Zyrtarët e Lajthitur Lirohen Nga Akuzat për Keqpërdorim

 

Megjithëse mungoi në seancën e sotme, kryetari i Shtërpcës Bratislav Nikoliq dhe zyrtari komunal i prokurimit, Agim Rexhepi u liruan nga akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Trupi gjykues i Gjykatës Themelore në Ferizaj, gjeti se të akuzuarit Nikoliq e Rexhepi lirohen nga akuza sepse ishin në lajthitje juridike dhe faktike.

“Meqë ekzistojnë rrethana që e përjashtojnë përgjegjësinë penale të pandehurit lirohen nga akuza, për veprën penale keqpërdorim i pozitës apo i autoritetit zyrtar pasi që trupi gjykues vlerëson se të pandehurit veprën e kanë kryer në lajthim faktik dhe juridik”, tha kryetari i trupit gjykues Musa Kongjeli duke lexuar vendimin.

Prokuroria i akuzonte Nikoliqin e Rexhepin se me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik të Kosovës, nuk kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare kur kanë lidhur aneks-kontratë në vlerë prej 346 mijë euro me operatorin ekonomik “Albes”, duke tejkaluar kështu 10 % të vlerës së kontratës bazë prej 1.5 milion euro për ndërtimin e tri ndërtesave në Shtërpcë, me të cilin kanë dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës.

http://kallxo.com/kryetari-i-shterpces-akuzohet-per-keqperdorim-te-detyres/

Gjyqtari tha se deri te ky përfundim kanë ardhur pas administrimit të të gjitha provave dhe është vlerësuar se nuk janë përmbushur elementet e veprës penale.

“Nuk është vërtetuar në asnjë mënyrë se te të pandehurit ka ekzistuar dashja, gjithashtu nuk është vërtetuar se qëllimi i përfitimit për veti apo tjetrin dhe nuk është vërtetuar shkaktimi i dëmit për arsye se ndërtimi është bërë, pagesat janë bërë”, tha Kongjeli.

Por pavarësisht lirimit nga akuza, Kongjeli e vërtetoi atë që thuhej në aktakuzën ndaj Nikoliqit e Rexhepit.

Gjykatësi e arsyetoi lëshimin me faktin se Kongjeli, si zyrtar për prokurim, nuk e ka kuptuar mirë një shpjegim të nivelit qendror, pasi që ka të kryer vetëm shkollën e mesme.

“Është e vërtetë se është tejkaluar 10 përqindëshi i lejuar sipas prokurimit publik… por duke pasë parasysh shkollimin e të pandehurit Agim Rexhepi i cili ka pasur të kryer shkollën e mesme dhe duke pas parasysh se kërkesa që është bërë në ministrinë përkatëse të ambientit  dhe kanë marrë përgjigje se lejohet lidhja e aneks kontratës në përputhje me nenin 34 të ligjit të prokurimit, mirëpo pas administrimit të provave trupi gjykues nuk është bindur se i pandehuri Agim Rexhepi, e ka kuptuar mirë përgjigjen e ministrisë, zyrës së prokurimit publik”, tha Kongjeli duke lexuar arsyetimin e aktgjykimit.