Bratislav Nikoliq, kryetar i komunës së Shtërpcës

Rasti 'Brezovica' - Shuma e parave që ju dhanë kryetarit të Shtërpcës sipas dosjes së Prokurorisë

Ish-Kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikoliq është sërish i përfshirë në dosjen e prokurorisë pas arrestimeve të fundit që u kryen për rastin e njohur si “Brezovica”.

Dosja përshkruan para të shumta që pronarët e hoteleve në Brezovicë dyshohet se i kanë dhënë ryshfet për kryetarin e Komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikoliq, përmes persona të tjerë.

Këto para u prokuroria pretendon se u dhanë që të lejohej ndërtimi i objekteve e hoteleve në zonën e Brezovicës.

Mustafë Shala është njëri nga pronarët e një objekti hotelier në Brezovicë. Ai sipas prokurorisë po dyshohet se i ka dhënë 50 mijë euro kryetarit Nikoliq për të marrë lejen e ndërtimit të objektit me përmasa B+P+4.

Kjo leje ishte dhënë në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit, Ujërat e Kosovës dhe Planin Hapësinor të Parkut Kombëtar “Sharri”.

I njëjti pronar dyshohet se ka dhënë edhe 60 mijë euro të tjera kryetarit Nikoliq për ndërtimin e katër villave.

Me këto veprime pronari i hotelit po dyshohet për dhënie të ryshfetit.

Një vepër tjetër që i ngarkohet Shalës është edhe ajo e ushtrim-ndikimit. Me veprimet e lartëpërmendura, Shala dyshohet se ka dhënë 110 mijë euro për kryetarin Bratislav Nikoliq në mënyrë që të ushtroj ndikim te i pandehuri tjetër Dimitrije Raiçiqeviq, si drejtor i urbanizimit.

Para të tjera dyshohet se janë dhënë edhe nga Florim Hamiti. I njëjti dyshohet se ka dhënë 10 mijë euro për kryetarin Bratislav Nikoliq, që ky i fundit të mundësoj ndërtimin e disa shtëpizave në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit, Ligjin për Ndërtimin dhe Planin Hapësinor të Parkut Kombëtar “Sharri”.

Edhe Hamiti po dyshohet për dhënie të ryshfetit dhe ushtrim ndikimi pasi që me paratë e njëjta dyshohet se ka kërkuar të ndikoj të ish-drejtori i Urbanizmit Dimitrije Raiçiqeviq.

45 mijë euro për ndërtimin e disa shtëpizave dyshohet se i ka dhënë ryshfet te ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikoliq, edhe Ruzhdi Aliu.

Paratë edhe në këtë rast siç përshkruhet në dosje të prokurorisë janë dhënë për të ndikuar te ish-drejtori i Urbanizmit që të lëshoi lejet e ndërtimit të tri shtëpizave në Brezovicë duke mos respektuar asnjë ligj.

I njëjti po dyshohet edhe për falsifikim të dokumentit publik. Sipas dosjes së prokurorisë i njëjti në vitin 2017 dyshohet se ka falsifikuar dokumentin publik, me qëllim që të përdoret si origjinal, në atë mënyrë që si gjeodet i licencuar me rastin e hartimit të dokumentit për situacionin e objektit hotelier “Kaona Hotel” të parcelës kadastrale 509/16 dhe 509/17, Z.K. Vërbeshticë, me pronare Sanije Geci, ka paraqitur të dhëna të pavërteta për gjendjen e lumit Murzhica, duke shënuar  vijën e lumit në dy situata, si lumi ligjor dhe lumi faktik, me qëllim që t`i mundësojë investuesit ndërtimin e objektit hotelier “Kaona Hotel” edhe pse e ka ditur se gjendja e lumit ishte e njëjtë, kurse një pjesë e objektit ishte ndërtuar mbi lumin Murzhica në kundërshtim me Ligjin për Ujërat e Kosovës, Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit, Ligjin për Ndërtimin dhe Planin Hapësinor të Parkut Kombëtar “Sharri”.

Hajrush Ajvazi dyshohet se nga viti 2015-2020, në Shtërpcë, si investues në vikend-zonë, në mënyrë të tërthortë dhe të drejtpërdrejtë, i ka dhënë dhurata në para dhe vikend-shtëpiza personit zyrtar me qëllim që të mos veprojë në pajtim me detyrat e tij zyrtare, në atë mënyrë që ka blerë pronë të paluajtshme në vikend- zonën e Brezovicës, me qëllim ndërtimi të vikend-shtëpizave, kështu që për lejimin e ndërtimit të vikend-shtëpizave, i ka dhënë nga 10 mijë euro për një leje të pandehurit Bratislav Nikoliq, përmes të pandehurit Jadran Kortiq.

Më vonë siç përshkruan prokuroria, janë bërë aksionar në ndërtim duke marrë secili pjesën e tij në atë mënyrë që i pandehuri ka ndërtuar vikend-shtëpizat, kurse të pandehurit Bratislav Nikoliq i ka dhënë vikend-shtëpi si kompensim për lejet ndërtimore, të cilat ndërtime janë realizuar në kundërshtim me Ligjin për Ujërat e Kosovës, Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit, Ligjin për Ndërtimin dhe Planin Hapësinor të Parkut Kombëtar “Sharri”,

Me këto veprime i njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale dhënie ryshfeti dhe ushtrim ndikimi.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me rastin ‘Brezovica’ mund ti lexoni duke klikuar në LINK