vajzat e nacionalitetit serb kanë komunikuar përmes gjuhës angleze.

“U kanë shumë mirë, në fillim është kanë rëndë komunikimi, po ja kem dalë t’u folë edhe anglisht pasi që janë kanë edhe në fazën përgatitore vitin e kalum ku kemi kalu shumë mirë me to edhe ke mujt me komuniku me to përmes gjuhës angleze, po edhe në futboll njëjtë kuptohemi” – ka shtuar Tasholli.

Tasholli e ka falenderuar menaxheren dhe stafin e klubit për ekipin që e kanë ndërtuar dhe përkushtimin që kanë për t’i fuqizuar vajzat, pa dallim.

“Sporti i futbollit është i dominum prej mashkujve po tash prej hapave të vogël ja kanë nisë me marrë edhe femrat shumë, e ky sen më pëlqen ma së shumti në ekip që i fuqizojmë shumë femrat, pa marr parasysh se çfarë nacionaliteti kanë” – ka theksuar ajo.

Përbërja e ekipit ‘’KFV Prishtina’’ dhe të stërviturit në stadiumet e kryeqytetit

Vajzat e Prishtinës luajnë në ligën e vajzave U-17, ligën e parë dhe superligë. Të premten e datës 20 tetor, duke filluar nga ora 08:00, vajzat nga komunat Ferizaj, Suharekë, Lipjan, Shtime, Prishtinë janë stërvitur për më shumë se një orë.

Ndërsa më 24 tetor, kanë zhvilluar një ndeshje në Malishevë, nën duartrokitjet e tribunës së stadiumit e instruksionet e trajnerit.

Në ekipin e tyre që nga muaji tetor është bashkuar Amina Zekiq, me prejardhje boshnjake. Historia e saj me futbollin kishte nisur në fshatin Vitomiricë të Pejës, duke luajtur fillimisht me vëllezërit, pastaj në shkollë deri kur është hapur një klub futbolli për vajza dhe ajo është bërë pjesë e tij.

‘’Po, fillimisht babai im nuk më lejonte të luaja sepse është një sport për djem dhe pastaj kur unë stërvitesha e vetme në kopshtin e shtëpisë, ai e pa se unë e dua futbollin dhe më pas ai më solli në stërvitje, ai vinte t’i shikonte ndeshjet dhe tani ai me të vërtet më mbështet mua’’ – ka thënë Zekiq.

Për faktin se Zekiq luan futboll nuk është se ka pranuar ndonjë paragjykim nga shoqëria apo njerëzit tjerë. 

Ajo ka një raport të mirë me vajzat e Prishtinës dhe me to komunikon në gjuhën shqipe.

“Unë zgjohem rreth orës 07:00, dhe bëhem gati dhe mezi pres të stërvitem me vajzat. Ato janë gjithashtu shumë mbështetëse dhe kur unë erdha herën e parë në Prishtinë ato ishin shumë shoqëruese me mua dhe ato e dinë që unë jam boshnjake. Ato provuan të komunikonin me mua sa më mirë dhe madje ato thanë – nëse është për ty e vështirë të flasësh shqip, mund të flasësh anglisht me ne, pa problem” – ka treguar Zekiq.

Kurse, 16-vjeçarja Erjona Mehmeti zgjohet në ora 04:00 të mëngjesit për të udhëtuar nga Ferizaj në Prishtinë për stërvitjet e klubit dhe për të, bashkëpunimi me Zekic dhe lojtaret nga Shtërpca është i pakompleks.

“Së fundi e kemi pas një miqësore me ekipin e Brezovicës edhe kalojna shumë mirë, nuk i kena ato problemet që ka pas luftë ose diçka, se normal është sen i madh amo nuk e lajna me na ndiku qaq shumë neve, se nuk kena faj as na, as ato. Edhe shoqërohemi normal mes veti” – ka thënë Mehmeti.

Sipas Mehmetit, ngjarjet në veri të Kosovës nuk ndikojnë kur luajnë me lojtaret e nacionalitetit serb.

“Jo, janë sene që s’na takojnë neve me vendos as kurgjo, kështu që s’çon peshë shumë te na me u shoqëru me to, nuk është problem” – ka sqaruar Mehmeti.

Ndeshja mes të kaluarës, tashmes dhe të ardhmes – përndjekja nga politika

Loja e futbollit tek vajzat ëshë shndërruar në një model komunikimi në mes grupeve etnike që jetojnë në Kosovë ndërsa në të ardhmen premtohen edhe avancime në këtë fushë. 

Shikuar nga këndvështrimi i dikur lojtares, e cila në vitin 1984 i kishte dhënë përgjigje pyetjes se a është futbolli për çika, Afërdita Fazlija, nuk mendon se bashkëpunimi i vajzave të Prishtinës me vajzat e Shtërpcës duhet të ketë vëmendje të veçantë, por të shihet si normale.

Fazlija, tani në pozitën e zëvendës drejtoreshës në departamentin e sportit në Ministri të Kulturës, gjatë viteve ‘80 kur kishte luajtur futboll, i kishte tejkaluar shumë paragjykime dhe vështirësi për të ardhur deri te stërvitjet.

Për shkak se ajo vinte nga një fshat i Drenicës, udhëtimin për në Prishtinë e bënte me 4 autobusë. Për shkak të kësaj, ajo i krahason 60 kilometrat e viteve ‘80 me 300 kilometrat e kohës së sotme.

“Çështja e sportit nuk duhet të përdoret si politikë, nuk duhen të përdoren si standarde që na te kemi një ekip, dy ose t’i kemi dy-tri vajza që luajnë një klub. Ne duhet sinqerisht si njerëz të sportit, t’i krijojmë kushte të gjithë ata të ri dhe të reja që janë qytetarë të Republikës së Kosovës të kanë të drejta të barabarta” – është shprehur Fazlija.

Sipas Fazlijës, politika ndikon në futboll pasi prek pjesë të ndjeshme në të, mirëpo zgjidhja ndaj kësaj do të ishte që të depërtohet në vendet më rurale për ta prezantuar sportin, në mënyrë që ndikmet politike të jenë afat-shkurta.

Kështu që, për të, bashkëpunimi mes lojtareve të Prishtinës dhe atyre me nacionalitetet tjera duhet të vazhdojë.

“Duhen edhe vajzat edhe djemtë edhe të komuniteteve tjera me e prek realitetin i cili është në Kosovë edhe me pa që çështjet politike duhet t’i mbesin politikës dhe çështjet e të jetuarit, çështja e merrjes me sport është krejt një filozofi tjetër” – ka theksuar Fazlija.

Organizata joqeveritare “Komunikimi për Zhvillim të Shoqërisë – CSD” në Graçanicë, ka dy dekada që ofron mënyra bashkëpunimi në mes komunitetit shqiptar dhe atij serb, brenda dhe jashtë Graçanicës. 

Ivan Nikoliq nga kjo organizatë tregon se, në vitet e para pas luftës, këto aktivitete mes komunitetit shqiptar e atij serb, i kanë organizuar në vende neutrale, në Maqedoni, Shqipëri e Mal të Zi, pasi që kjo ka qenë më e lehtë për të dyja palët.

Pavarësisht se ai i sheh fushat sportive si hapësirë ku më së shumti promovohet nacionalizmi, urrejtja ndëretnike, për të, sporti do të duhej t’i bashkonte njerëzit.

“Ky bashkëpunimi me ekipet e futbollit është shumë i mirë dhe mendoj se është diçka që të paktën mund të bëjë një hap që komunitetet tona të afrohen më shumë, kur ato për fat të keq, edhe pas më shumë se 20 viteve pas konflikti, janë në një lloj konflikti të heshtur, prandaj kjo bën që ato të afrohen dhe më në fund të ecin përpara” – ka thënë Nikoliq.

Bazuar në përvojën e tij, Nikolic kujton se të dy palët, shqiptarët dhe serbët, nuk ishin të sigurt të tregojnë se bashkëpunojnë.

“Pra, ekzistonte një lloj ambienti, nuk mund të them frike, por nuk kishte relaks të mjaftueshëm, që ata të lëshoheshin e të ishin vetvetja, sepse ata mbase në njëfarë mënyre, thellë në kokën e tyre, e kishin atë drojën se dikush do t’i shohë, si do të sillen njerëzit nga komuniteti i tyre, ose si do të reagojnë nëse i shohin ata duke bashkëpunuar me njerëz nga një komunitet tjetër” – ka treguar ai.

Mirëpo, sipas Nikoliq situata është përmirësuar më vonë dhe nuk kishin nevojë për një terren neutral që të nxisnin bashkëpunimin mes tyre.

“Nga ana tjetër, ngjarjet që ndodhën në Banjskë sigurisht që na kthyen 20 hapa mbrapa dhe në shumë mënyra ndikuan që disa marrëdhënie mes serbëve dhe shqiptarëve, të cilat sapo u rregulluan një grimcë, të kthehen dhe të ‘resetohen fabrikisht në gjendje të vitit 1999’’’ – ka deklaruar Nikoliq.

Si përfundim, Nikoliq, pajtohet që këtyre vajzave t’u ofrohet mbështetje dhe bashkëpunimi që kanë të mos shuhet.

“Mendoj se vajzave duhet t’u jepet një lloj mbështetjeje, por duhet pasur parasysh se çfarë po kalojnë në të vërtetë dhe çfarë problemesh kanë. Unë jam absolutisht pro faktit që ato duhet të mbështeten, që sporti duhet të promovojë fer-play, bashkëpunim, dashuri” – ka përfunduar ai.

Çikat që prisnin në kafe teksa stërviteshin vëllezërit e tyre, ‘strehuan’ talentin në KFV Prishtina

Klubi Futbollistik i Vajzave “Prishtina” është krijuar në vitin 2019 nga Armenda Filipaj. Filipaj i ka mbledhur ato vajza që i ka parë se i shoqëronin vëllezërit e tyre në stërvitje, por që i pritnin në kafe së bashku me prindërit, pavarësisht se talenti nuk iu mungonte.

Organizata të ndryshme ndërkombëtare dhe disa komuna i ofrojnë mbështetje këtij klubi, pjesë e të cilit janë edhe skuadrat e futbollit të vajzave në Shtime, Graçanicë, Vitomiricë të Pejës, Lipjan dhe Dragash.

Filipaj vlerëson se sporti ka ndihmuar në thyerjen e paragjykimeve që vajzat e Prishtinës mund t’i kenë pasur për ato të Shtërpcës, dhe anasjelltas. Sipas saj, ato janë takuar mbi 7-8 herë.

T’u e pas parasysh gjendjen ekonomike në vendin tonë është e pamundur secila familje me pas mundësi me mbulu futbollin, ka përparësi të tjera, ka kurse të tjera të cilat janë të domosdoshme për shkollë edhe jam mundu madje me e gjet një mënyrë që vajzat përmes fondeve, përmes projekteve që i zhvillojmë me vajzat, m’i mbulu shpenzimet operative të klubit siç është trajneri, fusha për stërvitje mandej rekuizitat edhe gjitha tjerat, në mënyrë që prindërit mos me pas asnjë obligim tjetër veç me i sjell vajzat” – ka thënë Filipaj për KALLXO.com.

Ata mundohen ta mbajnë politikën larg futbollit, duke siguruar nevojat e domosdoshme që asgjë të mos ndikohet nga ngjarjet që ndodhin.

“Mundohemi ta mbajmë politikën larg sportit kur jemi me vajzat edhe jemi me fat që trajneri i tyre (klubit ‘Brezovica’) është jashtëzakonisht mendjehapur dhe është 100 për qind i orientuar në sport. Edhe në fillimisht kur kemi diskutu me të edhe kur e kemi kontraktu, kur e kemi arritë marrëveshjen e bashkëpunimit, ne kemi vënë disa pika në atë marrëveshje ku asnjëherë, d.m.th e kemi obligim që fokusin me pas të vajzat” – ka përmendur Filipaj.

“Jemi mundu që mos me i nda, mos me thanë ‘Prishtina’ kundër ‘Shtërpcës’, po çka kanë pas ato nevojë janë kombinu p.sh nuk kanë pas portiere, na ja kemi dhënë portieren tonë, nuk kanë pas sulmuese, e kanë marrë një vajzë sulmuese prej ekipit tonë, sepse ekipi i Prishtinës është jashtëzakonisht i madh edhe atëherë kur kemi shku kemi qenë mbi 40 vajza, edhe ideja është që vajzat përmes futbollit m’i thy të gjitha sterotipizimet etnike, kulturore edhe me pa që janë të njëjta.”

Si rezultat, ajo ndihet e lumtur që përmes futbollit ka arritur të ndërtojë paqe në mes etnive në Kosovë.

Zhvillimi i sportit dhe veçanërisht futbollit tek vajzat edhe përkundër suksesit ka probleme sidomos me sigurimin e përkrahjes dhe mbështetjes financiare. Mungojnë terrenet dhe hapësirat të cilat do ta garantonin një proces më të lehtë për ta zhvilluar sportin.

“Problemi i fushës domthënë nuk mundesh me bo orarin me thanë – vajza keni stërvitje të hanën, mërkurën, premten, nuk ka shanse, d.m.th gjithmonë del diçka edhe fushat janë jashtëzakonisht të ngarkume edhe nuk mundemi, dmth në mbrëmje ju tregon për nesër edhe shpesh herë ndodhë që shumë vonë e marr vesh edhe shumë vajza s’e kuptojnë që ka stërvitje mandej duhet m’i thirr herët në mëngjes, hej nisuni se u gjet fusha’’ – ka theksuar njërën nga sfidat, Filipaj.