Ilustrim

Projekti 'Vizita për gra shtatzëna dhe fëmijë 0-3 vjeç' në kryeqytet rrezikon të dështoj nëse nuk ka rritje të stafit

Komuna e Prishtinës në vitin 2023 ka nisur zbatimin e projektit vizita për nëna lehona dhe fëmijë nga 0-3 vjeç, por sfidë për implementim të duhur të tij është mungesa e stafit mjekësor të mjaftueshëm për të kryer gjithë vizitat që nevojiten.

Ky projekt ka nisur qe disa vite nëpër komunat tjera, por Prishtina e ka nisur më vonë për shkak të numrit të kufizuar të stafit mjekësor dhe nëse nuk ka rritje, projekti rrezikon të dështoj.

Me regjistrimin e fundit, Prishtina ka 200 mijë banorë, andaj edhe numri i stafit mjekësor në kujdesin parësor është caktuar në bazë të këtij numri, gjë që paraqet problem, pasi kryeqyteti ka shumë banorë që nuk kanë bërë ndërrim të adresave prej vendeve ku vijnë, por shërbimet i marrin në qendra të mjekësisë në kryeqytet, duke ngarkuar kështu punën e satfit.

Drejtori i Shëndetësisë në komunë, Izet Sadiku në një deklarim për Kallxo.com bëri të ditur se vetëm vitin 2023, kanë dhënë 3.5 milionë shërbime në kujdesin parësor.

“Ne kemi pas sfidë në nisje të këtij projekti pasi nevojitet numri i stafit të infermierëve të jetë më i madh. Vitin e kaluar ka nisur dhe kemi bërë rreth 1 mijë vizita”- u shpreh Sadiku.

Ai sqaroi se cili është qëllimi i këtij projekti dhe sa vizita parashihen për gratë gjatë shtatzanisë dhe pas lindjes.

“Qëllimi i këtij projekti është që t’i bëhen dy vizita grave shtatzëna dhe pesë vizita tjera bëhen tek fëmijët pas lindjes deri në 3 vjeç. Qëllimi është që së pari të përgatiten gratë për shtatzaninë, si duhet të sillen, ushqehen, çfarë aktivitete duhet të bëjnë me qëllim ta përballoj më lehtë procesin e lindjes dhe të jetë psikikisht e përgatitur për këtë proces, sepse shpesh mund të kenë probleme pas lindjes kur nuk janë të përgatitura”- u shpreh Sadiku.

Sipas tij, vizita e dytë bëhet para lindjes, aty informohen si duhet kujdesur për beben.

“Vizita tjetër bëhet menjëheherë pas lindjes për të parë si po adaptohet, ushqyerjen. Pastaj vizita e dytë pas lindjes bëhet diku në muajin e 6-të, vizita e tretë në fund të vitit të parë, pastaj nga një vizitë në vitin e dytë dhe tretë”- deklaroi Sadiku.

Sadiku potencoi se qëllimi është të shihet vaksinimi, zhvillimi psiko-motorik i fëmijës, nëse ka ndonjë problem pasi shumë sëmundje mund të paraqiten në këtë moshë.

Por, për implementim të këtij projekti komuna përballet me numër jo të mjaftueshëm të stafit mjekësor.

“Problem e kemi stafin, ne kemi përkrahje nga Ministria e Shëndetësisë diku rreth 500 mijë euro, por vitin e kaluar e kemi pasur një problem pasi ministria na ka thënë që nuk mund të punësojmë njerëz dhe kjo na krijon problem pasi këtu çështja kryesore është numri i infermierëve”- shtoi tutje Sadiku.

Drejtori theksoi se këtë vit po mendojnë që me këto mjete të hapin një tender dhe të gjejnë një kompani që ofron shërbime të tilla dhe angazhon edhe staf.

“Konsiderohet se numri vizitave që duhet të bëhen është rreth 20 mijë vizita brenda një viti dhe duhet shumë staf, këtë nuk mund të ndajmë nga safi në kujdesin primar”- theksoi Sadiku.

Për këtë projekt, identifikimi i grave shtatzëna bëhet përmes qendrave të mjekësisë familjare dhe përmes thirrjeve.

“Për këtë nevojitet një staf më i madh që merret çdo ditë me këtë projekt, pasi ne duhet të bëjmë më shumë njoftim”- tha Sadiku.

Ai madje përmendi edhe faktin që janë përballur me hezitime për këto kontrolle.

“Vitin a kaluar kemi pas plotë hezitime për këto kontrolle, por pasi i kanë marr shërbimet pastaj nuk kanë përtuar për tjetrat shërbime”- tha Sadiku.

Akutalisht, komuna e Prishtinës jep shërbime mjekësore vetëm në kujdesin parësorë ku janë të angazhuar 871 mjekë/infermierë.

Në vitin 2023 Ministria e Shëndetësisë njoftoi se do të shpërndajë 22 makina për vizita mjekësore në shtëpi për nëna dhe fëmijë.

Komunave do t’iu shpërndahen 22 makina për vizita mjekësore në shtëpi për nëna e fëmijë deri 3 vjeç