Foto: KALLXO.com

Zyrat moderne të Qeverisë së Serbisë në Shtërpcë (VIDEO)

Emisioni KallxoPernime ka siguruar pamje të objektit të strukturave paralele të Serbisë, të cilat operonin në Shtërpcë. Emisioni ka shpërfaqur momentet kur hetuesit e policisë ishin futur në zyrat e komunës paralele e cila funksiononte si komunë normale.

Në pamjet e shpërfaqura shihen zyrtarë dhe mobilje të reja, të cilat kishin mundësuar funksionimin normal të qeverisjes paralele në atë zonë. 

Njësitë speciale të udhëhequra nga Prokuroria e Ferizajt kishin mbyllur këto zyra disa muaj më parë. 

Materialet e transmetuara shpërfaqin edhe komunikimet në mes zyrtarëve të policisë dhe strukturave paralele. 

“Zyrat e komunës a janë këto sepse kemi një urdhër të Gjykatës për bastisje”- i thotë një hetues policor një personi aty.

Pjesë e reportazhit janë edhe komunikimet në mes prokurorit të rastit Rasim Maloku dhe zyrtarëve të tjerë.

“Komuna në sistemin e Kosovës është atje, kjo është komuna e vjetër me sistemin serb, ju që e quani një sistem paralel” – i thotë prokurorit një person aty duke treguar edhe zyrën e Bratislav Nikoliqit.

Prokurori i Krimeve të Rënda në Ferizaj, Rasim Maloku ka treguar se çka është hasur brenda atij objekti.

“Qysh po shihet këtu është një sistem paralel i organizimit të nivelit komunal që është i kundërligjshme ne bazë te ligjeve pozitive të Republikës së Kosovës dhe i patë edhe mbishkrimet ne dyer që tregojnë organizimin e drejtorive të caktuara njëra nga to është edhe zyra e ish kryetarit të komunës që ka punuar paralelisht edhe ne komunën legale edhe atë paralele që është Bratisllav Nikoliq i cili veç tash është i arrestuar”- theksoi Maloku  duke treguar se çka do të konfiskot aksionin e sotëm.

Prokurori Maloku kishte thënë se në qytetin e Shtërpcës, ka filluar një hetim ndaj 99 personave që kanë organizuar strukturat ilegale në Komunën e Shtërpcës.

“Kemi filluar një hetim ndaj 99 personave që kanë bërë këto organizime kundërkushtetuese duke bërë mbledhjen e informacioneve të cilat me pas i kanë bartur në strukturat e sigurisë në shtetin e Serbisë” – theksoi Maloku.

Prokurori i rastit “Brezovica”, ka urdhëruar mbylljen e këtij objekti, pasi janë larguar të gjithë punëtorët nga aty, ndërsa 4 persona janë shoqëruar për intervistim. Pasi policia ka sekuestruar dokumente dhe sende të tjera si prova materiale.