Kryediplomati britanik David Cameron ka mbërritur në Kosovë, nesër takohet me krerët e shtetit

Ministri i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron, ka mbërritur në Kosovë.

Sipas një komunikate për media, kryediplomati Cameron është pritur në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” nga zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.

Cameron dhe Gërvalla pritet të takohen nesër në mëngjes në zyrat e MPJD-së. Pas takimit ata do të mbajnë një konferencë për media.

Në vizitën njëditore kryediplomati britanik do të zhvillojë takim edhe me presidenten, Vjosa Osmani-Sadriu, dhe kryeministrin, Albin Kurti.

“Kjo është vizita e parë që Lord David Cameron zhvillon në Ballkan pas zgjedhjes së tij si Ministër i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar. Republika e Kosovës është destinacioni i tij i vetëm nga shtetet e Evropës Juglindore që kësaj radhe viziton ai”- thuhet në komunikatën për media të MPJD-së.

David Cameron ka qenë kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar gjatë viteve 2010-2016 dhe aktualisht ushtron detyrën e ministrit të Punëve të Jashtme.