Ilustrim

Procesi që u shty disa herë për shkak të adresës

Padia për shpifje e Nehat Maxhunit kundër gazetarit Besnik Krasniqi u mbyll duke u konisideruar si padi e tërhequr tre vjet pasi Maxhuni dorëzoi lëndën në gjykatë.

Gjykata e Prishtinës, në të cilën po zhvillohej procesi, nuk arriti që tre herë radhazi ta dorëzojë ftesën në adresën e duhur ndërsa pas tri seancave të dështuara, Maxhuni tërhoqi padinë e tij.

Të dhënat tregojnë se pa ndonjë arsyetim konkret Maxhuni u tërhoq nga padia ndërsa të dhënat në dosje tregojnë që gazetarët u obliguan që të paktën tri herë të kenë avokat dhe të përgatisin mbrojtjen për të kundërshtuar këtë rast.

BIRN ka analizuar disa nga rastet e trajtimit të shpifjeve nga gjykatat e Kosovës dhe aty përpos vonesave procedurale janë gjetur edhe probleme të organizimit dhe adresave. Çështja Maxhuni kundër Krasniqit dhe Isufit u nis më 21.10.2019. Në padi Maxhuni pretendonte se gazetari Krasniqi kishte shpifur ndaj tij.

Të dhënat procedurale tregojnë që gjykatës iu deshën dy vjet që të nisë procedurën për trajtimin fillestar të këtij rasti. Më 21.06. 2021, gjyqtarja Rrezarta Sylejmani Voca, kishte nxjerrë aktvendim përmes të cilit i kishte detyruar të paditurit që në afat prej 15 ditësh t’ia paraqesin në formë të shkruar gjykatës përgjigjet në padi.

Më 27.07.2021, të paditurit e kishin dorëzuar shkresën në emër të dy të paditurve, por përgjigja nuk përshpejtoi procedurën. Palët u ftuan të paraqiten në gjykatë pas 20 muajve. Sipas të dhënave, më 10.05.2023 gjyqtarja caktoi seancën përgatitore. Seanca u shty pasi paditësi mungonte dhe gjykata nuk kishte dëshmi se i njëjti kishte pranuar ftesën në mënyrë të rregullt. Në këtë rast, të dhënat tregojnë që seanca tjetër u caktuar pas dy muajsh, më 10.07.2023 edhe kjo seancë ishte shtyrë për defektin e njëjtë “gjykata nuk ka prova se paditësi e ka pranuar në mënyrë të rregullt ftesën”.

Tutje pason edhe tentativa e radhës për seancën përgatitore, e cila u caktua të mbahet më 23.11. 2023. Në këtë seancë nuk u paraqit asnjëra palë ndërgjyqëse dhe as ndonjë përfaqësues i tyre. Duke vlerësuar këto fakte, gjyqtarja Rrezarta Sylejmani Voca mori aktvendim po atë ditë duke e konsideruar të tërhequr padinë.

Sipas arsyetimit të aktvendimit të siguruar nga BIRN, gjykata sqaron se më 13.11.2023 ka pranuar parashtresë nga paditësi për tërheqje të padisë me arsyetimin e pamundësisë së pjesëmarrjes në seancat gjyqësore për shkak të angazhimeve të tij jashtë vendit.

Por ani pse gjykata ka pranuar parashtresë për tërheqje të padisë, bazën ligjore për ta konsideruar të tërhequr e ka marrë gjetiu, kjo për shkak të mungesës të përfaqësuesit të paditësit në seancë.

Gjyqtarja është thirrur në dispozitën e Ligjit për Procedurë Kontestimore, përkatësisht nenin 409, paragrafin e parë, e cila parasheh se në qoftë se në seancën përgatitore mungon pala paditëse edhe pse është rregullisht, padia konsiderohet e tërhequr.

Padia e ushtruar nga Nexhat Maxhuni kundër Besnik Krasniqit dhe Elmaz Isufit kishte të bënte me shkrimin e titulluar “Kandidatët për deputet që mashtruan se janë “prof.dr.”, të publikuar në faqe të parë të gazetës.