Për çka po dyshohen dy të arrestuarit e djeshëm në rastin 'Brezovica'

Dy persona janë arrestuar gjatë ditës së djeshme në vazhdën e aksioneve për rastin e njohur tashmë për publikun si “Brezovica”.

Nenad Gligorijeviq dhe Sasha Iliq, janë dy të arrestuarit e djeshëm nga Policia e Kosovës të cilët zhvilluan aksionin nën koordinim me Prokurorinë Themelore të Ferizajt. 

KALLXO.com gjatë ditës së sotme ka siguruar kerkesën për paraburgim të cilën e ka bërë Prokuroria në Ferizaj. 

Gligoreviq sipas prokurorisë po dyshohet se nga viti 2014, në Shtërpcë, ka ndihmuar personin zyrtar në kryerjen e veprës penale “Marrja e ryshfetit”, në atë mënyrë që i ka premtuar të pandehurit Bratislav Nikoliq që paratë e fituara nga vepra penale do t’i investojë në biznese të caktuara siç janë motorrat e borës në qendrën e skijimit, ndërtimin e vikend-shtëpizës në qendrën e skijimit, në zonën e parë të Parkut Kombëtar “Sharri”, kafiteri dhe objekt hotelier në ndërtim në hyrje të Brezovicës, kurse fitimin e realizuar e ndan me të pandehurin Bratislav Nikoliq, ish-Kryetarin e Komunës së Shtërpcës. 

Me këto veprime Gligorijeviq po dyshohet se ka kryer veprën penale të marrjes së ryshfetit. 

I arrestuari tjetër Sasha Iliq sipas prokurorisë dyshohet se nga viti 2010, në Shtërpcë, ka ndihmuar personin zyrtar në kryerjen e veprës penale marrja e ryshfetit, në atë mënyrë që si zyrtar në Komunën e Shtërpcës, ka ndërmjetësuar në marrjen e parave në shuma nga 10 mijë euro deri në 30 mijë euro nga personat fizik dhe juridik, për t’iu mundësuar ndërtimin në Parkun Kombëtar “Sharri”, vikend-zona e Brezovicës, në kundërshtim me Ligjin për Ndërtimin, Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit, Ligjin për Ujërat e Kosovës dhe Planin Hapësinor të Parkut Kombëtar “Sharri”, kurse me paratë që i ka marrë si ryshfet , kanë blerë prona të paluajtshme në vikend-zonën, bashkë me të pandehurin ish-Kryetarin e Komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikoliq, të cilat janë regjistruar në emër të të pandehurit Sasha, me qëllim që të fshehen nga zbulimi dhe konfiskimi.

Edhe ky sipas prokurorisë dyshohet se ka kryer veprën penale të marrjes së ryshfetit. 

KALLXO.com në vazhdimësi ka raportuar për dyshimet që u ngarkohen të arrestuarve në rastin ”Brezovica”.

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar masën e paraburgimit për të dyshuarit. 

Kërkesa sipas prokurorisë qshtë parashtruar nën arsyetimin se nëse të njëjtit janë në liri ata mund të ikin, duke marrë parasysh se për këto vepra penale mundë të shqiptohet dënimi me disa vite burgim , kështu që të pandehurit nëse gjenden në liri kanë interes juridik që të arratisen me çka do të pamundësohej ose vështirësohej në masë të madhe sigurimi i prezencës së tyre në procedurën penale, pasi që disa të pandehur tani veç janë arratisur.

Gjithashtu prokurori ka theksuar se të njëjtit do të asgjësojnë, fshehin , ndryshojnë ose falsifikojnë provat e veprës penale , ose kur rrethanat e posaçme tregojnë se ai do të pengoj rrjedhën e procedurës penale duke ndikuar në dëshmitar , në të dëmtuarit apo bashkëpjesëmarrësit , pasi që disa të pandehur gjenden në arrati.

Dy të arrestuarëve në rastin ‘Brezovica’ u sekuestrohen mijëra euro dhe armë