Deputetja Musliu në SHBA takon kongresistin Mike Turner, flasin për sfidat e sigurisë në Kosovë

Kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, dhe njëkohësisht deputetja e  Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, gjatë qëndrimit në SHBA, zhvilloi takim me kryesuesin e Komisionit për Inteligjencë në Dhomën e Përfaqësuesve në Kongresin e SHBA-ve, Mike Turner.

Sipas një komunikate për media të Kuvendiut të Kosovës, në takim u fol u fol për shkëmbimin e përvojave dhe praktikave, me zotim se do të vazhdohet bashkëpunimi i deritashëm me interes të dyanshëm.

Deputetja Musliu e ka informuar kongresistin Turner lidhur me sfidat e sigurisë, me të cilat po ballafaqohet Kosova së fundmi, por edhe për angazhimin e komisionit për mbikëqyrje të AKI-së.

“Po ashtu, Musliu potencoi bashkëpunimin e shkëlqyer që AKI ka me institucionet relevante në SHBA dhe përkrahjen e deritashme që i është ofruar qoftë AKI-së drejtëpërdrejt, qoftë institucioneve tjera të sigurisë në Kosovë”- thuhet në komunikatë.

Kongresisti Turner gjithashtu është njoftuar nga Musliu edhe për procesin e plotësim-ndryshimit të ligjit për veprimtarinë e AKI-së, me të cilin parashihet përmirësimi dhe ngritja e kapaciteve teknike dhe njerëzore të këtij institucioni. Musliu ka thënë se mirëpret sugjerimet nga praktikat më të mira të komisionit homlog nga kongresi.

“Kongresisti Turner u njoftua nga Musliu edhe me rrethanat aktuale teknike dhe operacionale në të cilat vepron Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, si dhe me mungesën e hapësirës adekuate për të ushtruar funksionin, në të cilin do të shkëmbeheshin informatat sensitive dhe me interes për komisionin”- thuhet tutje në njoftim.

Në kumtesë tutje bëhet e ditur se, nga aspekti operacional, kongresisti Turner ndau edhe informatën se komisionet e ndryshme parlametare (NATO, BE, Mbretëri të Bashkuar etj.), kanë praktika të ndryshme dhe se duhet parë po ashtu se në mos janë më të përshtatshme për rrethanat aktuale në Kosovë.

Institucionet e Kosovës në vazhdimësi kanë bërë thirrje për anëtarësimin e Kosovës në aleancën më të madhe ushtarake në botë – NATO, si garanci për sigurinë në vend për shkak të kërcënimeve nga Serbia.

Thirrjet janë shtuar veçanërisht pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator të vitit të kaluar, nga ana e një grupi të armatosur serb, në krye Millan Radoiçiqin – në atë kohë nënkryetar i Listës Serbe, partisë politike më të madhe të serbëve të Kosovës.

Si pasojë e sulmit u vra polici i Kosovës, Afrim Bunjaku e dy të tjerë u lënduan. Policia e Kosovës gjeti armatim të konsiderueshëm në zonën e fshatit ku ndodhi mobilizimi i grupit.

Autoritetet e Kosovës demaskuan grupin, përmes publikimit të pamjeve me dron të cilat shfaqën edhe fytyrën e Millan Radoiçiqit. Për këtë të fundit ka lëshuar fletëarrestim organizata më e madhe ndërkombëtare e policisë, INTERPOL.