Zbatimi i rekomandimeve të Auditorit, sfidë për komunat e Kosovës

Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike dhe Agjencia Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ), kanë mbajtur dëgjim publik lidhur me shqyrtimin e raporteve të auditimit të komunave të Kosovës për vitin 2017.

Mungesa e investimeve kapitale dhe moszbatimi i rekomandimeve i viteve paraprake nga ana e komunave u tha se mbetet sfidë për qeverisjet lokale.

Në takim u publikuan gjetjet në raportet e auditimit për tetë komuna: Prishtina, Mitrovica, Peja, Gjakova , Prizreni, Ferizaj, Gjilani dhe Graçanica.

Kryetari i Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike, Driton Selmanaj tha se dukuritë e identifikuara dhe problematikat e këtyre komunave lidhur me zbatimin e rekomandimeve të dala nga Zyra Kombëtare e Auditimit janë pothuajse të ngjashme me shumicën e komunave të Kosovës.

“Ne në kuadër të kompetencave tona si Komision për Mbikëqyrjen e Financave Publike kemi obligim që t’i trajtojmë në veçanti secilën komunë raportet e Zyrës Kombëtare të Auditimit, por duke e pa që është e pamundshme për t’i ftuar të gjitha komunat në raportim për shkak se i kemi diku edhe 110 organizata tjera buxhetore që ne i trajtojmë, atëherë i kemi ndarë 7-8 komuna më të mëdha të Kosovës dhe i kemi identifikuar disa nga dukuritë pothuajse të cilat janë të ngjashme ose i shoqërojnë shumicën e këtyre komunave të Kosovës”, tha Selmanaj.

Ndërsa, Valbon Bytyqi, asistent-auditor në Zyrën Kombëtare të Auditimit prezantoi sfidat kryesore më të cilat janë ballafaquar komunat në vitin 2017.

“Raportet e auditimit për këto komuna kanë rezultuar kryesisht me Ppinion të Pamodifikuar, me theksim të çështjes, përveç Komunës së Ferizajt, e  cila e ka Opinionin e Kualifikuar me theksim të çështjes. Kualifikimi i Opinionit në Komunën e Ferizajt ishte si pasojë e keqklasifikimit, përkatësisht mbulimit të shpenzimeve të mallrave dhe shërbimet nga kategoria e shpenzimeve kapitale”, deklaroi zyrtari i ZKA-së.

Bytyqi theksoi se çështje të tjera të përmendura në raporte të auditimit  kanë të bëjnë kryesisht me keqklasifikimet e buxhetuara, mangësitë në regjistrimin e pasurisë dhe dobësi të tjera në menaxhimin financiar.

Sipas zyrtarit nga ZKA, komunat edhe këtë vit janë ballafaquar me shumë sfida në realizimin e buxhetit për investime kapitale.

ZKA ka identifikuar dobësi edhe në inkasimin e të hyrave që janë bërë në këto komuna.

“Përfshirë dhënia e pronave në shfrytëzim pa kompensim, këtu bëjnë pjesë shfrytëzues të ndryshëm, qytetarë, parti politike e tjerë, shfrytëzimi i hapësirave publike, dhënia me qira pa kontrata ose në raste të tjera kur qiramarrësit nuk paguajnë obligimet e parapara me kontratë. Mosverifikimi i një të tretës së pronave sipas kërkesave ligjore, lëshimi i lejeve të ndërtimit pa u kryer obligimet e pagesave, vonesat në deponimin e parave të grumbulluara nga të hyrat si dhe dobësitë e tjera në regjistrimin dhe raportimin e të hyrave”, theksoi Bytyqi.

Deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Ali Lajçi tha se tentimi për të përmirësuar menaxhimin nga ana e komunave është jo i kënaqshëm.

“Fakti se në komunat tona nuk respektohen në përmasë të duhur çështjen e rekomandimeve dhe nivelet e tyre janë të ulëta, jo vetëm këtu por edhe në nivele tjera të institucioneve të Republikës, tregon se niveli i menaxhimeve dhe tentimi për përmirësimin e tyre është jo i kënaqshëm, madje mbërrin këtu ta zëmë në disa komuna, me 28, 25 e tjera e që do të duhej të ishte në nivel të kryerjes së tyre”, tha Lajçi.

Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, tha se kjo komunë e ka marrë me seriozitet zbatimin e rekomandimeve të dala nga raporti i Auditorit.

“Po është mirë se menaxhimi ose zbatimi i rekomandimeve të Auditorit po ndikon në performancën e komunave. Ne tash po jemi në garë për me marrë donacione të reja, sidomos prej Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, GIZ-it, domethënë performanca e komunave po ndikon varet sa marrim donacion ose sa është vlera e këtij donacioni që e marrim në bazë të performancës që e kemi bërë si komuna”, tha Muhaxheri.

Zëvendësministri i Ministrisë së Financave, Fatmir Gashi adresoi çështjen e moszbatimit të rekomandimeve nga ana e komunave që vijnë nga auditori i brendshëm dhe i jashtëm.

“Këto dy çështje janë të lidhura njëra me tjetrën  dhe në qoftë se nuk shikohen ashtu çdoherë do të kemi përsëritje dhe gabime. Sa i përket auditimit për pasqyrat financiare të vitit 2017, këtë që e ka bërë auditori i jashtëm, shihet një kualitet i ngritur. Unë edhe njëherë ju ftoj juve që edhe auditorët e juaj të brendshëm t’i dëgjoni dhe rekomandimet e tyre t’i plotësoni”, tha zëvendësministri.

Gashi u bëri apel komunave që t’i dëgjojnë dhe t’i implementojnë rekomandimet e auditorëve pasi, sipas tij, niveli i përmbushjes së tyre është vetëm mbi 20 për qind.

Në këtë takim, përfaqësuesit e Kuvendit dhe GIZ-it publikuan edhe shtatë  rekomandime për tejkalimin e sfidave komunale si dhe u kërkuan që të sigurojnë që zbatimi i planit të veprimit për rekomandimet, të monitorohet  në vazhdimësi dhe të raportohet në baza të rregullta mujore ose tremujore në lidhje me progresin e arritur.