Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, 15.02.2024, Foto: Kryeministria e Shqipërisë

Blinken mbërrin në Tiranë – FOTO

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka ateruar në Tiranë, në kuadër të një vizite zyrtare me ç’rast pritet të zhvillojë takime me krerë shtetërorë shqiptarë.

Blinken është pritur në aeroport nga ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Igli Hasani.

“I lumtur për të mirëpres Sekretarin e Shtetit Antony Blinken në vizitën e tij të parë zyrtare në Shqipëri. Partneriteti dhe bashkëpunimi strategjik i Shqipërisë me SHBA-në, aleatin tonë të vjetër, vetëm sa do të forcohet, i ndërtuar mbi një themel të fortë midis vendeve dhe njerëzve tanë”- ka shkruar Hasani në platformën X.

Sipas agjendës së publikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, e cila përmban një sërë takimesh më 15.02.2024, Blinken fillimisht do të zhvillojë takim në Ambasadën Amerikane në Tiranë në 13:35h.

Në 14:15h ai do takohet me aplikantët afganë për vizë emigruese speciale.

Më pas në 15:05h Blinken do të takohet me presidentin shqiptar, Bajram Begaj. Ndërsa në 15:35 h, sekretari do të mbajë fjalim në një aktivitet të të rinjve dhe të diplomuarve me temë “Festojmë të ardhmen e marrëdhënieve SHBA-Shqipëri”.

Kurse në 16:15h, sekretari amerikan do të takohet me kryeministrin shqiptar, Edi Rama. Të dy më pas pritet të mbajnë një konferencë të përbashkët për media në 18:10h.

Vizita e Blinken do të përcillet me masa të larta sigurie. Policia e Shtetit ka njoftuar se qarkullimi i automjeteve në disa pjesë të Tiranës do të jetë i ndaluar prej mëngjesit të datës 15.02.2024 deri në përfundim të vizitës së Blinken pasdite.

Kryeministri Rama ka thënë se vizita e paraparë të Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken është e një rëndësie të veçantë.

Sipas tij, vizita e Blinken tregon se shteti shqiptar është ngritur në “një tjetër nivel” në pozicionimin e tij ndërkombëtar.

“Pa diskutim që është një vizitë me rëndësi të veçantë vizita e çdo Sekretari të Shtetit në Shqipëri. Në fund të fundit, Shqipëria nuk është një vend i madh, as me fuqi ushtarake. Por, me sa duket, është një vend i rëndësishëm për Shtetet e Bashkuara, në këtë kohë kaq të trazuar. Kjo do të thotë se Shqipëria është ngjitur në një tjetër nivel në aspektin e pozicionimit dhe prezantimit të saj ndërkombëtar siç është angazhimi i fundit në Këshillin e Sigurimit”- ka thënë ai në ATV më 14.02.2024.

Rama ka thanë se kjo vizitë lidhet edhe me një besim shumë të fortë të aleatëve strategjikë te Shqipëria, pesha në rajon dhe me një konsideratë të veçantë me rolin që ka marrë përsipër Shqipëria në rajon si një dorë e shtrirë e miqësisë.

Kjo është vizita e parë e Antony Blinken në Shqipëri dhe e gjashta e një Sekretari amerikan të Shtetit.