Halil Thaçi i LVV-së dhe Albana Bytyqi e AAK-së përplasen për punësime dhe çmimet e tokave

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, sërish ka munguar në mbledhjen e Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike, në të cilin ishte i ftuar për të raportuar për kontratat e nënshkruara me procedurë të negociuar të MMPHI-së.

Mungesa e tij ka ngjallur debate mes opozitës dhe pozitës.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Halil Thaçi i është drejtuar deputetes së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albana Bytyqi duke i thënë se e di se partia e saj, “e kanë pikë të dobët çështjen e pronave”.

“E di Albanë që e keni pikë të dobët këtë çështjen e pronës, e keni ble 50 euro dhe ia keni shitë 5 mijë euro shtetit tonë edhe po më mban moral politik këtu. Unë i kuptoj se nuk ka më skandale me 53 milionë euro, nuk ka më pronë që e shet shtetin për 5 mijë euro” – ka thënë Thaçi.

Thaçi theksoi se nuk do të marrë pjesë në votimin e raportit të auditimit të performancës “Prokurimet e negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në vitin 2021”, që i njëjti të dërgohet në seancë.

“E kuptoj deputeten se është pikë e dobët infrastruktura për AAK-në, prandaj përsëri po e them që nuk marr pjesë në votim për ta dërguar në seancë këtë raport për arsye se do i kisha dhënë kohë ministrit përsëri që të vijë dhe të shqyrtojmë në detaje këtë raport auditimi” – deklaroi ai.

Ndërkaq në kundërpërgjigje të Thaçit, deputetja Albana Bytyqi i ka thënë se ai e ka pikë të dobët Korporatën Energjetike të Kosovës, në të cilin sipas saj, deputeti i LVV-së ka punësuar familjarë.

“Pikë të dobët e ke KEK-un, në të cilin para një viti e ke punësuar nipin, djalin e axhës dhe disa të tjerë. Kështu që nëse do për dallavere, i ke rezervat shtetërore, punësimet që i kenë bërë, 100 mijë dallavere që tre vjet” – tha deputetja Bytyqy.

Bytyqi i ka rikujtuar Thaçit se në mbledhjen e kaluar të këtij komisioni, ishin dakorduar që këtë raport ta votojnë dhe ta përcjellin për në seancën e Kuvendit.

“Tregom të drejtën çka po të mundon ty ma së shumti që po mundohesh me i ikë këtij raporti? Pse nuk po e voton me e çu në seancë? A e kemi bo takimin e kaluar që po dojmë me e dërgua në seancë, pse po e mbron ministrin? Çfarë problemi ke, nëse je i përfshirë në këto dallavere, trego nuk është marre” – tha tutje Bytyqi.

Sipas kryetares së komisionit, Hykmete Bajrami, ministri Aliu nuk ka ardhur në këtë mbledhje për të raportuar, për shkak të një takimi urgjent, siç është njoftuar nga kabineti i tij.

 

Mungon ministri Liburn Aliu, shtyhet shqyrtimi i raportit të auditimit të performancës