AIP/ Foto: Agjencia për Informim dhe Privatësi

Agjencia për Informim dhe Privatësi i shqipton gjobë Komunës së Shtërpcës

Agjencia për Informim dhe Privatësi i ka shqiptuar gjobë në lartësinë 3,000 euro Komunës së Shtërpcës.

Gjoba është shqiptuar sepse Komuna e Shtërpcës nuk i kishte kthyer përgjigje një qytetareje e cila kishte bërë kërkesë për qasje në dokumente publike.

Për shkak se Komuna nuk i kishte mundësuar qasje në dokumente publike, qytetarja i ishte drejtuar Agjencisë shtetërore.

Sipas vendimit fillestar të datës 16 shkurt 2023, Agjencia e kishte aprovuar kërkesën e L. A. dhe e kishte obliguar Komunën që t’i ofrojë qasje  asaj.

Ky vendim nuk ishte përfilluar nga Komuna e Shtërpcës.

Në arsyetimin e vendimit tjetër, të datës 9 mars 2023, Agjencia ka argumentuar se pavarësisht dërgimit të njoftimit për shqiptimin e gjobës institucioni në fjalë nuk ka ofruar ndonjë arsyetim të shkruar për heshtje ndaj kërkesës së qytetares.

E me gjithë paralajmërimin e AIP-së, thuhet mëtutje në vendim, Komuna në fjalë nuk e kishte shfrytëzuar afatin shtatëditor për të përmbushur kërkesën e palës ankuese.

Vendimin me gjobë, sipas shkresave të lëndës, Agjencia e ka bazuar në Ligjin për qasje në dokumente publike.

Ndaj këtij vendimi Komuna ka pasur mundësinë që në afatin 30-ditor t’i drejtohet me padi për kundërshtim Gjykatës, por një hap të tillë nuk e ka marrë.

Se pala nuk ka vendosur të fillojë kontest administrativ në Gjykatë për Kallxo.com e ka konfirmuar komisionerja për privatësi Krenare Sogojeva-Dermaku.