David Hale, Nën-Sekretar Amerikan i Shtetit. Foto: ShareAmerica/Youtube

Zyrtari i lartë amerikan vjen në Kosovë më 9 mars

Nën-Sekretari Amerikan i Shtetit, David Hale, do të qëndrojë në Kosovë më 9 mars.

Në një njoftim të lëshuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit thuhet se Hale do të vijë në Kosovë në kuadër të një turneu vizitash në Europë që përfshin edhe vizitat në Britaninë e Madhe, Ukrainën dhe Serbinë.

Sipas njoftimit, gjatë vizitës në Kosovë, nën-Sekretari Hale do të takohet me zyrtarë të lartë kosovarë “për ta nënvizuar mundësinë historike për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë dhe për të kërkuar masa që të arrihet zgjidhja”.

Një ditë para se të vijë në Kosovë, David Hale do të qëndrojë në Beograd ku, sipas njoftimit, do të takohet me zyrtarë të lartë të Serbisë për të diskutuar marrëdhëniet bilaterale dhe “për të avokuar për kthimin në dialogun për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën”.

“Ai gjithashtu do ta drejtojë një diskutim me liderë të shoqërisë civile për të diskutuar çështjet me brengë rajonale e globale, përfshirë edhe ndikimin rus dhe kinez në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në njoftimin e Departamentit Amerikan të Shtetit.