Mytaher Haskuka e Zafir Berisha. Foto: Mytaher Haskuka/Facebook

Zafir Berisha i quan 'muhalife' dhe 'fëmijërore' veprimet e partnerit në koalicion

Figura kryesore e Nismës Socialdemokrate në Prizren, Zafir Berisha, ka komentuar padinë që i ka bërë shefja e kabinetit të kryetarit të Komunës, Mytaher Haskukës.

Berisha ka thënë se këto veprime janë “muhalife dhe fëmijërore”.

“Prej juve pe dëgjoj këtë muhalife, as që jem në dijeni, tash për herë të par po e marr vesh, dhe po më duket shumë qesharake me i komentu gjërat shumë fëmijërore”, ka thënë Berisha.

Ndërsa i pari i Prizrenit, Mytaher Haskuka nuk ka dashur të komentojë asgjë rreth kësaj padie duke thënë se kjo është çështje personale e shefes së kabinetit.

Krenare Koçi, shefe e kabinetit të kryetarit të Komunës së Prizrenit, ka paditur deputetin e partisë Nisma Socialdemokrate, Zafir Berishën, për shpifje.

Vetëvendosje, kandidati i të cilës kishte fituar zgjedhjet në komunë në vitin 2017 dhe Nisma Socialdemokrate, përbëjnë koalicionin qeveritar në këtë komunë.

https://kallxo.com/aleatet-ne-gjyq-shefja-e-kabinetit-te-mytaher-haskukes-e-padit-zafir-berishen-per-shpifje

Shefja e kabinetit të kryetarit Haskuka e ka paditur Zafir Berishën për shpifje dhe si kompensim të dëmit jomaterial për shpifje kërkon 20 mijë euro.

Por, në padinë të cilën Krenare Koçi e ka dorëzuar në Gjykatën Themelore Prizren, thuhet se Zafir Berisha është njoftuar nga avokati i saj Blerim Mazreku ashtu që me datë 21 shkurt 2019, i kanë dërguar Zafir Berishës  një kërkesë me të cilën i është kërkuar që të njoftojë publikun se deklarimi i tij nuk ka qenë i mbështetur në asnjë fakt.

Por sipas padisë Zafir Berisha nuk ka ndërmarrë asnjë veprim, madje me datë 27 shkurt 2019, i njëjti ka njoftuar avokatin e Krenare Koçit se nuk konsideron se ka kryer shpifje dhe është i gatshëm që të përballet në gjykatë. “Rrjedhimisht paditëses nuk i mbetet rrugë tjetër veçse të paraqesë padi’,  thuhet në padi e cila tashmë është dorëzuar në Gjykatë dhe pritet të caktohen datat e shqyrtimeve gjyqësore.

Krenare Koçi përmes padisë kërkon nga Gjykata që të aprovohet padia e saj dhe të vërtetohet se i padituri Zafir Berisha me publikimin e tij në Facebook të datës 27 nëntor 2018, ka bërë shpifje dhe fyerje në dëm të saj.

“Ai publikimin e ka bërë me qëllim të dëmtimit të reputacionit të paditëses Krenare Koçi, dhe dëmtimin e imazhit publik të saj”, thuhet në padi.

Deputeti Zafir Berisha në një status të publikuar në Facebook vitin e kaluar e kishte kritikuar qeverisjen e Haskukës në Prizren, ndërsa në qendër të kritikës e kishte vënë vetë Krenare Koçin.

“Ne fryma jonë socialdemokrate nuk qëndron pas lojrave të flliqura të Krenare Koçit, hijenave dhe ” komisarve politik ” që qëndrojn prapa z. Haskuka të cilin në bashkpunim me mbetjet e krimit të organizuar të ” Klanit Pronto ” kurdisin çdo konkursë ku paraprakishtë dihen edhe se kush ka me u pranuar në punë. Partneriteti dhe ” kolacioni i heshtur ”, me persona që i kan shërbyer 10 vite bandave, (qytetarët para 1 viti i ndëshkuan me vota ) nuk është në përputhje me pritjen e prizrenasve… ”, thuhet në postimin pa ndërhyrje gramatikore të deputetit.

Zafir Berisha në statusin e tij për të cilin e ka paditur Krenare Koçi kishte thënë se ”edhe pse e kemi diskutuar disa herë më z. Haskukën çështjen e njerëzve me dosje të shumta që janë në institucione të Komunës së Prizrenit, ai me heshtje tashmë po tregohet i pafuqishëm ndaj atyre njerëzve që e rrethojnë, një pjesë e të cilëve nuk ju dihet misioni në institucionet e Komunës së Prizrenit”.

Zafir Berisha në statusin e tij për çka është paditur kishte përmendur edhe bashkëpunimin me PDK-në, parti e cila e humbi kontrollin e komunës në zgjedhjet e fundit të vitit 2017.

“Bashkëpunimi dhe vendosja në krye të komisioneve intervistuese për punësim e njerëzve t PDK-së (të cilët janë me përvojë në manipulime dhe lehtë të shantazhueshëm) pjesa dërmuese e të cilëve i kanë shërbyer krimit të organizuar dhe janë me dosje në organet e drejtësisë, nuk është tregues shpresdhënës se gjendja mundë ndryshojë në interes të qytetarëve”, kishte thënë ai.

Në Prizren  koalicioni  qeverisës në mes Vetëvendosjes, LDK-së, dhe NISMA-s, nuk është se ka kaluar pa polemika dhe kundërshtime madje edhe përmes asamblistëve të këtyre subjekteve politike me drejtorët e Haskukës.

https://kallxo.com/https-kallxo-com-punesimet-partiake-ne-prizren-perplasin-drejtorin-e-arsimit-me-asamblistet/

Edhe seancat e Asamblesë Komunale në Prizren nuk po kalojnë pa përplasje edhe ndërmjet partnerëve të koalicionit.

https://kallxo.com/asamblisti-i-ldk-se-perplaset-me-drejtorin-e-haskukes-video/

https://kallxo.com/akuza-kundershtimet-batutat-dhe-raportet-krejt-cka-ndodhi-ne-asamblene-e-prizrenit/