Reagimi "Stella Consulting", për pretendimet e prokurorisë në rastin e Shtërpcës

Javën e kaluar Prokuroria Themelore në Ferizaj në bashkëpunim me Departamentin e Krimeve të Rënda të Policisë së Kosovës zhvilluan një aksion në Shtërpcë për dhënien e lejeve ndërtimore nga zyrtarët komunal.

Në këtë aksion u arrestuna 10 persona, në mesin e tyre edhe ish-kryetari i komunës së Shtërpcës, Bratisllav Nikoliq.

Prokuroria pretendoi se ish-kryetari  Nikoliq ka pranuar 210 mijë euro ryshfet për dhënien e 21 lejeve ndërtimore të vikend shtëpizave për investitorin “Stella Consullting”, si dhe 200 mijë euro të tjera për lejen ndërtimore të objektit hotelier “Stella Consullting”.

Pak ditë pas këtij aksioni, investitori “Stella Consulting” ka reaguar duke thënë se nuk zhvillojnë vetë aktivitete ndërtimi por përmes kompanive ndërtuese në Kosovë, dhe se nuk presin të fitojnë nga ky aktivitet.

“Kompania “Stella Consulting” nuk zhvillon vetë në Kosovë ndonjë aktivitet ndërtimi por i gjithë ndërtimi bëhet nëpërmjet kompanive ndërtuese ekzistuese në Kosovë dhe si pasojë nuk ka fituar dhe nuk pret të fitojë asgjë nga aktiviteti i ndërtimit dhe të gjitha shumat e investuara deri tani apo edhe ato që do të investohen rrjedhin dhe do rrjedhin në kanalet e ekonomisë së shëndetshme të Kosovës duke i shërbyer rritjes ekonomike të saj”, thuhet në reagim.

Tutje, nga kompania thonë se aktiviteti i tyre është i bazuar në krijimin e raporteve juridike me kompani konsulente dhe kontraktorë të përgjithshëm.

“Kompania “Stella Consulting” është kompani investuese që investon projektin “Mështekna” dhe i gjithë aktiviteti i saj operacional në Kosovë është bazuar që prej fillimit në krijimin e raporteve juridike me kompani konsulence dhe kontraktorë të përgjithshëm të cilët kryejnë të gjitha detyrat e nevojshme për realizimin e investimit që nga marrja e lejeve të nevojshme dhe deri tek çertifikimi i investimit”, thonë tutje kompania.

Sipas tyre, ata kanë realizuar kontrata në bazë të proceseve të prokurimit, plotësisht të ligjshme.

“Pra asnjë leje e përgjithshme apo e posaçme nuk është marrë dhe asnjë tullë nuk është vendosur në projektin ‘Mështekna’ drejtpërsëdrejti nga kompania “Stella Consulting” por është realizuar nëpërmjet kontraktimit të përgjithshëm ku përfshihen konsulenca dhe operacionet ndërtimore të tipit “me çelësa në dorë” duke përcaktuar qartë në kontrata që mënyra e operimit të kontraktorit duhet t’i bindet ligjeve në fuqi në Republikën e Kosovës”, thonë tutje kompania.

Ata tutje shtojnë se në aktivitetin e tyre si investitor nuk kanë shkelur asnjë pikë në lejen e marrë nga komuna dhe se nuk mbajnë përgjegjësi për leje të pushtetit vendor.

Tutje, theksohet se zona ku po ndërton kjo kompani nuk është në pika të ndaluara dhe bllokimi i punës së tyre mund t’i kushtojë ekonomisë së Kosovës.

“Zona në të cilën ndërton Stella Consulting nuk është në zonat e ndaluara për ndërtim por brenda zonës së poshtme nën 1000 m lartësi mbi nivelin e detit ku janë zhvilluar vila që në krijimin historik të zonës se vilave në Brezovicë. Bllokimi i punëve të kompanisë i kushton ekonomisë së Kosovës mbi 800 mijë euro taksa të munguara në vit dhe dëmton investimin në mënyrë thelbësore”, thonë tutje kjo kompani.

Ish-kryetari i Shtërpcës, Bratisllav Nikoliq; drejtori i Urbanizmit, Dimitrije Raçiqeviq; Dragomir Milosavleviq dhe Hysni Bajrami – inspektorë të ndërtimit të Komunës së Shtërpcës; Sasha Milosavleviq, drejtor i Kadastrit të Komunës së Shtërpcës, Raif Bajrami, shef i Inspektoratit të Komunës së Shtërpcës, dy persona përgjegjës të dy kompanive dhe dy persona të tjerë që dyshohen se ndihmuan kryerësit pas kryerjes së veprës penale – u arrestuan të martën e kaluar, dhe ndaj tyre është kërkuar masa e paraburgimit.

Reagim i “Stella Consulting” lidhur me fushatën e zhvilluar rreth projektit “Mështekna”:

1.Kompania “Stella Consulting”, me strukturë aksionere mazhoritare investitor të huaj, është një vlerë e shtuar në ekonominë e Kosovës dhe një nga gurët e rendësishëm të Kosovës së ardhshme si vend i turizmit dhe zhvillimit, si vend i një ekonomie të qendrueshme dhe i punësimit të shëndetshëm, si një vend i sigurtë për investimet e huaja dhe vend që e zhvillon ekonominë dhe jetën sociale. Kompania “Stella Consulting” është një përgjigje e shëndetshme dhënë fteses së Kosovës në fushën e investimeve të huaja dhe në fushën e turizmit si fushë strategjike e zhvillimit të Kosovës. Në mënyrë sintetike ju permendim faktet që ilustrojnë këtë:

i. Investimi total i parashikuar në turizëm 22 milion euro.

ii. Investimi i realizuar deri tani 4,5 milion euro, i tëri i ardhur si investim i huaj në Kosovë, pra valutë e investuar nga jashtë në ekonominë e Kosovës.

iii. Investimi që pret të behet në Kosovë 17.5 milion euro edhe ky i tëri investim i huaj në Kosovë, pra valutë e investuar nga jashtë në ekonominë e Kosovës.

iv. Kapaciteti hotelierik i realizuar dhe në funksionim sot në projektin Meshtekna, investim e Stella Consulting 150 shtretër.

v. Kapaciteti Hotelierik i planifikuar në investimin e plotë 500 shtretër.

vi. Numri i të punësuarve në strukturen hotelierike të planifikuar 215 personel.

vii. Të ardhurat e planifikuara në formën e taksave, sigurimeve shoqerore, sistemin e pensioneve të shtetit të Kosovës të krijuara nga ky investim: 800,000 euro/vit.

viii. Kompania “Stella Consulting” nuk zhvillon vetë në Kosovë ndonjë aktivitet  ndertimi por i gjithë ndërtimi behet nëpërmjet kompanive ndërtuese ekzistuese në Kosovë dhe si pasojë nuk ka fituar dhe nuk pret të fitojë asgjë nga aktiviteti i ndërtimit dhe të gjitha shumat e investuara deri tani apo edhe ato që do të investohen rrjedhin dhe do rrjedhin në kanalet e ekonomisë së shëndetshme të Kosovës duke i sherbyer rritjes ekonomike të saj.

ix. Kompania Stella Consulting në planin e vet të biznesit parashikon që t’i duhen 20 vjet në operim të hotelierisë që të këtë mundësi të nxjerrë investimin e saj në Kosovë dhe kjo tregon se sa afatgjate janë investimet e kompanisë në këtë fushë të zhvillimit strategjik të Kosovës.

2. Kompania “Stella Consulting” është kompani investuese që investon projektin “Meshtekna” dhe i gjithë aktiviteti i saj operacional në Kosovë është bazuar që prej fillimit në krijimin e raporteve juridike me kompani konsulence dhe kontraktorë të përgjithshëm të cilët kryejnë të gjitha detyrat e nevojshme për realizimin e investimit që nga marrja e lejeve të nevojshme dhe deri tek çertifikimi i investimit.

2.1. Të vetmet operacione që ka realizuar kompania Stella Consulting janë operacionet e realizimit të kontratave me kompanitë ekzistuese në Kosovë mbi bazën e një procesi prokurimi të kontratës plotësisht të ligjshëm dhe duke bërë hetim të plotë të tregut të kontraktorëve dhe konsulenteve, dhe me pas operacionin e pagesës se këtij kontraktori të përgjithshëm dhe të taksave dhe tatimeve në Republikën e Kosovës. Pra asnjë leje e përgjithshme apo e posaçme nuk është marrë dhe asnje tullë nuk është vendosur në projektin Mështekna drejtëpërsëdrejti nga kompania “Stella Consulting”  por është realizuar nëpërmjet kontraktimit të përgjithshëm ku përfshihen konsulenca dhe operacionet ndërtimore të tipit “me çelesa në dorë” duke përcaktuar qartë në kontrata që mënyra e operimit të kontraktorit duhet t’i bindet ligjeve në fuqi në Republiken e Kosoves.

2.2. Kompania Stella Consulting është investuar në kontrollin ligjor të lejeve të posaçme përfshirë lejet ndertimore dhe çdo leje i ka rezultuar e mjaftueshme për zhvillimin e fazës përkatëse të investimit. Pra para çdo financimi është kontrolluar ligjshmeria e lejeve dhe me pas eshte dhene financimi gjithmone brenda rregullave.

2.3. Të gjitha këto informacione mbështeten në kontratat me kontraktoret si edhe në bilancin financiar të kompanisë dhe në auditime të brendshme dhe të jashtme.

3. Kompania “Stella Consulting” në aktivitetin e saj investitor në projektin “Mështekna” nuk ka shkelur në asnjë pikë lejen e marrë nga komuna. Kompania “Stella consulting” nuk mund të mbajë përgjegjësi juridike për një leje të pushtetit vendor që mund të bjerë ose jo ndesh eventualisht me akte të tjera ligjore a nënligjore.

4. Zona në të cilën ndërton Stella Consulting nuk është në zonat e ndaluara për ndërtim por brenda zonës së poshtme nën 1000 m lartësi mbi nivelin e detit ku janë zhvilluar vila që në krijimin hiistorik të zonës se vilave në Brezovicë.

5. “Stella consulting” është një kompani investimi me mazhorancë aksioner të huaj dhe pritjet tona janë që investimet tona të mbrohen në përputhje me ligjin per investimet e huaja.

6. Bllokimi i punëve të kompanisë i kushton ekonomisë së Kosoves mbi 800 mijë euro taksa të munguara në vit dhe dëmton investimin në menyrë thelbësore.

7. Pergojimi i kompanisë dhe i aksionerëve është kundër interesave të Kosovës sepse shkatërron imazhin e Kosovës si një ekonomi ku mund të investohet dhe ku mbrohen investimet e huaja duke prodhuar demotivimin e investitorëve për të investuar në Kosovë dhe për më tepër në një fushë me rëndësi strategjike siç është turizmi i Kosovës. Nëse investitoret linçohen, paragjykohen, dhunohen verbalisht atëherë e gjithë Kosova njëkohësisht linçohet, paragjykohet dhe dhunohet.

8. Kompania po ndërton një përgjigje juridike për çdo shpifje dhe dhunim e cila do i përballë shpifësit me përgjegjësitë civile që rrjedhin nga operacionet e tyre në dëm jo vetem të Kompanisë dhe aksionerëve të saj por edhe në dem të Kosovës dhe interesave të saj strategjike.

9. Kompania “Stella consulting” mbeshtet çdo veprim hetimor të ndërmarrë nga institucionet e autorizuar sipas ligjit të Republikes se Kosovës dhe pret që këto institucione që t’i japin epilog të shpejtë këtyre veprimeve hetimore në menyrë që t’i behet e mundur Kompanisë tonë të realizojë investimin e saj në projektin “ Meshtekna”, investim ky që do t’i hap rrug֝ë punësimit të të rinjëve në kapacitete tona hoteliere dhe zhvillimit të turizmit malor në Kosovë në përgjithesi.